Gjergj Ruli: Kurora në Kampionatin Ballkanik, pedanë për medalje edhe në Kampionatin Evropian

753
Nga Agron KAJA
INTERVISTA/ Nga Stambolli, flet për “Telegraf” Presidenti i FSHA-së, Shqipëria fiton Kampionatin Ballkanik në Turqi
Atletika e Ballkanit e më gjerë, për dy ditë ka qenë e “ngujuar” në Stamboll të Turqisë. Në datën 17 shkurt 2018, u zhvilluan garat e Kampionatit të 34-të Ballkanik, në të cilin morën pjesë 18 shtete, me 233 atletë, 123 Meshkuj dhe 110 Femra. Në këtë event morri pjesë edhe një delegacion shqiptar me 5 atletë (3 Meshkuj e 2 Femra) dhe për performancën e mirë që treguan atletët tanë, Presidenti i FSHA-së Gjergj Ruli, për gazetën “Telegraf” deklaroi nga Stambolli se: “Si Izmiri, ashtu edhe Luiza, në këtë Kampionat Ballkanik treguan gjendje shumë të mirë. Madje Izmiri bëri tre faulle, por bëmë një garë taktike për të kapur vendin e parë. Luiza mendoj se tregoi një nivel shumë të lartë, edhe pse koha e saj mund të ishte më e mirë”. 
Mendoni se duke marrë pjesë me 5 atletë, Shqipëria i ka arritur plotësisht synimet e saj në këtë event?
Patjetër që janë arritur, madje do të thosha më shumë se sa ishin pritshmëritë tona. Sepse marrja e Kurorës Ballkanike për vitin 2018, është një arritje e madhe për atletikën tonë. Nga 5 atletë, 4 morën medalje, tregues ky që nuk është arritur në pjesëmarrje të tjera.

Pjesëmarrja e Shqipërisë me 5 atletë në këtë Kampionat Ballkanik të Atletikës, tregon edhe për punën e mirë që po bëhet me individë talente në këtë sport?
Unë kështu e mendoj këtë realitet kaq të mirë, dhe e ndjej si detyrim që t’i falënderoj të gjithë atletët që morën pjesë në këtë Kampionat Ballkanik, trajnerët e tyre dhe të gjithë ata që kontribuan me gjithçka atletët arritën. Kështu, besoj se e ardhmja do të flasë me të tjera rezultate të këtyre niveleve.

Po rezultatet e Izmrit dhe të Luizës, ishin të pritshme, apo kishte mundësi për më shumë?
Si Izmiri, ashtu edhe Luiza, në këtë Kampionat Ballkanik treguan gjendje shumë të mirë. Madje Izmiri bëri tre faulle, por ne bëmë një garë taktike për të kapur vendin e parë, dhe ja arritëm. Luiza mendoj se tregoi një nivel shumë të lartë, edhe pse koha e saj mund të ishte më e mirë.

Veç dy Medaljeve të Arit nga Luiza dhe Izmiri, atletët e tjerë çfarë treguan në këtë Ballkanik?
Edhe ata treguan se janë një e ardhme shume cilësore e atletikës shqiptare. Si Iveta Urshini në 60 metra, ashtu edhe Franko Burraj në 400 metra, treguan se kanë vlera. Madje Franko garoi me shumë emocione, dhe për shkak të tyre ka humbur vendin e dytë. Edhe kërcyesi tjetër, Ergys Gjeçaj, është në nivele shumë të larta, për moshën e re dhe përvojën e pakët që ka.

Me këto rezultate që u arritën në Kampionatin Ballkanik në Turqi, mendoni se atletika shqiptare po rikthehet në traditën e mirë të saj?
Them se është më lart nga tradita, pa mohuar asnjë vlerë të historisë sonë në këtë sport. Sepse cilësia që tregojnë në gara atletët tanë në këto evente, është shumë herë më e lartë se më parë. “Diamant i vogël, me vlerë të madhe”, kështu do ta quaja realitetin e atletikës sonë në këtë moment.

Ju si një ish-kampion, mendoni se me këtë brez atletësh mund të kemi rezultate edhe më të larta?
Ja u përmenda më sipër, po e rikonfirmoj se, si në veprimtaritë Kombëtare, por edhe në ato Ndërkombëtare, atletët tanë do të jenë protagonistë me rekorde kombëtare dhe me vende nderi në veprimtarinë ndërkombëtare. Izmirin, Luizën e Frankon po i quaj “bërthamën” e sukseseve në të ardhmen.

Cila është veprimtaria më e afërt ndërkombëtare?
Këtë vit janë dy evente ndërkombëtare ku ne do të marrim pjesë. Kampionati Botëror më 2 mars 2018, ku sot mbyllen konfirmimet e pjesëmarrjes, dhe Kampionati Evropian që do të zhvillohet në Berlin në muajin gusht 2018. Këtu besoj se Izmiri do të fitojë Medaljen e Artë.

