Gjici mund të kalojë tek Vllaznia, ndërkohë Kukësi pritet të përjashtohet

437
“Kukësi rrezikon që të përjashtohet nga kompeticioni i Europa League pas incidenteve që u regjistruan në ndeshjen e parë që u zhvillua në Tiranë përballë Legias së Varshavës”. Kështu shprehet delegati polak i UEFA-s, Kazimierz Oleszek. Delegati polak ka dhënë një intervistë të gjatë duke sqaruar sipas mendimit të tij atë që do ta presë Kukësin ditën e hënë në vendimin e Komisionit të Disiplinës së UEFA-s.
Polaku opsionin e përjashtimit e shikon si të fundit, teksa e sigurtë është se “Kukesi do të gjobitet me një shumë të madhe, nuk do të luajë në fushën e tij për disa takime, tifozët mund të mos udhëtojnë në transfertat e radhës, por mund të përjashtohet edhe nga Kupat e Europës” tha Oleszek. Por, edhe polakët nuk janë ëngjëj, pasi sipas delegatit tifozët e Legias provokuan.
“Legia rrezikon pasi ishin tifozët e skuadrës polake ata që nxitën dhunën në pushimin mes dy pjesëve”.
Në vijim të intevistës ai thekson se situata u tensionua nga banderola e tifozëve të Kukësit në stadium “situata ishte e tensionuar që në minutat e para kur tifozët e Kukësit shfaqën një banderolë ofenduese, por me përshkallëzimin e dhunës, situata u bë e pakontrollueshme” vijon më tej polaku.
Përsa i përket vendimit për ndërprerjen e ndeshjes, Oleszek deklaron se “Vendimi është marrë nga delegati i UEFA-s në konsultim me gjyqtarin dhe zyrtarin. Janë marrë parasysh edhe mendimet e kapitenëve të dy ekipeve dhe policisë. Numri i forcave të sigurisë në stadium nuk ishte i mjaftueshëm dhe në këtë aspekt, gjithë përgjegjësia bie mbi skuadrën pritëse”përfundoi ai.
Gjici te Vllaznia pas vendimit
Nesër pritet që të jepet nga UEFA vendimi për ndeshjen e ndërprerë mes Kukësit dhe Legias, por te Kukësi ka shumë pak shpresë për mrekullira. Kjo ka bërë që Presidenti i nënkampionëve të Shqipërisë, Gjici të nisë bisedimet me drejtuesit e pushtetit lokal në Shkodër për të marrë drejtimin e ekipit të Vllaznisë. Safet Gjici e kishte paralajmëruar edhe më parë tërheqjen e mundshme nga Kukësi, pasi incidentet nga tifozeria ishin të përsëritura. Ndërsa guri mbi kokën e lojtarit polak Duda në minutën e 52 të ndeshjes duket se i vendosi vulën largimit të biznesmenit nga Kukësi.
Megjithatë gjithcka pritet që të marrë formë dhe zyrtarizohet pas ditës së hënë. Edhe pse drejtuesit e Kukësit kanë deklaruar se do ta ndjekin rastin nëse është e nevojshme deri në CAS, duket se gjithcka është e pashpresë, pasi goditja e lojtarit të Legias, trazirat në stadium dhe banderola janë fakte të pakundërshtueshme nga UEFA. Një lëvizje e Gjicit në Shkodër do të bënte që Vllaznia nga kaosi dhe rreziku për rënie në vitet e fundit të rivalizonte denjësisht Skënderbeun kampion. Edhe pse gjithcka është hipotetike, Gjici në Shkodër do të ndiqej edhe një nga shumë lojtarë të Kukësit të tanishëm.
Kjo do të ishte dhurata e dytë në pak kohë për ekipin më të vjetër në Shqipëri pas ndërtimit të stadiumit. Megjithata për më shumë duhet të presim zhvillimet e muajit gusht në futbollin shqiptar, teksa suprizat që paralajmërohen pritet që të jenë të mëdha, tashmë jo vetëm në lëvizjen e lojtarëve, por edhe presidetëve.
Sigal