Goleadat e bujshme të kampionatit

488
Sigal

Ndeshja me më shumë gola e këtij sezoni është ajo Tirana-Flamurtari 3-6, në “Selman Stërmasi”

 Fitorja 6-1 e Kukësit ndaj Flamurtarit është njëherësh dhe rezultati më i thellë në këtë kampionat. Gjithsesi, ky sezon ka pasur disa rezultatet të thella apo ndeshje me numër të madh golash, kur rekordin e mban Tirana-Flamurtari 3-6, java e 19-të, pra 9 gola në 90 minuta. Deri tani janë regjistruar disa fitore me rezultat të thellë: Kukësi-Flamurtari 6-1 (java 24), Kukësi-Shkumbini 5-1 (java 20), Bylis-Tomori 4-1 (java 22), Tomori-Kukësi 2-5 (java 19), Tirana-Flamurtari (3-6, java 19), Flamurtari-Tomori 5-2 (java 16), Laçi-Tomori 4-3 (java 10). Barazimi me më shumë gola është ai 3-3 midis Vllaznisë dhe Flamurtarit (java 12). Sa për statistikë, sezonin e kaluar u arritën këto fitore të thella: Bylis-Shkumbini 5-2 (java 1); Kastrioti-Pogradeci 4-0 (java 1); Shkumbini-Tomori 6-2 (java 4); Apolonia-Vllaznia 1-4 (java 9); Apolonia-Skënderbeu 1-5 (java 12); Flamurtari-Shkumbini 5-0 (java 12), Tomori-Skënderbeu (2-4, java 14); Tomori-Kamza 4-1 (java 19) dhe Flamurtari-Dinamo 5-0 (java 24). Vetëm 54 për qind e 168 ndeshjeve të zhvilluar deri në javën e 24-t janë fituar nga ekipet vendase, ose 91 të tilla (teksa një sezon më parë ishin fiksuar shifrat 57 për qind dhe 95 fitore të vendaseve). Ekipet mike kanë fituar 21% të takimeve (ose 36 ndeshje) dhe 24% kanë dalë barazim, ose 40 ndeshje. Deri tani, në 24 javët e luajtura janë shënuar 394 gola (ky tregues sezoni e kaluar ishte 407, pra 13 më shumë), ku 250 janë shënuar nga ekipet vendase dhe 144 gola nga ekipet mike.

STATISTIKAT E 24 JAVËVE

Sezoni 2011-2012

Ndeshje në total                182

Ndeshje të luajtura:       168

Ndeshje të mbetura:        14

Fitore ekipet vendase:     95

Barazime:                  35

Fitore ekipet mike:        36

Gola në total:             407

Gola ekipet vendase:       253

Gola ekipet mike:          154

STATISTIKAT E 24 JAVËVE

Sezoni 2012-2013

Ndeshje në total                182

Ndeshje të luajtura:       168

Ndeshje të mbetura:        14

Fitore ekipet vendase:     91

Barazime:                  40

Fitore ekipet mike:        36

Gola në total:             394

Gola ekipet vendase:       250

Gola ekipet mike:          144

Java e 19-të, rekordmenia e golave

 Java e 19-të e këtij sezoni do ta mbahet mend si, më prodhimtarja e këtij kampionati. U realizuan në total 26 gola, ku spikasin nëntë gola në Tirana-Flamurtari 3-6 dhe shtatë gola në Tomori-Kukësi 2-5. Flamurtari është ekipi që ka shënuar më shumë në një ndeshje të vetme në transfertë, 6 gola, ndërsa Kukësi është ekipi që ka shënuar më shumë gola në shtëpi në një ndeshje të vetme, po 6. Flamurtari është ekipi më sulmin më të mirë në kampionat, 46 gola, i ndjekur nga Kukësi me 42. Kampioni Skënderbeu ka realizuar 39 gola. Golashënuesi më i mirë është Migen Memellli i Flamurtarit, me 19 gola, gjashtë më shumë se sulmuesi serb i Kukësit, Lazar Popoviç, 13.

NDESHJET

Tomori-Kukësi        2-5

Besa-Luftëtari       2-0

Bylis-Apolonia       3-0

Laçi-Vllaznia        2-1

Shkumbini-Skënderbeu 0-1

Tirana-Flamurtari    3-6

Teuta-Kastrioti      1-0

 Kukësi, “kampion” i fazës së dytë

 Në përfundim të fazës së parë, Kukësi ndodhej në vendin e pestë me 21 pikë, po aq sa Bylisi i vendit të katërt. Skënderbeu udhëhiqte kampionatin me 33 pikë, i ndjekur nga Teuta (23) dhe Tirana (22). Flamurtari ndodhej në vendin e shtatë me 19 pikë.

