Gjyqtarët e tifozët, start portokalli!

531
Sigal

FOKUS/ Java e parë e Superiores i mblodhi të gjitha, por jo spektaklin e premtuar

Më në fund topi e nisi rrotullimin e tij dhe rrjetat e portave filluan të shkunden nga pluhuri i stinës që i kishte zënë në këto 3 muaj pushime. Superiorja shqiptare e sfidoi motin e nxehtë të gushtit me 7 ndeshjet e javës së parë, ku brenda saj pati nga të gjitha. Parë në këndvështrimin e 560 minutave zyrtare, mund të thuhet se Kategoria Superiore e nisi me spektakël sezonin e ri, duke ju referuar ndeshjes hapëse Vllaznia-Skënderbeu 1-3, apo edhe pas atmosferës festive në Kukës. Nëse do të gjykohej vetëm nga tregolëshi i Pejiçit, ku këtu është vetëm 1/7 e ndeshjeve, radiografia e javës do të ishte e mangët, pse jo edhe e njëanshme, pasi në përgjithësi, kjo javë e parë ishte paksa e nervozuar, me tensione në fushën e lojës dhe me gabime gjykimesh, me trajnerë të “pabindur” për kontratat, por edhe me një tifozeri, e cila vende-vende tregoi se do të kemi një kampionat pranë dhe larg dhunës. Paragjykimet për vazhdimësinë e këtij sezoni që trokiti fundjavën e shkuar, nuk do të ishin prioritarë, por nëse javën e shohim në elementë të veçantë, natyrisht që duhet një sens më kritik para euforive e mbylljes së gjërave në “kasafortat” e klubeve e drejtuesve të tyre, për të mos ia “prishur qejfin” shiritit të kampionatit. Po, çfarë u prodhua në këtë javë të parë të Kategorisë Superiore? Parë në disa tregues, ja se si mund të trajtohen elementët e 7 ndeshjeve që u luajtën.

Ndeshjet

Në një kampionat me 14 skuadra në përbërje, natyrisht që nuk mund të kërkosh maksimalen që në javën e parë të tij, e kështu ndodhi me këtë javë të parë. Jo vetëm për këtë fakt, sepse ashtu sikundër janë organizuar skuadrat në fazat e tyre përgatitore, kjo javë nuk do të kishte më shumë “prodhimtari”, në fushë e në bankina, por jo në shkallët e stadiumeve. Dhe dukuria e parë që e vërteton këtë fakt është numri i ulët i golave të shënuar, 12, me një mesatare 1.8 gola për ndeshje, ndërsa 4 skuadra nuk mundën të shënonin golin e nderit në këtë start. U shënuan vetëm 1 gol me penallti, çka do të thotë se gjatë lojës janë prodhuar edhe situata të rënda në zonat kundërshtare. Ndërsa duke e parë në këndvështrimin e zhvillimit të këtyre ndeshjeve, duhet thënë se skuadrave u ka munguar dukshëm harmonizimi, pasi dihet që përbërjet e tyre kanë ndryshuar për shkak të merkatos që mbyllet më 31 gusht. Një fakt ishte pozitiv në këtë 7 ndeshje të javës së parë, pasi në 3 prej tyre fituan skuadrat udhëtuese, që në çdo sezon luajnë me “kostumin” e kampiones.

 Gjyqtarët

Goli i parë i Kampionatit në takimin Vllaznia-Skënderbeu, për “djallëzi” të këtij starti, ishte dukshëm i parregullt, në pozicion jashtë loje. Moviolën e këtij goli e bëri tifozeria shkodrane, e cila qetësisht e përcolli këtë padrejtësi duke fyer edhe lojtarët e saj të mbrojtjes. Por, duke ju referuar edhe ndeshjeve të tjera, kryesisht aty ku edhe pati më shumë tensione, në Berat dhe në Fier, gjyqtarët kryesorë dhe disa prej asistentëve nuk ishin teknikisht të aftë që ta kthenin situatën në favor të ndeshjes dhe jo të tensionit brenda saj. Ndërkohë që në ndeshjen Bylis-Flamurtari, gjyqtari u ka mohuar një penallti të saktë ballshiotëve. Pra, kjo javë e parë, më shumë ishte një “karton i verdhë” për gjykimet.

 Trajnerët

Protagonistët e bankinave, në këtë javë të parë nuk spikatën për ndonjë të veçantë, për ndryshim rezultati, për ndonjë skemë që t’i nxirrte skuadrat nga humbjet e tensionet, pse jo edhe t’u krijonin mundësi atyre për më shumë gola. Dobësia e bankinave (jo të gjitha), erdhi edhe nga fakti se disa trajnerë ende nuk kishin menduar të nënshkruanin kontrata me klubet, duke e bërë edhe më virtuale “lojën” me bankinat. Në stol ishin trajnerët e dytë, por sa mundësi kanë ata të drejtojnë si të parë, kjo u tregua plus dhe minus në rastet konkrete. Edhe për trajnerët, ambientimi me skuadrat ishte në një nivel nën mesataren.

