Gola “alla Mesi”, Meha fundos Këlnin

451
Sigal

Mesfushori i Padebornit dhe i Kombëtares shqiptare realizoi golin më një goditje të lirë

Një supergol i Alban Mehës, i realizuar nga goditja e lirë i dhuroi fitoren e çmuar Padebornit të tij, në transfertë e fituar 1-0 ndaj Këlnit, kryesuesit të Bundesligës 2 në Gjermani. Mesfushori i Kombëtares shqiptare ishte ndër lojtarët më të mirë në fushë, teksa zëvendësimi i tij taktik në minutën e 90-të u prit me duartrokitje. Meha realizoi në minutën e 47-të. Për të ky ishte goli i tij i 5-të në 12 ndeshje. Mitrovicari është një nga lojtarët më të rëndësishëm të Padebornit. 27-vjeçari konsiderohet në Gjermani si një specialist i goditjeve standarde. Meha ishte një rrezik konstant për Këlnin, teksa rrezikoi edhe në minutën e 44-t me një goditje të lirë, që u prit me vështirësi nga portieri Horn i Këlnit. Goli i Padebornit erdhi menjëherë pas fillimit të pjesës së dytë. Meha ekzekutoi në mënyrë të mrekullueshme një goditje dënimi, përballë një muri prej dy lojtarësh të Këlnit, duke mos i dhënë asnjë shans Hornit, me topin që përfundoi në këndin e majtë të portës. Gjatë këtij sezoni, Meha ka shënuar kundër FSV Frankfurtit (të Kapllanit dhe Roshit), Sandahauzenit (2), Aalenit (1) dhe tani Këlnit (1). Një lajm i mirë ky edhe për trajnerin e Kombëtares, Xhani De Biazi, i cili do ta ketë në dispozicion për ndeshjen miqësore të 5 marsit kundër Maltës në “Niko Dovana”. Në ndeshjen e ardhshme, Padeborni do të luajë në shtëpi kundër Arminias së Bielefeldit. Përsa u përket legjionarëve të tjerë shqiptarë, të shtunën Ledian Memushaj ka shënuar me penallti në minutën e 89-të në Karpi- Specia 1-1, duke i dhënë një pikë të rëndësishme skuadrës së tij. Mesfushori kuqezi luajti si titullar, duke bërë një tjetër paraqitje mbresëlënëse, pavarësisht se Karpi nuk mori pikë të plota. Sakaq, ka qenë një pasdite jo shumë pozitive, sidomos në aspektin personal, për lojtarët shqiptarë që aktivizohen në Serinë B në Itali. Ujkani ka qenë në bankinë në fitoren 1-0 të Palermos ndaj Padovas. Po ashtu edhe Çani s’ka luajtur në fitoren e Barit 2-1 me Sienën. Ndërkohë, në Greqi është kthyer në mënyrën më të mirë tek Arisi i Selanikut edhe Kristi Vangjeli. Mbrojtësi shqiptar ka qenë titullar në barazimin pa gola në transfertë ndaj Panaitolikos, por ajo që ra më tepër në sy ishte fakti që ai mbajti në krah edhe shiritin e kapitenit. Vangjeli firmosi për selanikasit në merkaton e janarit, pas një aventure te Çernomorets Odesa në Ukrainë. Arisi gjendet në një pozicion kritik në renditje, teksa mban vendin e fundit me vetëm 14 pikë, pesë më pak sesa Veria e vendit të parafundit dhe tetë më pak sesa Platanis, skuadër kjo që sipas renditjes së tanishme mund të shkojë në “play-out”. Sot, në Izrael do të debutojë Hamdi Salihi me fanellën e Hapoel Ako, në ndeshjen kundër Hapoel Tel-Avivit, me të cilin aktivizohet kosovari me pasaportë kroate, Besart Abdurahimi.

Golat e Mehës

Këln-Padeborn 0-1 (1)

Aalen-Padeborn 2-4 (2)

Sandahuzen-Padeborn 3-2 (1)

Padeborn-FSV Frankfurt 4-2 (1)

Sadiku në stol ndaj St.Galenit

 Sulmuesi Armando Sadiku e shijoi nga stoli fitoren 2-0 të Zyrihut të tij ndaj St.Galenit, në javën e 20-të të kampionatit zviceran. Elbasanasi u transferua gjatë merkatos së janarit të Zyrihut. Te St.Galeni u aktivizua lojtari tjetër i Kombëtares shqiptare, Emir Lenjani. St.Galen e mbylli ndeshjen me dhjetë lojtarë.

