Guri, Abazaj, Xhulio Tushe, Skënderbeu, Flamurtari dhe futbolli Fair Play!

732
Sigal

Nga Prof. Dr. Xhevdet ZEKAJ

OPINION/ Koha për të besuar, vepruar, fituar e dhuruar spektakël, por edhe vuajtje e vështirësi në betejë me të keqen

Sidrit Guri arrin një kontratë mjaft prestigjioze në termat ekonomikë, si në aspektin personal, por edhe për potencialin e mirë financiar të FK Kukësit. Besoj se, tradita e krijuar nga FK Skënderbeu po jep rezultate në vizionin e ri modern të funksionimit të një klubi futbolli, jo vetëm në rezultate teknike, por sidomos dhe në ato ekonomike. Sidrit Guri është modeli i një eksperience, tashmë të suksesshme nga korçarët, të cilët ka vite që klubin e tyre e kanë kthyer në një industri me bilanc ekonomik mjaft të mirë, i shoqëruar vitet e fundit me një futboll prepotent dhe argëtues në fushën e futbollit. Për sa më sipër, ka nisur era e futbollit me bilance pozitive, ka nisur era kur presidentët dhe sponsorët nuk shikojnë e sponsorizojnë për ndonjë leje e shesh ndërtimi, apo privatizim, por thjesht janë orientuar drejt futbollit me bilance pozitive. Dhe ky mentalitet nuk arrihet brenda një nate, apo një viti, por dalëngadalë me dhimbje e bindje, se koha që jetojmë kërkon ndryshime rrënjësore në përmbajtjen e futbollit. Abazaj- një merkato befasuese të mirë menduar, sa nga FK Skënderbeu, po aq edhe nga Luftëtari. Skënderbeu ka vite që dominon tregun shqiptar dhe atë ballkanik (Kosovë, Maqedoni) e më gjerë, natyrisht duke respektuar garën, fansat që duan trofe, ai asnjëherë nuk hoqi dorë nga zbulimi e promovimi i talenteve. Si presidenca, si z. Fakiç, po ashtu edhe kompania e menaxherëve, kanë krijuar një data base interesante, konkurruese, vizionare, praktike dhe në shumë operacione mjaft të suksesshme. Para kontrata dhe blerja e Abazajt, ishte një lëvizje me mjaft fitim, por edhe tregues se klubi është aty symprehtë dhe ka mobilizim maksimal për të blerë talente. Duam apo nuk duam, FK Skënderbeu është trend pozitiv, është markë për futbollistët, i vesh ata ‘firmato’ duke u rritur vlerën e kartonit, prandaj dhe shumë lojtarë janë gati të firmosin me korçarët. Dhe ia ka dalë! Në rastin Abazaj, mendoj se edhe Luftëtari menaxhoi dhe veproi drejt, ai mund ta mbante Kristal Abazajn në klub, por kurrë nuk do ta shiste, kurrë nuk do fitonte aq para sa operacionet që kryen FK Skënderbeu. Dhe, ky veprim, ishte i mbarë dhe për skuadrën dhe për Kristal Abazajn si edhe vitrinë për futbollin shqiptar në përgjithësi. Po FK Flamurtari, për çfarë hyn këtu do thotë ndonjëri? Thjesht për revolucionin që po zhvillon, për Fair Play-in financiar, pagesat me bankë, sigurimet shoqërore, deklarimet në institucionet tatimore, vizion për një klub me transparencë maksimale etj. Por, duke rendur pas trofeut, vazhdon të gabojë me futbollistët “bio” vlonjatë apo stimulimin e të rinjve. FK Flamurtari dështoi me lejimin e Devi Bregut të shkonte tek gjirokastritët, po ashtu siç po gabon rëndë me mos aktivizimin e Xhulio Tushes, një 19 vjeçar i talentuar që duhej të ishte menaxhuar dhe aktivizuar. Në bisedat me stafin teknik vlonjat, të gjithë thonë është ‘një Skelë’ i ri, natyrisht duhet punë e kohë të bëhet si Ervin Skela legjendë, por çfarë po ndodh? Xhulio rri në stol, kur aty luan ndonjë maqedonas a brazilian që nuk ka talentin e të ardhmen e tij. Stafi e di mirë që stoli të djeg, të bën lojtar stoli, por Latifi, Doku, Taku, Abazaj, Dita, Onuzi, Jonuzi etj., janë në nivele të larta sepse stafet respektivë i vlerësuan, besuan, dhe i aktivizuan dhe ,natyrisht që edhe kontrata financiare për të rregulluar bilancin e klubit janë të sigurta, nëse guxon të luash dhe me Tushen. E vështirë do të thoni Ju, por nëse do ngelet pa shkuar në Evropë dhe do kishte fituar Tushen, them që vlonjatët do të thoshin se nuk jemi keq, prandaj… E zgjata pak me Flamurtari, natyrisht që po, sepse e meriton për punën e shkëlqyer që bën Presidenti Sinani, dhe me këto ritme duhet t’i përgjigjen të gjithë. Sidrit Guri, Safet Gjici dhe Kukësi gjithë përvojën pozitive të FK Skënderbeut, dhe e kuptoni mirë përse theksoj pozitive, jo vetëm e studioi dhe e përvetësoi, por edhe e revolucionarizoi hap pas hapi me ritëm të sigurt, pa i besuar shumë Bashkisë dhe politikës, me një bashkëpunim institucional me FSHF-në. Zoti Gjici përkrahu dhe kërkon të instalojë edhe përvojën të faktorëve perëndimorë me staf e trajnerë, por njëherazi, ai shpesh bën prepotentin, seriozin dhe njeriun që mobilizon, por edhe kërkon llogari dhe ndëshkon ata që gabojnë. Një pjesë e rëndësishme e kësaj përsiatje është ajo që themi në futbollin e sotëm në aspektin Fair Play, dhe atë financiar. Te gjithë duhet të qartësohemi e bindemi, që të ulemi shtruar në rregullimin e parametrave financiarë dhe lojës Fair-play, sidomos në produktin e futbollit Evropian, atje nuk ka shaka, tolerime, gjendje psikologjike, mungesë motivimi, gola në minutat e parë apo të fundit etj., etj. Prandaj dhe FSHF-ja po këmbëngul e sensibilizon për këto problematika, kjo kushtëzohet edhe nga dënimi i mundshëm i Skënderbeut, e nga ky rast i kërkoi Prokurorisë së Përgjithshme që të monitorojë e bashkëpunojë për të goditur ligjërisht prishjen e imazhit të futbollit shqiptar, dënimin maksimal të dallavereve apo pazareve në futbollin e luajtur. Por, rastësisht po ju sjell një shembull, jam duke botuar një libër për Blaterin, i cili e gjeti futbollin botëror me një bilanc ekonomik e spektakël për t’i qarë hallin, falë operacioneve financiare, falë shfrytëzimit të gjithë negociatave brenda e jashtë vendit, arriti ta kthejë futbollin në një perandori ekonomike e spektakli. Por e gjitha ka kufi, prandaj përmenda rastet e më sipërme për të thënë se kufijtë duhen ruajtur, për mos të shkuar në tragjedi. Mos e kalo vizën e kuqe, apo si thoshte Koço Devole: “Mos e hap atë derë o burrë, sepse…!”