Goglat afrojnë Beogradin, por Skënderbeu vjen në version klubesh

505
Nga Agron KAJA
SHORTI EVROPA LIGË/ Grupi B i vështirë dhe kalendar “transfertë” për korçarët, fati i kthen në vendin e dronit të “Ballist” Morinës
Nuk do të luajmë në Beograd si tri vite më parë, madje nuk do të kemi as djalin e “dronit” që shkaktoi trazirat, pasi ai tashmë po e paguan atë fluturim të “paligjshëm” që i bëri “balonës” në stadiumin e Partizanit të Beogradit më 14 tetor 2014. Por, do të kemi një Skënderbe, i cili përpos madhështisë së emrit, do të jetë në kryeqytetin serb jo vetëm për sfidë sportive, por edhe për të treguar se shqiptaria ka shumë vlera edhe në vendin e nacionalizmit albanofob. Dhe Serbia tashmë ofrohet në version klubesh, ndërkohë që kalendari nis dhe mbyllet me transfertë për skuadrën korçare, pasi goglat e hedhura dje në Monako, e kanë vendosur Skënderbeun në Grupin B, së bashku me Dinamon e Kievit, Partizanin e Beogradit dhe Jang Boys të Zvicrës. Parë në këndvështrimin sportiv, skuadra korçare ka pak diferenca inferiore ndaj kundërshtarëve, ku, si ukrainasit dhe serbët, kanë provuar edhe majat e ligave të Evropës. Ndërsa në një këndvështrim të panevojshëm, por që është real për marrëdhëniet nacionaliste Serbi-Shqipëri, Skënderbeun e pret një vizitë e ndezur në Beograd. Shorti i hedhur dje në Monako, e ka caktuar skuadrën korçare në Grupin B të Ligës së Evropës, me kundërshtarë Dinamon e Kievit të Ukrainës, Jang Bojz të Zvicrës dhe Partizan Beograd të Serbisë. Me të gjitha këto skuadra, Skënderbeu ndeshet për herë të parë në historinë e tij, madje edhe dy herët e kaluara kur luajti në fazën e grupeve. Nëse në Ukrainë dhe në Zvicër do të luajë si i barabartë emocionalisht, në Serbi do ti duhet që të ketë ngarkesë të dyfishtë, sepse droni dhe flamuri “Autoktonus” ende ka lënë “plagë të vjetra” te albanofobët ultranacionalistë serbë. Ndërkohë, në këtë Ligë luajnë gjatë këtij sezoni edhe disa futbollistë të Kombëtares sonë, por me klubet e tyre. Dy portierët, Berisha i Atalantës dhe Strakosha i Lacios, do të jenë protagonistë në skuadrat e tyre, për të lënë gjurmë shqiptare në këtë kompeticion të madh në futbollin evropian. Milani në Grupin D dhe Arsenali në Grupin H, janë dy nga skuadrat më të madha në Evropë, të cilat do të sfidohen në këtë raund të grupeve, ndërsa në të gjithë grupet e tjerë, diferencat nuk duken shumë të mëdha, përpos të papriturave që janë pjesë e pa ndarë e lojës së futbollit. Ndeshjet në grupet e Evropa Ligë nisin më 14 shtator dhe përfundojnë më 7 dhjetor 2017, duke luajtur çdo skuadër gjashtë ndeshje, me sistem vajtje-ardhje me të tre kundërshtarët në grup. Dy të parat e çdo grupi, vazhdojnë për fazën tjetër.
SHORTI EVROPA LIGË
SEZONI 2017-2018
GRUPI A
Vijareal, Slavia Pragë, 
Makabi Tel-Aviv, Astana

GRUPI B
Dinamo K. Skënderbeu, 
Partizan B, Jang Boys 

GRUPI C
Sporting B, Ludogorets, 
Hofenhajm, Bashakshehir

GRUPI D
Milan, Austria Vjenë, 
Rijeka, AEK Athinë

GRUPI E
Olimpik Lion, Everton, 
Atalanta, Apollon Limasol

GRUPI F
Kopenhagë, Lokomotiv M, 
Sherif Tiraspol, Zhilin

GRUPI G
Viktoria Plzen, Steaua B, 
Hapoel B. Sheva, Lugano

GRUPI H
Arsenal, BATE, 
Këln, Crvena Zvezda

GRUPI I
Salcburg, Ol. Marsejë, 
Vitoria Gim, Koniaspor

GRUPI J
Atletik Bilbao, Zoria, 
Ostersunds, Herta Berlin 

GRUPI K
Lacio, Nicë, Vitese, 
Zylte Varegem

GRUPI L
Zenit, Real Sociedad, 
Rosenborg, Vardar
Grupi B/ Ndeshjet
14 shtator 2017, ora 19:00
Jang Boys-Partizan B.
Dinamo Kiev-Skënderbeu
28 shtator 2014, ora 21:05
Partizan B.-Dinamo K.
Skënderbeu-Jang Boys
19 tetor 2017, ora 21:05
Skënderbeu-Partizan B.
Dinamo Kiev-Jang Boys
2 nëntor 2017, ora 19:00
Partizan B.-Skënderbeu
Jang Boys-Dinamo Kiev
23 nëntor 2017, ora 21:05
Partizan B.-Jang Boys
Skënderbeu-Dinamo Kiev
7 dhjetor 2017, ora 19:00
Dinamo Kiev-Partizan B.
Jang Boys-Skënderbeu
Sigal