  Sherr midis shqiptarëve dhe serbëve

 Skuadra shqiptare nga Maqedonia, Renova e Xhepçishtit dhe ajo e Boracit të Çaçakut të Serbisë nuk e kanë përfunduar ndeshjen e tyre miqësore. Lajmi raportohet nga mediat shqiptare në Maqedoni. Incidenti i madh ndodhi në Ohër, në ndeshjen miqësore ndërmjet Renovës dhe serbëve të Borac Çaçakut, e cila ishte ndërprerë vetëm pas 20 minutave lojë, dhe pranë rezultatin 1-0 për skuadrën serbe. Deri te ndërprerja e lojës ka ardhur pas një starti të ashpër të një lojtari serb në futbollistin e Renovës, Visar Musliu. Pastaj aty për t’i ndarë kishte shkuar kapiteni i Renovës, Fisnik Nuhiu, i cili është goditur nga mbrapa nga një lojtar tjetër serbë dhe këtu nis rrëmuja e madhe.

Pas kësaj janë vërsulur lojtarët tjerë të Renovës të cilët kanë grushtuar disa nga futbollistët serb dhe në atë tollovi më shumë kanë pësuar futbollistët e Boracit. Incidentin e konfirmoi edhe trajneri i Renovës, Qatip Osmani. “Po, pati incident. Dhe, atë e nisën lojtarët e Boracit, të cilët pa nevojë startuan në Musliun dhe pastaj edhe në Nuhiun, që më pas për të filluar tollovia, e cila zgjati 10 minuta. Në atë rrëmujë edhe ne i goditëm ata, por më shumë në vetëmbrojtje”, tha trajneri Osmani. Të hënën, Renova kthehet në Tetovë, duke mbyllur kështu fazën përgatitore në Ohër

 Portieri i Kombëtares sonë është sërish shpëtimtari i Lacios. Kosovari i mohoi golin Totit

 Berisha i kyç portën Romës

 Etrit Berisha bëri një tjetër paraqitje të madh në derbin Lacio-Roma. Portieri i Lacios dhe i Kombëtares shqiptare, i preferuar sërish nga trajneri Edi Reja në vend të titullarit Federiko Marketi, ia doli ta ruajë portën të paprekur, pavarësisht përpjekjeve të Françesko Totit me shokë. Ndeshja në “Olimpiko” ishte e një niveli të lartë. I vetmi çast pasigurie i Berishës, nëse mund ta quajmë kështu, ishte momenti i gjuajtjes nga Maikon, me kosovari që e grushtoi shkurt topin, ndërkohë që Gervinjo shënoi, por i ndodhur në një pozicion milimetrik jashtë loje në minutën e 24-t. Në minutën e 29-të, Berisha bllokoi një gjuajtje të Françesko Totit, ashtu siç devijoi në goditje këndi një gjuajtje të Gervinjos në minutën e 59-të.  Në të 37’, Gervinjo përpiqet të bëjë heroin kur merr përsipër një aksion personal por goditja e tij thjesht sa përkëdhel duart e portierit shqiptar. Ritmi nuk ndryshon as në pjesën e dytë, ku janë verdhekuqtë që kanë më shumë iniciativën. Gervinho bëhet burim frymëzimit për të tijtë në minutën e 51-të, kur godet portën nga një pozicion i prirët, por përpara gjen sërish atë, Etrit Berishën. Dy minuta më pas karrikon goditjen dhe Pjaniç, me topin që kalon ngjitur me shtyllën e lacialëve. Edi Reja para ndeshjes kishte deklaruar se Lazio ka dy rezultate në tre në favor, dhe arsyeja u kuptua teksa bardhëkaltërit u mbyllën fortë mbrapa duke mos lejuar asgjë për Romën për minuta të tëra. Në të 81’ madje, pas një topi të larguar nga Berisha, Onazi pati në këmbë kundërsulmin e fitores, por shpërdoroi pasimin final për Klosen. Në të 85’ Roma dha përgjigjen e saj me Bastos, por goditja e tij u devijua në këndore. Deri në fund nuk ndodhi më asgjë, me Romën dhe Lacion që ndan nga një pikë mes tyre, e cila duket se i bën punë të dyjave, duke pasur parasysh dhe pozitat e tyre në klasifikim. Një tjetër paraqitje e mirë e Etrit Berishës. Portieri shqiptar u vlerësua me notën 6,5. “Jemi të qetë, me ose pa Marketin. Tashmë është e qartë. Shqiptari e ka fituar portën. Në vitin 2014 shtyllat janë bërë pronë e tij. Nuk ishte aq i përkryer në gjuajtjen e Maikonit, mendoi anësori për të anuluar golin e Gervinjos. Disa minuta më pas u tregua i zoti për të bllokuar gjuajtjen në formë veleji të Totit nga 20 metra”, shkruhej në komentin e faqes Lalaciosiamonoi.it. Lorik Cana qëndroi në bankinë në këtë takim, ashtu sikundër ishte dhe portieri i ri shqiptar Thoma Strakosha. Për të theksuar është fakti se, pas shtatë vjetësh përfundon pa gola një derbi midis Lacios e Romës.