Gudar Beqiraj: “Godelli-Qerimaj, ‘luftë’ për Kampion të Europës”

467
Sigal

Presidenti i Nderit i Federatës së Peshëngritjes optimist për paraqitjen në Kampionatit Europian

Sot, në Izrael do të garojnë Romela Begaj (63 kg), Daniel Godelli (77 kg) dhe Erkand Qerimaj (77 kg)

Presidenti i Nderit i Federatës së Peshëngritjes Shqiptare, Prof. Dr. Gudar Beqiraj, u shpreh mjaft optimist për paraqitjen e pritshme të katër shtangistëve tanë në Kampionatin Europian që po zhvillohet në Tel Aviv të Izraelit. Shqipëria do të përfaqësohet në Kampionatin e 93-të Europian për Meshkuj dhe të 27-in për Femra me katër sportistë: Romela Begaj (pesha 63 kg), Daniel Godelli (pesha 77 kg), Erkand Qerimaj (pesha 77 kg) dhe Ervis Tabaku (pesha 94 kg), teksa sot në pedanë do të ngiten Begaj, Godelli e Qerimaj. “Pres nga Daniel Godelli që të fitojë medaljen e artë në dygarësh dhe të shpallet Kampion i Europës, ndërkohë që, me medalje do të dalë edhe Erkand Qerimaj”, – tha Beqiraj për gazetën “Telegraf”. Në Kampionatin Europian marrin pjesë 251 sportistë nga 34 vende europiane, 241 meshkuj dhe 110 femra.

 – Zoti Beqiraj, në Tel Aviv të Izraelit është duke u zhvilluar Kampionati Europian i Peshëngritjes për të Rritur, ku merr pjesë edhe Shqipëria. Cilët janë peshëngritësit tanë?

– Kampionati Europian i Peshëngritjes për të Rritur do të zhvillohet nga data 3 deri në 13 prill. Në aktivitetin më të rëndësishëm europian të peshëngritës marrin pjesë katër sportistë nga vendi ynë, tre meshkuj: Daniel Godelli (pesha 77 kg), Erkand Qerimaj (pesha 77 kg) dhe Ervis Tabaku (pesha 94 kg) dhe një femër Romela Begaj (63 kg).

– Shtanga ka sjellë gjithmonë medalje nga aktivitetet e mëdha ndërkombëtare. Sipas jush, a mund ta shohim sërish flamurin tonë në podiumin e fituesve?

– Unë besoj që, po. Po të shohim me kujdes listën e të gjithë pjesëmarrësve dhe rezultatet më të mira të çdo sportisti në peshat ku ata garojnë, do të konstatonim lehtësisht që Daniel Godelli, i datëlindjes 1992 (21 vjeç) ka përcaktuar peshën maksimale 361 kg në dygarësh. Kjo është pesha më e lartë që, është shpallur në listën e paraqitur nga Federata e Peshëngritjes për pjesëmarrësit në peshën deri 77kg. I dyti vjen Erkand Qerimaj  me 356 kg, gjithmonë në këtë peshë. Ky është rezultati maksimal i parashikuar prej tyre në dygarësh. I treti është Zvaricz Kriszhtof me 351 kg i Polonisë. 14 garuesit e tjerë në këtë garë kanë paraqitur pesha më të vogla.

– Këto janë peshat që peshëngritësit dhe trajnerët e tyre kanë paraqitur në listën e regjistrimit në garë. Përse besoni se ato mund të përkthehen edhe në rezultate gare?

– Ka një logjikë këtu, pasi duke pasur parasysh edhe logjikën e zhvillimit të garave të peshëngritjes, mundësia është më i madh që Daniel Godelli të jetë fituesi të jetë i medaljes së artë në dygarësh, që do të thotë se përveç ngritjes së flamurit do të ekzekutohet edhe himni kombëtar i Shqipërisë. Është e pritshme që, gara për podiumin fitues do të zhvillohet midis këtyre tre peshëngritësve, pra dy sportistëve tanë: Godellit e Qerimajt, si dhe polakut Kriszhtof. Duke vlerësuar edhe deklarimet e peshës hyrëse të sportistëve tanë, shanset janë që dhe Qerimaj të jetë një medalist.

– Duket se do të kemi një luftë midis dy peshëngritësve tanë…

– Në fakt, si Godelli ashtu dhe Qerimaj garojnë në të njëjtën peshë, pra atë 77 kg, kështu që është normale që do të kemi një luftë të “ashpër” sportive midis tyre. Kjo mund të sjellë një konkurrencë më të fortë midis tyre, e cila mund të përkthehet edhe në rezultate më të larta se ata kanë deklaruar në listën hyrëse. Por, edhe nëse ata do të marrin ato rezultate, pavarësisht se në garë mund të ketë dhe të papritura, pra mund të arrish rezultate me të larta apo më të ulëta, unë besoj se Daniel Godelli do të jetë Kampioni i ardhshëm i Europës. Në peshën 77 kg Kampionati Europian do të flasë me një gjuhë që është “kuq e zi”.

– Në peshën 94 kg do të garojë Ervis Tabaku. A mund të presim medalje dhe nga ai?

