Goditja e radhës e Partizanit, vjen gjermano-kroati Filipoviç

461
Sigal

Të kuqtë vazhdojnë me intensitet fazën përgatitore në Belek të Turqisë. Të mërkurën, kundër Neftçit

Partizanin mund ta konsiderosh pa asnjë mëdyshje si “mbretin e merkatos”. Të kuqtë ndodhen në fazën përgatitore në Belek të Turqisë, por prurjet dimërore janë të shumta. Ekipi ka përfunduar ditën e tretë të përgatitjeve në Belek. Përgjatë dy seancave të zhvilluara stafi ka rritur ngarkesën fizike. Nën drejtimin e përgatitësit atletik Sampaio grupi i lojtareve i është nënshtruar programit te ngjeshur stërvitor që do të pasohet edhe në ditët në vijim. Përgjatë seancës së pasdites nuk janë stërvitur me ekipin Krasniqi dhe Mazrekaj, si pasoje e disa shqetësimeve të vogla. Në stërvitjen është shfaqur në kampin e kuq Romeo Filipoviç, 27 vjeçari gjermano-kroat, i cili ka një karrierë të gjatë mbi supe pasi ka luajtur në shumë skuadra. Filipoviç është mesfushor shkatërrues. Lojtari që ka lindur në Gjermani ka luajtur në disa skuadra të njohura. Ai fillimisht është aktivizuar te kampionatin gjerman te Homberg dhe më pas është zhvendosur te Al-Ahli në Arabi, po edhe të Zeljeniçar Sarajevo. Sezonin e shkuar ai ka qenë pjesë e ekipit të Koperit në kategorinë Superiore të kampionatit slloven dhe tashmë është në provë te skuadra e kuqë. Partizani është një ekip që ka nevojë për të afruar në radhët e tij një mesfushor, por jo me tipare shkatërruese, por fantazist. Nuk dihet ende se sa do të qëndrojë në provë futbollisti me Partizanin pasi për një gjë të tillë do të vendosë vetëm trajneri Lika së bashku me stafin e tij. Gjatë merkatos dimërore, Partizani ka firmosur me boshnjakun Almir Pliska, por edhe kosovari Liridon Ahmetin e shqiptarin nga Maqedonia, Arsen Salin. Janë duke u vëzhguar nga stafi teknik kroatet e sapombërritur, Martin Saba dhe Mario Sacer, të cilët luajtën në ndeshjen e parë miqësore të humbur 2-1 me Darmstadt (Gjermani). Të mërkurën do të luajë me Neftçi-Baku (Azerbajxhan); ndërsa me kinezët e Shandong Luneng  më 22 janar. Partizani ka bërë “merkato” edhe në stafin teknik. Portugezi Marcio de Jesus Sampaio Vencesla, i njohur shkurt me emrin Marcio Sanpaio, është ndihmësi i ri i trajnerit Hasan Lika. Ai ka kualifikime bashkëkohore si specialist i përgatitjes fizike dhe rikuperimit të futbollistëve. Eksperiencat e tij të mëparshme përfshijnë klube të rëndësishme si Sporting, Braga, Benfika, Servete, etj..

Ndeshjet miqësore

11 janar

Partizani-Darmstadt 1-2

15 janar

Neftçi-Baku (Azerbajxhan)

22 janar

Shandong Luneng (Kinë)

Bylisi e Kukësi, “Made in Afrika”

Bylisi është i dalluar për orientimin e merkatos nga Afrika. Madje edhe trajneri i ballshiotëve është nigeriani i mirënjohur në vendin tonë, Emanuel Egbo. Klubi nga “Adush Muça” është në pritje të tre futbollistëve shumë cilësorë nga Nigeria. I vetmi që njihet dhe ka luajtur dy sezone më parë në Superiore është Xhon Huan, mesfushori shkatërrues, ndërkohë që dy të tjerët janë sulmues, madje dhe golashënues, të paktën këtë e pohojnë edhe drejtuesit ballshiotë, të cilët kanë parë edhe CV-të e tyre. Pritet që javën e ardhshme, skuadra e Bylisit të plotësohet me kualitete dhe drejtuesit të vendosin edhe për fazën përgatitore. Në të njëjtën linjë afrikane, po punon edhe Kukësi. Te nënkampionët e Shqipërisë ndaj deri më tani te kuksianët kanë ardhur dy futbollistë nga “Kontinenti i Zi” dhe më konkretisht, Henri Uçe, mesfushor 23-vjeçar, si dhe egjiptiani Milo, edhe ky 23 vjeç. Bëhet fjalë për dy futbollistë shumë cilësorë, të cilët në të shkuarën kanë pasur edhe oferta nga skuadra të njohura të Europës që luajnë edhe në Ligën e Kampionëve, si Arsenali, Boavista apo dhe Bursaspori i Turqisë. Por Kukësi, nuk ndalet me kaq, pasi synon që të afrojë edhe tre futbollistë të tjerë, siç janë sulmuesi i Bylisit në fazën e parë, Solomonson Izuçuku, që ka shënuar 5 gola. Nëse nuk gjen akordin me Izuçukun, skuadra kuksiane do të afrojë nigerianin tjetër, Ismail Gata Adeshima, edhe ky një futbollist cilësor dhe i talentuar. Kurse për mbrojtjen preferohet një tjetër Nigerian dhe bëhet fjalë për shtatlartin Olabisi Samuel që aktualisht luan me një skuadër nigeriane dhe është kontaktuar nga ana e drejtuesve të skuadrës kuksiane.

