Gjithmonë Skënderbegas, me disiplinë të fortë, me sjellje dhe edukim të shëndoshë

1229
Shkolla ushtarake “Skënderbej” i çeli dyert më 28 Mars 1945, për tu bërë fidanishtja e ushtrisë së re popullore. Ishte ditë pranvere, në pranverën e parë të çlirimit të Atdheut, dhe bashkë me lulet erdhën në bankat e kësaj shkolle, të parët pionierët partizanë, ata që morën pjesë e bënë luftën, tani për të formuar ushtrinë e vërtetë e mbrojtur paqen. Bashkë me këta partizanë pionierë, erdhën për të mësuar edhe shumë nga bijtë më të mirë e më të zgjedhur nga të katër anët e Atdheut, në atë që u bë shkolla më në zë dhe lavdiplotë me emrin simbol, “Skënderbej”. Bashkë me skënderbegasit, në bankat e kësaj shkolle u ulën edhe disiplina e fortë, sjellja e hijshme, edukimi i shëndoshë, uniteti i pathyeshëm, sedra revolucionare, niveli i lartë shkencor, përgatitja e fuqishme fizike, dashuria dhe përbetimi shembullor për lirinë, paqen, popullin e Atdheun. Skënderbegasit mbajtën të ndezur vatrën e tyre, duke u rikthyer vazhdimisht te kjo shkollë, në çdo përvjetor të saj. Ata i kushtuan poezitë e para, por shkruan edhe romane, krijuan piktura dhe kompozuan këngë për shkollën e tyre, që u ndezi prushin e zjarrtë të atdhedashurisë, të përgjegjësisë ushtarake për mbrojtjen e trojeve tona. Armata e skënderbegasve la gjurmë e vulën e vet në organizimin, ngritjen dhe modernizimin e ushtrisë sonë, për ta bërë, siç edhe u bë, një ushtri e vërtetë, e fortë, e fuqishme, moderne, e organizuar mbi baza shkencore, me një shkallë të lartë profesionalizmi dhe besnike e popullit dhe e kombit të vet. Kudo ku punuan, drejtuan apo komanduan skënderbegasit, rezultatet dhe fitoret qenë bindëse dhe të garantuara. Shembujt më të shquar të ushtarakëve në të gjitha hallkat e komandimit dhe të specialistëve në ushtri, janë pikërisht nga ata oficerë që vinë nga pragu i ndritur i shkollës ushtarake “Skënderbej”. Vetë emri i Heroit Kombëtar që mban kjo shkollë, i frymëzonte skënderbegasit që t’i kryenin detyrat me devocion, me dinjitet dhe guxim, me sakrifica dhe vetëmohim. Titujt e parë shkencor në fushën e shkencës ushtarake, u morën nga oficerë të dalë përmes shkollës Skenderbej. Po kështu komandantët e komisarët e parë të Korpuseve dhe divizioneve ishin nga ata oficerë që ishin diplomuar nga shkolla “Skenderbej”. Armata e skënderbegasve u përhap në të gjitha nënkomandat, transhet e pozicionet e zjarrit të reparteve dhe njësive ushtarake. Ata u bënë edukator për mijëra e mijëra ushtarë që kaluan në detyrën e lartë të ushtarit, për dekada me radhë. Po kaq të mëdha e mbresëlënëse qenë kontributet e skënderbegasve edhe në fushat e tjera, arsim, kulturë, shkencë, sport, diplomaci, shërbime inteligjente dhe administratën e lartë shtetërore. Jubileu i 70 vjetorit të shkollës “Skënderbej” do të festohet në të gjithë Shqipërinë, sepse ish skënderbegasit dhe ata që e duan këtë emër janë kudo, në të gjithë vendin tonë, dhe shkolla “Skënderbej” ishte vatra e edukimit të tyre arsimor, ushtarak, atdhetar e kulturor. Shoqata “Skënderbegasi” i fton të gjithë të bashkëpunojnë në këto festime, pa pritur ftesa e lajmërime. Secili të bëjë të mundur rilajmërimin për njeri tjetrin. Lavdi pastë emri, puna dhe kontributi i kësaj shkolle!
SHPENDI TOPOLLAJ
Në shtatëdhjetë vjetorin e krijimit të shkollës “Skënderbej”
MALL QË S`SHUHET KURRË
Më mundon një brengë e vjetër,
Shumë motive për të gjej;
Dua që të hedh në letër,
Mall për shkollën “Skënderbej”.
Sa herë shkruaj, prapë e gris,
Nuk zbraz dot gjiri ç`më mban,
I ka rrënjët si një lis,
Është i gjerë pa fund e anë.
E lë lapsin e mendohem,
Nga t`ja nis, oh! qenka hall,
Por e shoh që kot mundohem,
Nuk u ndanka dot ky mall.
Ato vite do t`i ruaj
Gjat` në mend e thell` në zemër,
Skënderbegas të më quaj,
Kush për mua do një emër.
SHKOLLËS “SKËNDERBEJ”
Vite që shkuat në shkollën “Skënderbej”
Më jeni të shtrenjta, gjithmon` pranë u ndjej,
Ndër mend un` u ruaj, në shpirt gjithashtu,
Asgjë s`më është dukur më e bukur se ju.
Ku fshihet e fshehta, se mësova kurrë,
Që veje fëmijë, e shpejt ishe burrë,
Ndër shumë viryte që morëm atje,
Më të shenjtë kishim, dashurinë për Atdhe.
Ushtar ti më bëre të heroit legjendar,
Në jetë të jetëve të ndihem krenar,
Sa malet të tunden, kur them: “Jam shqiptar!” 
Për shokët besnik, vëlla i pandar.
S`na lodhën rrebeshet, me nder punuam,
Në fusha me baltë, në shkrepa marshuam,
As vapa s`na mposhti, as bora n`acar,
Në trup, kapotat me djersë na janë thar`.
Nga shqotat e kohës, shum` gjëra ndryshuan,
Rrufetë që ranë, ne kurrë s`na verbuan,
Dhe në zemrën tonë, u ngrit me hov të ri,
Dëshira e pashuar për të t`parë përsëri.
Një heshtje e rëndë, tani t`ka pllakosur,
S`ka më skënderbegas, me gaz të pasosur,
E rëndë është vdekja, por m`i rëndë harrimi,
Atë që s`rron më, e ringjall kujtimi.
Kujtimi për ty, dit` e nat` më rri zgjuar,
Siç rrinë për nënën që më ka mëkuar,
Përherë fëmi, unë do jem para teje,
E veç gjaku yt, do më rrjedhë ndër deje.
Sigal