Gratë janë faktor i progresit, jo vetëm në ditë feste

21
Nga Agron KAJA
FESTIME/ Ja si janë përcjellë festat e 7 dhe 8 Marsit nga tre Mjeshtret e Mëdha: Ela Tase, Liljana Karanxha e Diana Mata
Futbollistët e Partizanit surprizojnë zonjat e klubit, ja si i urojnë për 8 Marsin
“Gëzuar 8 Marsin të gjitha nënave e grave të futbollistëve, të cilat sakrifikojnë për ata që luajnë për të kënaqur sportdashësit!”, shkruan faqja e Partizanit në “Facebook”, duke na sjellë në këtë ditë një atmosferë festive, krejt të veçantë. Stafi dhe lojtarët e Partizanit kanë uruar enkas për festën e 8 Marsit, të gjitha gratë që punojnë në hotelin “Vila Park”, ku akomodohet Partizani. Madje disa nga lojtarët, i kanë takuar ato dhe i kanë uruar për këtë ditë.
Në kalendar, kemi kaluar dy ditë festash, të cilat më shumë lidhen edhe me gratë e vajzat. Pas 7 Marsit, Ditës së mësuesit, dita e 8 Marsit ka pasur një atmosferë të zhurmshme, jo vetëm në Tiranë, ku gratë e vajzat shqiptare kanë festuar Ditën e tyre Ndërkombëtare. E ndërsa në Botë, gratë në këtë ditë, më shumë protestojnë për të drejtat e tyre, në Shqipëri, në pjesën më të madhe gratë “protestojnë” nëpër lokale, duke treguar se kjo është një ditë e lirisë së tyre! Në këtë situatë, gazeta “Telegraf” e ka ndarë emocionin e festës së 8 Marsit, me tre sportiste shqiptare, sot Mjeshtre të Mëdha, ish-volejbollisten Ela Tase, ish-atleten Liljana Karanxha dhe ish-qitësen Djana Mata. Ja si iu përgjigjën tre Mjeshtret e sportit tonë, tre pyetjeve të gazetës, lidhur me festat e 7 dhe 8 Marsit. 
Ela Tase: Në këto festa, të tregojmë një familje dhe shoqëri të shëndoshë

Si është festuar dita e 8 Marsit nga një ish-kampione të madhe në volejbollin shqiptar?
Fakti që ndjehem e vlerësuar në familjen time, dhe në shoqëri, më bën më optimiste për çka ju kam dhënë atyre, dhe për çka kam mundësi që t’i jap progresit. Në jetën tonë, ditë të bukura dhe të mira ka gjatë gjithë vitit, ndërsa në 8 Mars, çdo femër duhet të tregojë se në kulturën e saj, në qytetarinë e saj, ajo ka prioritet kontributin në zhvillimin shoqërisë sonë. Një ditë e bukur nuk është gjithçka, për një familje dhe një shoqëri të shëndoshë.

Juve jeni edhe një mësuese, ju sjellin bashkim emocionesh festat e 7 dhe 8 Marsit?
Duke qenë njëra pas tjetrës, datat 7 dhe 8 Mars nuk përbëjnë ndonjë të veçantë, që unë të ndjehem; nënë e gjyshe vetëm në këto ditë. Sepse në këto ditë, duhet që ne femrat, nëna e mësuese, të sillemi ndryshe në kërkim të të drejtave tona, në gjetjen e rrugëve e mundësive që në familje, në arsim e në shoqërinë tonë, të jemi kontribuese të progresit.

