Grigori Surkis: Ne kujdesemi për futbollin, nuk do lejojmë ndërhyrjen nga palët e treta

660
Nga Agron KAJA
FUTBOLL/ Dje në Tiranë, Zëvendëspresidenti i UEFA-s u takua me krerët të lartë të shtetit shqiptar dhe me Presidentin e FSHF-së, ja mesazhi i tij
Dje, një delegacion i lartë i UEFA-s është takuar në selinë e FSHF-së me Presidentin Armand Duka, së bashku me zyrtarë të tjerë të kësaj federate. Këtë delegacion e kryesonte Zëvendëspresidenti i UEFA-s, Grigoriy Surkis, i shoqëruar edhe nga Thierry Favre’, Drejtori i Zhvillimit të Federatave Kombëtare në UEFA. Zhvillimet me të fundit të procesit zgjedhor të 7 shkurtit, kanë bërë që zyrtarët e lartë nga UEFA të njihen sa më shumë me situatën, por njëherësh edhe të japin mesazhin e plotë dhe të qartë për mos cenimin e standardeve zgjedhore nga palët e treta, referuar gjithmonë statuteve të UEFA-s e FIFA-s. Në këtë takim, zyrtarët e lartë të UEFA-s iu përgjigjën edhe interesit të mediave për prezencën e tyre në Tiranë, në vigjilje të zgjedhjeve. Ata theksuan se principet themelore e statutore të UEFA-s e FIFA-s për procesin zgjedhor janë shumë të rëndësishme, dhe primare. Më parë, delegacioni i UEFA-s zhvilloi një takim edhe në selinë e Kryeministrisë, ku u prit nga Kryeministri Edi Rama.
Ashtu sikundër edhe ishte planifikuar, dje erdhi në Tiranë Zëvendëspresidenti i UEFA-s, Gregori Surkis, i cili nisur nga situata parazgjedhore në FSHF, ka bërë takime me krerët e lartë të shtetit shqiptar, si edhe me Presidentin aktual të FSHF-së, Armand Duka, njëherësh edhe kandidat për këtë post në zgjedhjet e 7 shkurtit. Pas takimit me Dukën, Surkis foli shumë shkurt për mediat, duke lënë gjithçka në nënkuptim të plotë për të gjitha palët. “Delegacioni ynë erdhi në Shqipëri me një mision paqeje, sipas udhëzimeve që kemi marrë nga presidenti i UEFA-s, zoti Ceferin. E dëgjuam njëri-tjetrin dhe kuptuam pozicionet e secilës palë. Qëllimi i vizitës tonë lidhej me shqetësimin, pas sinjalizimeve që kemi marrë së fundi rreth tentativave të palëve të treta për të ndërhyrë në procesin zgjedhor”, theksoi fillimisht në deklarimin e tij për mediat Zëvendëspresidenti i UEFA-s, i cili më pas tregoi edhe interesin e kujdesin për zhvillimin e punimeve të Asamblesë Zgjedhore të FSHF-së më 7 shkurt. “Sa i takon Asamblesë së 7 shkurtit, ne ndamë opinione. Shpresoj dhe besoj se na dëgjuan me kujdes, por përfaqësuesit e FIFA-s dhe UEFA-s do të jenë të pranishëm në këtë Asamble, dhe do të vazhdojmë të mbajmë të njëjtin qëndrim. Nëse zgjedhjet do të zhvillohen demokratike dhe transparente, ne do të përgëzojmë fituesin. Se cili do të fitojë, do ta shohim në përfundim të Asamblesë”. Ajo çka të bën të mendosh më gjerë pas deklaratave të Surkis, ndoshta merr shtysë nga shprehja e tij, se UEFA nuk është hetuese e prokurore, por sipas tij, ajo kujdeset për futbollin. “Ne nuk jemi hetues dhe as prokurorë, jemi institucioni përgjegjës për zhvillimin e futbollit në Evropë”. “Ne kujdesemi për futbollin”, kjo është moto jonë. E kuptojmë që zhvillimi i futbollit nuk është i mundur në asnjë vend pa punën dhe energjitë e autoriteteve shtetërore, përkrah federatave”. Interes për mediat e shumta në këtë deklarim, pati edhe për takimin e Grigori Surkin me Kryeministrin Edi Rama, duke qenë se njëri nga kandidatët për postin e Presidentit të FSHF-së vjen nga radhët e Partia Socialiste, të cilën e kryeson vetë Rama. Nga ana Zëvendëspresidentit të UEFA-s, deklarimi ka qenë, sa i thatë, por edhe nënkuptues mediatikisht, duke thënë se jemi në një proces që vazhdon. “Me Kryeministrin nuk firmosëm asnjë memorandum, por dëgjuam njëri-tjetrin. Besoj se secila palë ka nxjerrë përfundimet e veta, por ne jemi në një proces që vazhdon”. “Këto janë komentet e vetme që mund t’ju jap për momentin, sepse gjithçka do të bëhet hap pas hapi”. Gjithsesi, kjo vizitë e zyrtarit të lartë të UEFA-s duhet të jetë një sinjal i qartë, një mesazh që të bjerë në veshët e duhur, që kanë në kujdes futbollin.
“Delegacioni ynë erdhi në Shqipëri me një mision paqeje, sipas udhëzimeve që kemi marrë nga presidenti i UEFA-s, Ceferin. Qëllimi i vizitës sonë lidhej me shqetësimin, pas sinjalizimeve që kemi marrë së fundmi, rreth tentativave të palëve të treta për të ndërhyrë në procesin zgjedhor”, deklaroi dje Surkin
Kandidatë për 
President në FSHF
1.Armand Duka*
2.Bashkim Fino
3.Shpëtim Hala
Kandidatë për 