Tani pas 24 javësh, renditja është kjo: Skënderbeu 53 pikë, Kukësi 46, Teuta 45, Flamurtari 42. Duke bërë një llogari të thjeshtë, konstatojmë se Kukësi është ekipi që ka grumbulluar më shumë pikë në 11 javët e deritanishme të fazës së dytë: 25 pikë, kundrejt 23 pikëve të Flamurtarit, 22 pikëve të Teutës dhe 20 pikëve të Skënderbeut! Kuksianët kanë regjistruar në fazën e dytë: 8 fitore, 1 barazim dhe 2 humbje, si dhe kanë shënuar 27 gola dhe kanë pësuar 12 gola.

 Fiton Empoli i Hysajt

 Empoli i Elseid Hysajt siguroi një vend për në “play-off”, për të ngjitur në Serinë A, pas fitores 1-0 ndaj Cezenës. Golin e fitores e shënoi Tavano me penallti në minutën e 31-të. Cezena e mbylli me nëntë lojtarë pas ndëshkimit me karton të kuq të Voltës dhe Granokes. Empoli ndodhet në vendin e 5-të me 66 pikë pas 29 javësh.

Vetëm pak ndeshje tërheqin shikues, pjesa më e madhe luhet në impiante bosh, shpesh edhe me 100 tifozë

 Kriza e stadiumeve!

 Kur kampioni Skënderbeu mbërriti në kryeqytet, për të luajtur ndaj Tiranës, në të vetmen ndeshje në “Qemal Stafa”, në impiantin ndërkombëtar prej 15 900 vendesh nuk ishin më shumë se 3000 veta. Në fakt, futbolli shqiptar prej disa vitesh po tërheq gjithmonë e më pak shikues në stadium, ndërkohë impiantet ndihen gjithmonë e më të braktisura. Disa kryendeshje, sidomos ato që luhen në Korçë, Kukës apo Vlorë, tërheqin shikues, por janë shumë të tjera që thuajse zhvillohen me tribunat përkarshi krejtësisht të zbrazëta. Edhe pse disa ndeshje janë luajtur të premte, apo dhe të hënë’ në orë të vona dhe nën ndriçimin e projektorëve, sërsih nuk kanë tërhequr në mënyrë masive “Lojtarin e 12-të”. Gjithsesi në disa takime adrenalina e tifozëve ka qenë e nxehtë, pavarësisht numri të tyre në stadium. Janë një mori arsyesh objektive dhe subjektive, duke filluar nga cilësia futbollistike, mungesa e yjeve, argumentet sociale apo dhe deri te lëshimi i ndeshjeve. Por, dhe në sfidat derbi, atje ku adrenalina e “ultrasve” arrin kulmin, numri i tifozëve është i pakët, ku ndeshja më ndjekur mund të ketë jo më shumë se 5 mijë shikues. Fenomeni është shqetësues dhe në një farë mënyre ndikon edhe në resurset financiare të klubeve, të cilat kështu bëhen të varura ose nga fondet bashkiake, në rastet kur Bashkia është pronare 100 për qind e aksioneve, apo nga buxheti individual i presidentëve-donatorë. Të paktën, nga këndvështrim i klubit si një biznes, prej të cilit natyrshëm priten edhe fitime, por asnjëherë ekipet nuk i kanë paguar lojtarët e tyre me të ardhurat që ata krijojnë direkt apo indirekt. Ka pasur raste që, të ardhurat vjetore nga biletat nuk kanë mundur të shlyejnë dot pagesën e kontratës të një futbollisti cilësor. 14 stadiumet e Superligës shqiptare, pa bërë dallim në Tiranë, Korçë, Fier, Shkodër, Vlorë, Durrës, apo Berat (janë qytetet më të mëdha të vendit), thuajse kanë qenë të boshatisur, duke krijuar një klimë aspak futbolldashëse. Transmetimet televizive të thuajse të gjitha ndeshjeve, kanë pasur efektin negativ, aq sa duket se më shumë e ndjekin ndeshjen përmes rrjeteve sociale sesa direkt në stadium.