 Tifozët

Këtu duhet ndalur më shumë, e më konkretisht në Berat e në Fier. Është e vërtetë se në këto dy qytete futbolli mbetet si një “fe” dhe për të ata bëjnë gjithçka. Por, me atë çka ata treguan, mund të ndodhë që Tomori të luajë në Fier dhe Fieri në Berat, gjë e cila nuk mund të jetë në logjikën e misionit që vetë futbolli ka me kategorinë e tifozëve. Kultura në shkallët e stadiumeve mbeti e brishtë në këtë javë të parë të Superiores, por jo e tillë në Kukës apo edhe në Shkodër. Këtu FSHF-ja duhet të godasë menjëherë, për të mos pasur dhimbje koke në vazhdimësi. Kështu, futbolli e ka të humbur “lojtarin e 12-të”.

________________________________

STATISTIKAT E JAVËS SË PARË

– Në shtatë ndeshjet e javës së parë u regjistruan tri fitore dhe katër barazime, ku vetëm në Kukësi-Luftëtari (0-0) nuk u realizuan gola.

– Kukësi u bë skuadra e 42-të që luan në Kategorinë Superiore, por debutimi i kuksianëve nuk përkoi me fitore, pavarësisht se luajti në shtëpi.

– Tre nga shtatë ndeshjet u fituan nga ekipet udhëtuese: Skënderbeu fitoi 3-1 me Vllazninë në Shkodër, Tirana fitoi 1-0 me Tomorin n Berat dhe Teuta fitoi 1-0 me Shkumbini në Peqin.

– Gjatë shtatë ndeshjeve të javës së parë u shënuan në total 12 gola, ose me një mesatare 1.71 gola për ndeshje.

– Golin e parë të kampionatit e shënoi sulmuesi i Skënderbeut, Pero Pejiç, në minutën e 19-të, në fitoren 3-1 kundër Vllaznisë.

– Sulmuesi kroat i Skënderbeut, Pero Pejiç, është i vetmi që shënoi tre gola në në një ndeshje, pikërisht ndaj Vllaznisë. Nëntë lojtarë të tjerë shënuan nga një gol.

– Gjatë javës së parë u shënuan dy gola me penallti: Erjon Vuçaj i Laçit kundër Besës, dhe Klodian Duro i Tiranës kundër Tomorit. Artan Sakaj i Teutës e humbi kundër Shkumbinit.

– Gjatë javës së parë u dha një karton i kuq, Semiran Çela i Kastriotit, në ndeshjen Apolonia-Kastrioti.

_________________________

KATEGORIA SUPERIORE

JAVA I

Të premten, 24 gusht

Vllaznia-Skënderbeu               1-3

Shënues: Smajli 77’/ Pejiç 19′, 34′, 47′

Të shtunën, 25 gusht

Tomori-Tirana                         0-1

Shënues: K.Duro 31′ (pen)

Laçi-Besa                                1-1

Shënues: Vuçaj 5′ (pen)/ Kaja 43′

Apolonia-Kastrioti                  1-1

Shënues: Ribaj 3′ / Sekseni 15′

Të dielën, 26 gusht

Shkumbini-Teuta                     0-1

Shënues: Nika 12′

Bylis    -Flamurtari*                1-1

Shënues: Adigun 54’/ Memelli 17′

KukësiI-Luftëtari                    0-0

* U luajt në Berat

_________________________

KATEGORIA SUPERIORE

JAVA II

Të premten, 31.08.2012

Flamurtari-Laçi           19:00

 

Të shtunën, 01.09.2012

Kastrioti-Bylis             17:00

Kukësi-Vllaznia          17:00

Të dielën, 02.09.2012

Tirana-Shkumbini        17:00

Luftëtari-Teuta            17:00

Skënderbeu-Apolonia 19:00

Të hënën, 03.09.2012

Besa-Tomori                19:00

Nga Kategoria Superiore këtë sezon bien direkt 4 skuadra dhe ngjiten 2

GOLASHËNUESIT

3 gola: Pero Pejiç (Skënderbeu)

1 gol: Dritan Smajli (Vllaznia), Erjon Vuçaj (Laçi,1p), Klodian Duro (Tirana, 1p), Migen Memelli (Flamurtari), Adigun (Bylisi), Elvis Kaja (Besa), Ansi Nika (Teuta), Andi Ribaj (Apolonia), Isidor Sekseni (Kastrioti),

RENDITJA

1 Skënderbeu  1          +2        3

2 Teuta            1          +1        3

3 Tirana           1          +1        3

4 Apolonia      1          +0        1

5 Besa             1          +0        1

6 Bylis             1          +0        1

7 Flamurtari     1          +0        1

8 Kastrioti       1          +0        1

9 Laçi                1          +0        1

10 Kukësi        1          +0        1

11 Luftëtari     1          +0        1

12 Shkumbini  1          -1         0

13 Tomori        1          -1         0

14 Vllaznia      1          -2         0

Nga Kategoria Superiore këtë sezon bien direkt 4 skuadra dhe ngjiten 2