“Guerrils”-at tema e ditës, nuk e braktisin Partizanin

492
Nga Agron KAJA
SUPERIORE/ Në skuadrën e kuqe, pas humbjes së thellë në Gjirokastër, po kërkohet kursi ndryshe për sfidën me Vllazninë
Nëse në ditën e djeshme në futbollin shqiptar kishte lëvizje e stërvitje, te Partizani kishte edhe dy të veçanta të tjera. E para, ishte Olsi Rama, i cili zyrtarizohet me licencën e drejtorit teknik te Partizani, e më pas, tifozët “Guerrils”-a, të cilët nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook, mes të tjerave, kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në stadiumin “Selman Stërmasi” të premten e 22 dhjetorit, ku Partizani pret Vllazninë. Duke i parë të dyja këto të veçanta te Partizani dje, në FSHF është mbyllur kursi dyjavor për drejtor teknik, në të cilën mori pjesë edhe Olsi Rama, jo si vëllai i Kryeministrit, Edit, por si përfaqësues i klubit të futbollit të Partizanit. Pas marrjes së certifikatës, Rama ka folur për SuperSport, jo vetëm për pozicionin e tij, por edhe për situatën te skuadra e kuqe. “Për mua, zyrtarizimi është bërë që më përpara, ndërsa sot (dje) mora licencën. Do të thosha se, gjatë merkatos së janarit, nga Partizani nuk largohet asnjeri, madje edhe Moxhi do të vazhdojë të jetë pjesë e Partizanit, pasi emërimi im nuk e përjashton atë. Merkatoja e janarit do të jetë për disa riparime, ndërsa senatorët do të vijojnë të jenë pjesë e Partizanit”, kështu deklaroi dje Olsi Rama, ndërsa treguesi tjetër i ditës së djeshme, sa i përket atmosferës te skuadra e Partizani, natyrisht që veçohen tifozët “Guerrils”, të cilët e cilësojnë 2017-ën si një vit, i cili u mbyll turpshëm nga ata që drejtojnë dhe ata që luajnë në fushën e lojës. “Të premten në ora 13:00, Partizani ynë luan ndeshjen e fundit për vitin 2017. Një vit që u mbyll turpshëm nga ata që drejtojnë dhe ata që luajnë. U nxi nga ata që morën përsipër të dilnin triumfatorë, por kjo nuk do të thotë që ne ta lëmë Legjendën në duart e atyre që nuk e meritojnë, ndaj ju ftojmë të gjithëve të na bashkoheni në stadium. Gjithashtu, duam të sqarojmë dy gjëra që me keqardhje shohim se janë transformuar me qëllim dashakeqës nga mediat dhe portalet servile të emrave të caktuar në klub”, kështu thuhet midis të tjerave në postimin elektronik të tifozerisë së Partizanit, të cilët në këto radhë, “shënjestrën” e mbajnë te drejtuesit e klubit. “Së pari, nuk ka protestë, dhe së dyti, ne nuk kemi sulmuar veç lojtarët, por të gjitha hallkat e klubit, që i cilësojmë fajtorë për situatën katastrofike që Partizani po kalon. Nuk ka rëndësi sesa të famshëm e ke mbiemrin, apo vëllai i kujt je. Nëse përfaqëson fanellën, duhet te tregohesh i denjë, ta respektosh dhe ta lartësosh atë. Atëherë gëzoni respektin dhe lavdinë, ndryshe jeni vetëm zero. Kaq është diferenca nga zero në hero ose anasjelltas”, ka qenë ky postimi i tifogrupit të Partizanit, duke bërë të veçantën e ditës së djeshme mediatike, të quajtura si “Temat e ditës”.
Dje, Olsi Rama zyrtarisht mori licencën e drejtorit teknik te Partizani, ndërsa tifozët “Guerrils”-a, nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook, mes të tjerave, kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në stadiumin “Selman Stërmasi” të premten e 22 dhjetorit
SITUATA E PARTIZANIT
Ndeshje të luajtura
Në Kampionat 15
Në Kupë 4
Fitore 10
Barazime 3
Humbje 6
Renditja 6
Në Kupë, në turin 3
Sigal