Gjermania turpëron Brazilin dhe arrin finalen

519
Sigal

“Pancerat” shkatërrojnë 7-1 brazilianët. Pikëllim e lot në Brazil, festë e çmendur në Gjermani

Gjermania është finalistja e parë e Botërorit, pas fitores madhështore 7-1 ndaj Brazilit, vendit organizator. Një rezultat i pabesueshëm për 58 mijë shikuesit në “Mineiro” dhe qindra miliona ndjekës përmes TV-ve. Një Gjermani perfekte kundër një Brazili krejtësisht të shthurur që e vuajti shumë mungesën e kapitenit Tiago Silva dhe sulmuesit kryesor Nejmar. Një 90-minutësh rekordesh ai djeshmi në Belo Horizonte. Në minutën e 11-të, Toni Kros ekzekutoi një goditje këndi, Tomas Myler i lirë në zonën e vogël kompletoi rrjetën. 0-1 për Gjermaninë. Njëmbëdhjetë minuta më pas, në të 22’, erdhi edhe goli i Miroslav Klozes. Sulmuesi gjerman mposhti Hulio Sezarin pas tentativës së dytë, duke shënuar kështu golin e tij të 16-të në Kupat e Botës, e duke u bërë “topçiu” më i mirë i të gjitha kohërave. 0-2 për Gjermaninë. Brazili është i shokuar. Në minutën e 24-t, kapiteni i Gjermanisë, Filip Lahm, krosoi në zonë, me Toni Krosin që nuk fali duke shënuar golin e tretë. Një minutë më pas ishte sërish Toni Kros që i çoi shifrat në 0-4 me një gjuajtje të fortë pas një kombinimi perfekt me Khedirën, duke mos i dhënë as një mundësi Hulio Sezarit. Në minutën e 28-të, Khedira “vodhi” një top dhe në bashkëpunim me Mesut Ozilin mposhti për herë të pestë Hulio Sezarin. 0-5 në vetëm 28 minuta lojë! Askush nuk e beson në Belo Horizonte. Brazili duket tashmë i eliminuar dhe vetëm një mrekulli hyjnore mund ta çojë “Selaçaon” në finalen e madhe të 13 korrikut. Në minutën e 31-të, Gjermania kishte shansin për të realizuar golin e gjashtë me anë të Toni Krosit, ndaj një Brazili krejtësisht të shthurur në mbrojtje dhe të pafuqishëm përballë furisë gjermane. Në pjesën e dytë, Brazili këmbënguli gjatë, por ishin sërish gjermanët ata që shënuan edhe dy gola të tjerë me të njëjtin autor, Andre Shyrlen: 69’ dhe 79’. Oskar shënoi golin e nderit për Brazilin në minutën e 90-të. Fitorja më e madhe e Gjermanisë dhe humbja më e turpshme e Brazilit dhe një vendi organizator. Fitorja më e thellë në një Botëror është ajo e Hungarisë me Korenë e Jugut, 9-0 në vitin 1954. Sot, do të përcaktohet finalisti i dytë që do të dalë nga çifti Argjentinë-Holandë.

  16 gola, rekordmeni Kloze kalon Ronaldon

 Miroslav Kloze do ta mbajë mend gjithë jetën golin e shënuar kundër Brazilit, kur sulmuesi gjerman shënoi rrjetën e tij të 16-të në Kampionatet Botëroreve, duke vendosur kështu një rekord botëror përsa u përket golashënuesve, duke qenë ai më i miri i të gjithë kohërave. 36-vjeçari i Kombëtares gjermane kaloi brazilianin Ronaldo, me këtë të fundit që ka mbetur në kuotën e 15 golave. Kloze ka shënuar dy gola në këtë Botëror, përfshirë dhe atë kundër Ganës. Për të goli ndaj Brazilit ishte i 71-të me fanellën e Gjermanisë, duke qenë kështu edhe shënuesi më i mirë i “Nationalmanschaft”. Kloze ka shënuar katër gola në Botërorin “Kore/Japoni 2002”, gjashtë në Botërorin “Gjermani 2006”, katër në Botërorin “Afrika e Jugut 2010” dhe dy në Botërorin “Brazil 2012”.