Anëtarë KE në FSHF
1. Abdyl Kuriu*
2. Arben Dervishaj*
3. Albert Lenja
4. Aldiona Sylaj
5. Artan Shyti
6. Bardhyl Minxhozi*
7. Bardhyl Jera*
8. Eduard Prodani
9. Edmond Spahiu
10. Edvin Libohova*
11. Ekrem Spahiu
12. Enkeleid Aliabeaj
13. Erald Kapri
14. Eridjan Salianji
15. Ervin Baku
16. Lutfi Nuriu*
17. Kristjan Gjidodaj
18. Gazmend Kadi
19. Genci Gjylshemi
20. Gëzim Podgorica
21. Shkëlqim Muça
22. Theodhori Sollaku
23. Vasil Bici*
*Persona që rikandidojnë
BASHKIAKË E POLITIKANË DELEGATË
KATEGORIA SUPERIORE (3)
FK Kamza/ Xhelal Mziu; Voltana Ademi; FC Lushnja/ Fatos Tushe

KATEGORIA E PARË (12)
GRUPI A (6): KF Egnatia/ Beqir Nuredini; FK Tërbuni/ Gjon Gjonaj; KF Erzeni/ Ardian Kokomani; FC Besa/ Isa Sakja; KS Korabi/ Muharrem Rama; KF Burreli/ Nezir Rizvani
GRUPI B (6): FK Bylis/ Agron Kapllanaj; FK Tomori 1923/ Petrit Sinaj; KF Pogradeci/ Eduard Kapri; Iliria/ Artur Bushi; Shkumbini/ Saimir Hasalla; Naftëtari/ Selfo Kapllanaj

KLUBET E TJERË (17)
FC Gramozi/ Ilia Stefo; FK Këlcyra/ Klement Ndoni; FK Memaliaj/ Durim Roshi; FK Skrapari/ Nesim Spahiu; FK Sukthi/ Albert Muharremi; KF Butrinti/ Floriana Koka; KF Delvina/ Rigers Balili; KF Domsdova/ Miranda Rira; KF Gramshi/ Luljeta Dollani; KF Maliqi/ Gëzim Topçiu; KF Poliçani/ Adriatik Zotkaj; KF Tepelena/ Tërmet Peçi; KS Sopoti/ Kastriot Gurra; KSSH Veleçiku/ Tonin Marinaj; Përmeti/ Niko Shupuli; SHS Albpetrol/ Rajmonda Balili; SK Himara/ Jorgo Goro
Sigal