Sigal

Globe Soccer Awards, “vendi ku nderohen legjendat”. Slogani i ceremonisë që bashkë me  Topin e Artë, Fifa World Player dhe Golden Foot kompletojnë “Grand Slam-in” e futbollit shpjegon shumë mirë rëndësinë që ka marrë tashmë evenimenti që zhvillohet çdo vit në Dubai dhe ku sot është zhvilluar edicioni i 10-të.

Në këtë ceremoni vlerësohet “ajka e futbollit”, kampionë të së tashmes dhe të së kaluarës, të zgjedhur nga votat e kolegëve, të trajnerëve dhe të gazetarëve më të njohur sportivë. Këta janë fituesit e këtij viti.

Lojtari i Vitit – Cristiano Ronaldo është shpallur fitues. Portugezi ka mposhtur dy kampionët e botës, Antoine Griezmann dhe Kylian Mbappe. Është interesant fakti se emri i fituesit është lexuar nga trajneri i Francës, Didier Deschamps.

“Është një nder i madh për mua. Falënderoj Globe Soccer Award dhe familjen time. Ka qenë një vit i jashtëzakonshëm dhe më vjen mirë që kam fituar një trofe tjetër. Ëndërroj që të fitoj shumë të tjerë me Juventus-in. 2018-ta mbaroi, tani dua sfida të tjera me familjen time të re, Juventus-in”, ka thënë CR7.

Skuadra më e mirë – Atletico Madrid, fituese e Europa League dhe Superkupës së Europës, ka mposhtur Real Madrid dhe Liverpool, dy finalistet e edicionit të fundit të Champions League.

Goli i Vitit – Cristiano Ronaldo ka fituar këtë çmim për golin e realizuar në edicionin e kaluar të Champions League kundër Juventus-it “të tij”, që ka marrë duartrokitjet e të gjithë publikut të pranishëm në “Juventus Stadium”.  “Është goli im më  i bukur”, ka thënë portugezi.

Trajneri i vitit – Didier Deschamps, kampion bote me Francën, ka mposhtur Diego Simeone, Jurgen Klopp, Massimiliano Allegri dhe Zinedine Zidane.