Van Gal: “Kam planin e fitores kundër Argjentinës”

 Luis van Gal e ka të qartë: ai dhe Holanda e tij janë vetëm 180 minuta larg historisë. Katër vjet më parë në Afrikën e Jugut, “tulipanët” u dorëzuan në finale pas 120 minutave, por tani në Brazil, formacioni “oranje” kërkon titullin, pas tri finaleve të humbura: 1974, 1978 e 2010. Trajneri i Holandës, Luis Van Gaal lë shumë dyshime mbi formacionin që do të hedhë në fushë ndaj Argjentinës në sfidën që do të përcaktojë finalisten e dytë të “Brazil 2014”. 62-vjeçari e la të hapur rikthimin titullar të De Jong, por shtoi gjithashtu se Van Persi nuk është në formën e tij më të mirë. “De Jong ka zhvilluar një seancë prove, por duhet të presim deri në momentin e fundit. Gjithçka varet nga forca e vullnetit të tij. Nëse do të të jetë pozitive, atëherë do të jetë një mrekulli. Edhe Vlaar është stërvitur, por duhet të presim për të kuptuar sesi do të reagojë. Van Persie dhe Janmat kanë patur probleme me stomakun. Nuk e di nëse Van Persi do të jetë në 100% të formës.” Pyetja që i mundon më shumë tifozët holandezë është: Si do ta ndalin tulipanët Lionel Mesin? Van Gaal e ka një plan për t’i befasuar argjentinasit. “Gjysmëfinalja nuk do të jetë mes Holandës dhe Mesit, por Holandë – Argjentinë. Ne kemi planin tonë për të fituar. Nuk është rastësi që Messi është përzgjedhur disa herë lojtari më i mirë në botë. Sigurisht nuk ka mundur ta tregojë këtë me kombëtaren, por ai ka shumë dëshirë për të arritur objektivin më të lartë me Argjentinën. Ne do të përpiqemi që ta ndalim”. Përsa i përket titullarit të portës, Van Gaal është I vendosur: Sillesen mbetet i paprekshëm. “Jam shumë i kënaqur me Jasper Sillessen. Mendoj se Krul është më i mirë vetëm për të pritur 11-metërshat. Për këtë arsye e hodha në fushë ndaj Kosta Rikës”.  Te Holanda nuk ia kanë aspak frikën, madje e injorojnë yllin argjentinas. E thotë këtë Arjen Roben, i cili në kor mbështetet edhe nga të tjerët. “Kanë një lojtar të jashtëzakonshëm, sigurisht, por kjo nuk do të thotë se gjithçka vërtitet rreth Mesit”. Në historinë e tyre në Kupat e Botës, holandezët kanë humbur tre finale, më shumë se kushdo tjetër, ndërkohë që kombëtarja “Albiceleste”, dy herë kampione e botës, kërkon titullin e tretë dhe ku ka më mirë se një kurorëzim në “Maracana”, në oborrin e rivalëve të përjetshëm.

Prandeli: “Më kërcënuan me vdekje”

Ish-trajneri i Italisë, Çezare Prandeli, bëri akuza të ashpra ndaj shtypit të vendit të tij, pikërisht në ditën kur ai prezantua si tekniku i ri i skuadrës turke, Gallatasaraj.

Prandeli shpërtheu me akuza pas kritikave të shumta që mori për shkak të eliminimit të Italisë që në fazën e grupeve të Brazil 2014. “Unë dhe familja ime kemi marrë letra kërcënuese nga tifozët. Mund ta mbyllja ndryshe aventurën me kombëtaren, sikurse veprojnë të gjithë italianët. Përkundrazi, u dorëhoqa me vullnetin tim për të mos pranuar asnjë ofertë nga Italia”.

Eliminimi para kohe nga Botërori mbetet një çështje që ende i djeg shumë Prandellit, i cili thumbon disa nga lojtarët për sjelljen e tyre. “Ndonjë nga futbollistët e mi u tradhtua nga frika, por nuk është e vërtetë që grupi ishte i përçarë. Prania e familjeve në grumbullim ishte një aspekt pozitiv, por mes njerëzve që më akuzojnë, një i ndyrë ishte brenda skuadrës. Më ka ardhur shumë keq që arritën deri aty sa të më krahasonin me Sketinon, kapitenin e anijes që u mbyt në brigjet e Toskanës, por ky është cinizmi i futbollit tonë”. Prandeli jep vlerësimin e tij për emra të veçantë. “Mario Baloteli ka shumë potencial, por nuk është bërë akoma një kampion. Ai që më ka zhgënjyer më shumë nga pikëpamja njerëzore ishte Rosi”. Përsa i përket pranimit të ofertës së Gallatasarajit, Prandeli tha si ishte bindur nga projekti fitues i klubit.