– Gjithmonë, duke iu referuar deklarimeve të sportistëve në listën hyrëse ka deklaruar 376 kg në dygarësh, duke u renditur “teorikisht” në vendin e gjashtë në peshën deri në 94 kg. Në këtë kategori janë regjistruar 24 peshëngritës, teksa pritet dhe një luftë e fortë.

– Romela Begaj është e vetmja sportiste femër në Kampionatin Europian. Sipas jush, çfarë mund të presim nga ajo?

– Romela Begaj, e cila garon në peshën deri ne 63 kg i ka të gjitha mundësitë për medalje. Edhe Begaj i ka të gjitha mundësitë për medalje, pasi me deklarimet e saj ajo renditet e dyta në peshën e saj me 230 kg në dygarësh, teksa e para është Turieva Tima e Rusisë me 235 kg të deklaruara.

– Duket me të vërtetë një atmosferë optimiste….

– Dua ta theksoj se, deklarimet kaq të larta të peshëngritësve tanë krijojnë një atmosferë optimizmi që pas këtij Kampionati Europian duhet menduar që, ekipi të plotësohet me tetë sportistë për të pasur mundësinë për të marrë sa më shumë pikë në Kampionatin Botëror që zhvillohet në muajin nëntor të këtij viti në Kazakistan dhe që është përcaktues për pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike “Rio 2016” që do të zhvillohet në Brazil.

– Si procedohet me pikët e grumbulluara?

– Përsa i përket Olimpiadës, duhet të kemi parasysh që pikët e grumbulluara në Botëror nga ekipi shqiptar për vitet 2014 dhe 2015, të mbledhura bashkë nga Federata Botërore e Peshëngritjes do të rezultojnë thelbësore për pozicionimin e ekipit tonë në renditjen botërore, ku ne presim të jemi midis vendeve 7-12, që të arrijmë që të kemi pesë sportistë pjesëmarrës në “Rio 2016”, ndërkohë që, në “Londër 2012” ne u përfaqësuam me sportin e peshëngritjes me katër sportistë. Pra, synojmë që të kemi një numër më të madh.

– Si do ta vlerësonit punën e Federatës Shqiptare të Peshëngritjes?

– Federata e Peshëngritjes po bën një punë shumë të mirë dhe unë jam i bindur se, ajo do të jetë në vazhdimësi për të arritur rezultate akoma të larta në Kampionatin Botëror, për të pasur edhe elementë të tjerë të fuqishëm si sportistët tanë që po marrin pjesë në Kampionatin Europian të Izraelit.

 251 shtangistë

marrin pjesë në Kampionatin Europian të Peshëngritjes, 141 janë meshkuj dhe 110 janë femra. Shqipëria përfaqësohet me katër sportistë, tre meshkuj dhe një femër

 17 garues

marrin pjesë në kategorinë e peshës deri në 77 kg. Vendi ynë përfaqësohet në këtë peshë me Daniel Godellin dhe Erkand Qerimajn. Të dy synojnë medalje

 27 sportiste

garojnë në kategorinë e peshës deri në 63 kg për femra. Nga Shqipëria do të ngjitet në pedanë, Romel Begaj, prej së cilës pritet të fitojë medalje në Tel Aviv

Kombëtarja e Shqipërisë

 Kombëtarja shqiptare e peshëngritjes do të përfaqësohet me katër sportistët e saj më të mirë në kampionatin europian për të rritur, i cili zhvillohet nga 3-13 prill në Tel Aviv të Izraelit:  Romela Begaj (pesha 63 kg), Daniel Godelli (pesha 77 kg), Erkand Qerimaj (pesha 77 kg) dhe Ervis Tabaku (pesha 94 kg). Katërshja medaliste kuqezi do të shoqërohet nga trajnerët Zef Kovaçi, Sokol Bishanaku dhe Gazmend Hakcani. Prej disa javësh Begaj dhe Godelli e kryen fazën përgatitore në kryeqytetin helen, ndërsa Qerimaj e Tabaku u stërvitën në Shqipëri në palestrën e ekipeve kombëtare të peshëngritjes në stadiumin “Qemal Stafa”. Europiani është gara e parë e Federatës Shqiptare të Peshëngritjes për vitin 2014.

Datat e garave

Sot, 8 prill

15:30 Romela Begaj 64 kg

18:30 Daniel Godelli        77 kg

18:30 Erkand Qerimaj      77 kg

Të premten, 11 prill

18:30 Ervis Tabaku   94 kg

 Turqia, ekipi më i kompletuar

 Turqia merr pjesë me ekipin më të madh në Kampionatin Europian: 11 meshkuj dhe 12 femra, pra me 22 shtangistë. Turqia ka katër garuese femra në peshën deri në 63 kg ku garon Romela Begaj, ndërkohë që në peshën 77 kg për meshkuj ka vetëm një garues përballë Godellit e Qerimajt. Në peshën 94 kg për meshkuj, pra atë të Tabakut, turqit prezantohen me dy sportistë. Polonia është e dyta me 18 garues (9 meshkuj/9 femra) dhe më pas vjen Ukraina me 16 peshëngritës (7 meshkuj/9 femra). Moldavia ka 12, Spanja 11, ndërkohë që shumë ekipe përfaqësohen edhe me një apo dy sportistë si në rastin e Serbisë. Vendi organizator, Izraeli paraqitet me katër shtangistë, po aq sa Shqipëria.