A kini një mesazh për brezat e vajzave e nënave që do t’ju pasojnë në jetë, familje e shoqëri? Cili është ai?
Natyrisht që po. Puna këmbëngulëse në çdo fushë të jetës; në sport, në arsim dhe familje. E sigurisht na duhet që, të gjitha së bashku të kontribuojmë njësoj, si në familje dhe në shoqëri. Ne si femra duhet të punojmë që të jemi faktor vendimtar i zhvillimit e progresit të shoqërisë shqiptare. Të jesh femër është dhuratë nga Zoti, dhe atij ne duhet t’i falemi me më shumë të mira në punë e në jetë.
Liljana Karanxha: 7 dhe 8 Marsi, ditë të përgjegjësisë në familje e shoqëri

Si është festuar dita e 8 Marsit nga një ish-kampione të madhe në atletikën shqiptare?
Varet se si e percepton gjithkush këtë ditë, ndërsa unë e quaj një ditë të veçantë, ku të gjitha ne femrat duhet të bëhemi më të përgjegjshme për rolin tonë në familje e në shoqëri. Festë nuk mund të quhet vetëm vajtja në një ambient ndryshe nga familja apo puna, sepse kështu e ndajmë veten nga gjithë-përfshirja e kësaj dite. Unë sot (dje) jam me familjen time.

Duke qenë edhe një mësuese, ju sjellin bashkim emocionesh festat e 7 dhe 8 Marsit?
Në traditën tonë, një tufë lule për mësuesit ka qenë shumë e bukur. Ndërsa sot ka marrë përmasa të tjera, por personalisht, unë ndjehem e respektuar kur gjithçka që u mësoj nxënësve e studentëve, ata e vënë në shërbim të zhvillimit të shoqërisë sonë. Nuk ndjehem në presion, por ndjehem e respektuar si të gjitha nënat, gjyshet e mësueset e tjera.

E keni një mesazh për brezat e vajzave e nënave që do t’ju pasojnë në jetë, familje e shoqëri?
Natyrisht që po. Pasioni dhe puna të shpërblejnë në punë, sport dhe jetë. Pikërisht në këtë drejtim na duhet ne grave, të gjitha së bashku të punojmë për të arritur suksesin, si në familje dhe në shoqëri. Jo më kot në gjithë botën femrat janë faktor vendimtar i zhvillimit e progresit. E njëjta gjë edhe në shoqërinë shqiptare. Edhe unë mendoj se të jesh femër është dhuratë nga Zoti, dhe atij ne duhet t’i falemi me më shumë të mira, në punë e në jetë.
Diana Mata: Festat e 7 dhe 8 Marsit, ditë të qytetërimit për shoqërinë tonë

Për ju një ish-kampione e madhe në qitjen shqiptare, si e kini festuar dita e 8 Marsit?
Mendoj që 8 Marsi është dita kur gruaja i tregon shoqërisë se ajo mund të menaxhojë, mund të drejtojë, projektojë e udhëheqë po aq mirë, sa ç’di të sjellë në jetë fëmijë e të krijojë familje. Kështu që respekti ndaj femrës nuk duhet vetëm në 8 Mars, por në çdo ditë të vitit. Kjo do të thotë, qytetërim për gjithë shoqërinë tonë.

Jeni trajnere dhe mësuese, ju sjellin bashkim emocionesh festat e 7 dhe 8 Marsit?
Natyrisht që po, sepse vlerat e femrës në shoqërinë e civilizuar, nuk evidentohen vetëm në 7 apo 8 Mars. Ndoshta në këto ditë, më shumë ke mundësi që të shohësh se ku je me atë çka i ke dhënë familjes e shoqërisë gjatë gjithë vitit. Për një trajnere, nënë e gjyshe, këto ditë na sjellin edhe kujtime të jetës e karrierës, por edhe na japin më shumë forcë për të kapërcyer çdo vështirësi të jetës.

Cili është mesazhi juaj për brezat e vajzave e nënave që do t’ju pasojnë në jetë, familje e shoqëri?
Të gjitha sportisteve dhe, në veçanti qitëseve, do tu thosha që të mos ndalen në kontributin e tyre për ta çuar më përpara sportin shqiptar. Qitja është sport elitar dhe kërkon më shumë vullnet edhe nga femrat, që ato të bëjnë më të mirën në vazhdimësinë e sukseseve. Shqipëria ka një traditë të bukur në këtë sport, e këtë femrat sot duhet ta çojnë më përpara.