Gola “Made in Afrika” në Ballsh, në Shkodër vendos një korçar

480
Sigal

Nigeriani Izucuku shkatërron Laçin. Kukësi vazhdon serinë pozitive, krutanët nuk e falin Besën

Skënderbeu vazhdon të dominojë bindshëm kampionatin shqiptar, me 20 pikë nga tetë ndeshjet e para, por pas tij nuk renditen më as Besa dhe as Tirana, por Vllaznia. Korçarët fituan të shtunën 2-0 me Tiranën, ndërkohë që shkodranët fituan dje 1-0 me Shkumbinin, me golin e korçarit Osmani. Gjithsesi, është Kukësi debutues, ekipi surprizë i këtij edicioni, pasi nuk njohin humbje në tetë javët e para, duke koleksionuar 2 fitore dhe 6 barazime. Ekipi tjetër që nuk ka pësuar humbje deri tani është lideri i kampionatit, Skënderbeu. Kampionët në fuqi kanë regjistruar 6 fitore dhe 2 barazime

VLLAZNIA-SHKUMBINI 1-0

Falë një goli të realizuar nga mbrojtësi Tefik Osmani në minutën e 6-të, Vllaznia mori një trepikësh shumë të çmuar, me shkodranët që pozicionohen në vendin e dytë me 15 pikë, pesë më pak se Skënderbeu kryesuese (20), pas ndeshjeve të javë së 8-të të Kategorisë Superiore. Mjaftoi vetëm një gol në “Loro Boriçi”, ndërkohë që Shkumbini, që kishte fituar po 1-0 me Vllazninë, por për Kupën e Shqipërisë, regjistroi humbjen e katërt në tetë ndeshje, duke u renditur tani në zonën e ftohtë, vendin e 12-të.

KASTRIOTI-BESA 2-0

Nisi me gol ndeshja në Krujë, qysh në minutën e dytë. Fataki fut një diagonale nga e djathta e sulmit të vet drejt kahut tjetër, në të majtë të zonës kavajase, aty largon paksa rrezikun një mbrojtës mik, por topi shkon te këmbët e Semiramin Çelës, që shkund trekëndëshin e portierit Alban Hoxha. 1-0 për vendësit që në minutën e dytë. Në minutën e 35-të, kur Cela bën gjithçka bukur, derisa jep një pasim të artë për Gocajn. Shkodrani godet rreptë e saktë, duke ndëshkuar për herë të dytë portën e Alban Hoxhës. Besa e sheh veten në disavantazh të dyfishtë brenda 45 minutave të para.

KUKËSI-TEUTA 1-1

Edhe pse shënpi i pari, me anë të një penalltie të realizuar nga Igli Allmuça (prekje me dorë e Arjan Shetës), Kukësi nuk mundi të shkonte më shumë se barazimi 1-1 me Teutën, nënkampionen e vendit. Golin e barazimit për durrsakët e realizoi Ansi Nika, në minutën e dytë shtesë të pjesë së parë. Në minutën e 80-të vendësit mund të ishin ndëshkuar më keq, nëse sulmuesi i Teutës, Daniel Xhafaj, do të finalizonte atë rast ideal, që u shpërdorua në këmbët e tij përballë Halilajt. Të njëjtën gjë bëri edhe Mziu pesë minuta nga fundi i sfidës, që nuk e preku dot rrjetën e Rizvanit, edhe pse ka tërë komoditetin e duhur për ta bërë këtë.

BYLIS-LAÇI 4-0

Solomon Izuçukuka. Ky është heroi i Bylisit. Nigeriani shënoi dy gola në fitoren 4-0 të ballshiotëve ndaj Laçit, pikërisht në debutimin e trajnerit të kurbinasve, Ramadan Shehut. Një sukses i merituar i djemve të Agim Canajt, që e dominuan plotësisht ndeshjen nga minuta e parë dhe deri të fërshëllima e fundit e gjyqtarit Jubica. Për Bylisin kjo ishte fitorja e tretë rresht, pas atyre me Apoloninë (0-1, në Fier) dhe Luftëtarin (2-0, në Ballsh). Gardiani kurbinas u dorëzua para Izuçukut, me nigerianin që shënoi në minutën e 24-t. Tri minuta nga fillimi i pjesë së dytë, 23-vjeçari Izuçuku shndërroi në gol një pasim të Maringlen Shoshit. Ish-mesfushori i Tiranës dhe i Kombëtares, Jetmir Sefa, shënoi një gol manual nga goditja e dënimit në minutën e 70-të, duke e mbyllur praktikisht ndeshjen. Në minutën e 77-të, penalltia e realizuar nga Izuçuku, vulosi pokerin e Bylisit.