 “QEMAL STAFA” – Mburrja e futbollit shqiptar, atje ku janë zhvilluar mbi 100 ndeshje të Kombëtares dhe disa dhjetra të ekipeve tona në kompeticionet europiane (Partizani, Tirana, Dinamo, por dhe të Durrësit, Besës, Albepetrolit, Vllaznisë, etj.) është në mjerim të plotë. Dhe e tillë është dhe atmosfera kur luan Tirana, apo dhe Partizani dhe Dinamo, që tani ndodhen në Kategorinë e Dytë. Gjithsesi, ndeshja me më shumë shikues në këtë sezon rezulton ajo midis Partizanit dhe Tiranës, për Kupën e Shqipërisë, kur ishin të pranishëm mbi 7000 shikues. Ky është dhe rekordi i shikueshmërisë për këtë sezon. Më pak shikues në “Qemal Stafa” ka pasur në ndeshjen me Apoloninë, vetëm 300 spektatorë, aq sa dukej se kishte më shumë policë në stadium.

 “LORO BORIÇI” – Është konsideruar si stadiumi ku ia vlen të luash futboll, kjo dhe për shkak të tifozerisë së kulturuar, por dhe të shumtë në numër. Gjithsesi, gjatë këtij sezoni ndeshjet e Vllaznisë janë ndjekur ndoshta në minimumin e tyre, me përjashtim të dy-tri ndeshjeve, por gjithsesi në shifra të mjeruara, boll të kujtojmë se impianti shkodran mban më shumë se 14 mijë shikues. Kriza e spektatorit reflektoi edhe në ndeshjen me Teutën, një takim shumë intrigues nga pozitat dhe qëllimet e ekipeve. Ndeshja me më shumë shikues është ajo Vllaznia-Kukësi, me gati 5 mijë shikues, që e kaloi edhe atë Vllaznia-Skënderbeu e javës së parë, 4 mijë shikues. Braktisja e tifozëve lidhet ngushtëisht me rezultatet e skuadrës.

 “SKËNDERBEU” –  Stadiumi i kampionëve të vendit, edhe pse vlerësohet si më moderni dhe më i kompletuari në Shqipëri, këtë sezon tërheq më pak shikues, se dy edicione më parë. Statistikat ofrojnë këto shifra: Skënderbeu-Flamurtari (7500), Skënderbeu-Tirana (6000), Skënderbeu-Teuta (4500) dhe Skënderbeu-Kukësi (3000). Edhe në ndeshjen e vlefshme për Ligën e Kampioneve, ajo kundër Debrecenit, shifra nuk ka qenë e kënaqshme. Sipas burimeve të UEFA-s, kanë qenë të pranishëm në stadium rreth 4500 shikues. Në fakt, stadiumi është komod, ndërkohë që skuadra ka qenë në krye të kampionatit, pavarësisht ndonjë oshilacioni në performancë. Ndeshja më me pak shikues në “Skënderbeu” është ajo kundër Shkumbinit, vetëm 1500 shikues.

 “FLAMURTARI” – Herë shumë i nxehtë, herë tepër i ftohtë. Kjo e kondicionuar nga rezultatet dhe ecuria e skuadrës vlonjate. Kjo fundjavë ofron supersfidën me Skënderbeun, rivalin e madh të viteve të fundit. Në ndeshjen e para dy sezoneve, stadiumi thuajse ishte i mbushur, ndërkohë që fundndeshja rezultoi me shkatërrime stolash dhe dhunë ndaj korçarëve. Gjatë këtij viti, ndeshja me më shumë shikues është ajo kundër Teutës për kampionat (5000), Kukësit për kampionat (rreth 3000) dhe ajo kundër Teutës për Kupë (3000) ajo kundër Tiranës (dicka më shumë se 2500 veta). Më pak tifozë ka pasur në Flamurtari-Shkumbini (rreth 1000).

 “ZEQIR YMERI” – Stadiumi i Kukësit u ndërtua në një kohë rekord, në harkun e dy-tre muajve, pas ngjitjes së skuadrës në Superligë, kjo si detyrim për të plotësuar kushtet e licencimit nga ana e Federatës Shqiptare të Futbollit. Një stadium simpatik, për një skuadër simpatike, që për momentin ndodhet në vendin e dytë në kampionat dhe në gjysmëfinalet e Kupës. Ndeshjet e Kukësit ndiqen gjerësisht nga mijëra tifozë kosovarë. Kapaciteti i “Zeqir Ymerit” është 4000 shikues dhe në të shumtën e rasteve ai është i mbushur në rreth 90% të kapacitetit. Ndeshja kulmore kanë qenë disa, si ato me Tiranën dhe Vllazninë, por të gjithë në Kukës besojnë se rekordi do të vendoset në ndeshjen me Skënderbeun, njëherësh edhe e fundit e sezonit, që ndoshta mund të jetë dhe e shoqëruar me pjesëmarrjen e Kukësit në Ligën e Europës.