 Lojtari shqiptar u përzgjodh si lojtari i ndeshjes Mançester Junaitid-Suonsi

  Mojes përkëdhel Januzajn: “Ndodhet në klubin e duhur”

 Trajneri i Mançester Junaitid, David Moyes, duket se është i dashuruar me kosovarin Adnan Januzaj, teksa edhe kësaj radhe nuk harroi ta përkëdhelë atë, duke e cilësuar si surprizën më të këndshme në grupin aktual: “Ai ka një talent natyral dhe aftësi të jashtëzakonshme dhe unë jam i bindur se do të vijë koha kur të na tregojë se unë kam të drejtë. Januzaj mund të luajë në çdo pozicion dhe mbi të gjitha nuk është një djalë me teka. Adnani ndodhet në klubin e duhur. Ai ka nevojë të mësojë dhe të kuptojë gjërat, pasi është duke mësuar shumë gjëra të cilat ai po i bën me lehtësi të madhe”. Vetë Januzaj tha për mediat britanike: “Morëm tri pikë shumë të vlefshme. Ndihem shumë mirë dhe unë përpiqem të bëj më të mirën time”. Gazetari i “Sanday People”, Sten Kolimor, tha se: “Mançester Juanitid duhet të shesë këdo, përveç Runit dhe Januzajt gjatë merkatos së verës”. Trajneri Daveid Mojes foli edhe për dëmtimin e Van Persie, duke përgënjeshtruar lajmet mediatike për mungesën e tij 6 javore. “Nuk e di nga dalin këto informacione, por ju siguroj që janë të gabuara”. ngul këmbë për të transferuar në “Old Trafford” mbrojtësin portugez të Real Madrid, Fabio Koentrao që në merkaton e Janarit. Lajmin e bën të ditur tabloidi “The Telegraph”  që thekson se agjenti i lojtarit, Horge Mendes ka nisur bisedimet me djajtë e kuq. Luzitani do të ishte përforcimi i duhur për Mançester Junaitid pasi ai mund t’i mbulojë të dy krahët e mbrojtjes. Një avantazh për transferimin e tij të mundshëm në Angli është edhe fakti që agjenti Mendez ka finalizuar më parë edhe operacione të ngjashme si ai i Kristiano Ronaldos, Nanit apo Anderson.

   Etrit Berisha, 411 minuta pa pësuar gol

 Etrit Berisha po shndërrohet në një faktor përcaktues të ecurisë së Lacios në ndeshjet ku ai ka qenë në portë. Madje portieri i Kombëtares shqiptare nuk ka pësuar gol prej 411 minutash midis Ligës së Europës dhe Serisë A. Pasi ai pësoi gol në Ligën e Europës, në Lacio-Apolon Limasol (në minutën e 39-të pas një gabimi të Lorik Canës, më 7 nëntor 2013), ai nuk ka pësuar më gola, pikërisht në ndeshjet kundër Legias së Varshavës (2-0), Trabzonsporit (0-0), Interit (1-0) dhe Bolonjës (0-0). Portieri shqiptar ishte ndër më të vlerësuarit në takimin Bolonja-Lacio, duke marrë notën 6, teksa këtë notën e morën vetëm dy lojtarë të tjerë lacialë. “Portieri shqiptar edhe njëherë tjetër e zëvendësoi të dëmtuarin Marketi. Gjithmonë i kujdesshëm në dalje, duke i dhënë siguri mbrojtjes. I zoti në pjesën e parë në gjuajtjen e Diamantit, arriti të superojë një tako të Biankin, duke e mbajtur të padhunuar portën bardhekaltër për të dytën herë rresht”. Berisha mbërriti te Lacio gjatë merkatos së kaluar, teksa më parë ai ishte kërkuar nga Kievo.

 Barazon Basha

 Mesfushori i Kombëtares shqiptare, Migjen Basha, ishte pjesë e Torinos në barazimin 0-0 me Fiorentinën. Kosovari luajti si titullar, ndërkohë që u zëvendësua në minutën e 78-të nga Brigi.

 Shënon Xhemaili

 Shqiptari nga Maqedonia me pasaportë zvicerane, Blerim Xhemaili, shënoi golin e tretë në fitoren 3-0 të Napolit në transfertën me Hellas Veronën. Mertens dhe Insinje shënuan dy golat e tjerë