FLASIN FITUESIT

IZMIR SMAJLAJ
Të bëhem Ambasador i sportit shqiptar tek të rinjtë
Deklaratën që Izmir Smajlaj e kishte postuar të shtunën në faqen e tij në Facebook, e konfirmoi dje për gazetën “Telegraf”, edhe vetë Presidenti i FSHA-së, Gjergj Ruli. “Po, Izmri e ndjeu si krenari atdhetare ngritjen e flamurit tonë kombëtar”, theksoi Ruli për Izmir Smajlajn, ndërsa vetë kampioni, pohoi se, kjo do të thotë se, titulli i marrë këtë vit ishte i padiskutueshëm madje as nuk u vu në dyshim. “Unë jam tepër i kënaqur edhe me këtë arritje. Dua të bëhem ambasador i sportit shqiptar tek të rinjtë. Të jem një pasqyrë e motivimit për to. Jam shumë i kënaqur për mbrojtjen e titullit, dhe i bindur për fitore të tjera. Synimi im për medalje të artë në Evropian për sallat e hapura mbetet i patundur”, deklaroi Izmir Smajlaj.
LUIZA GEGA
Fitorja në Ballkanik, premisë e mirë për në Evropian
Edhe Luiza Gega nuk mbeti larg medaljeve në Kampionatin Ballkanik që u zhvillua të shtunën më 18 shkurt 2018, në Stamboll të Turqisë. Ajo garoi në garën e 3000 metrave, ku arriti kohën 9 minuta e 06 sekonda, duke mposhtur rivalet e tjera. Në deklarimet e saj mediatike, Luiza e quan këtë si një premisë e mirë për Kampionatin Evropian që do të zhvillohet në muajin gusht në Gjermani. “Rekordi im Kombëtar në garën e 3000 metrave, vjen pas 21 vjetësh, dhe kjo mua më gëzon pa masë. Tani jam Kampione e Ballkanit dhe këtë e shoh si një premisë të mirë për rezultat më të lartë në Kampionatin Evropian në muajin gusht në Gjermani”, kështu deklaroi Luiza Gega pas fitores në Kampionatin Ballkanik.

ATLETËT SHQIPTARË
FEMRA (2)
Iveta Urshini 60 m/ Koha 7.89”/ Vendi 7-të
Luiza Gega 3000 m/ Koha 8’52”53/ Vendi 1-rë
Medalje Ari
MESHKUJ (3)
Izmir Smajlaj Së gjati/ 7.80 m/ Vendi 1-rë
Medalje Ari
Franko Burraj 400 m/ Koha 49’27”/ Vendi 3-të
Medalje Bronzi
Ergys Gjeçaj Së gjati/ 7.54 m/ Vendi 7-të

KAPIONATI BALLKANIK
Shtetet pjesëmarrëse: Turqia, Shqipëria, Greqia, Rumania, Serbia, Bullgaria, Kroacia, Qipro, Sllovenia, Bosnje Hercegovina, Izraeli, Maqedonia, Gjeorgjia, Armenia, Moldavia, Mali Zi, Kosova, Ukraina.

MITINGU I STAMBOLLIT
Pas garave të Kampionatit Ballkanik për të Rritur që u zhvilluan të shtunën në Stamboll, dje në po këtë qytet të Turqisë u zhvillua edhe Mitingu Ndërkombëtar për salla të mbyllura. Atletja jonë Luiza Gega garoi në 1500 metra, dhe me kohën 4’02”63, zuri vendin e parë mes 12 atleteve pjesëmarrëse në këtë garë
LOJËRAT OLIMPIKE BOTËRORE
Erion Tola në vendin e 54-t në Sllallomin Gjigant
Edhe pse situata e Motit në Pjon Çang ka filluar të përmirësohet, nuk ka qenë kështu për skiatorët shqiptarë që marrin pjesë në këtë event, Lojërat Olimpike Dimërore. Suela Mëhilli i ka mbyllur garat e saj, dhe në garën e Sllallomit Gjigant u rendit në vendin e 53-të, ndërsa në garën e Sllallomit Supergjigant në vendin e 60-të. Ndërsa Erjon Tola i ka nisur dje garat e tij në këto Lojëra Olimpike, dhe në Sllallomin Gjigant u rendit në vendin e i 49-ti, nga 107 garues që ishin, duke mos lënë gjurmë në këtë Olimpiadë. Koha e arritur prej tij ishte 15.69 sekonda më e ngadaltë, ku në garat me ski duhet të lëvizin shumë pak, sepse luftohet për të qindtat e sekondës. Garën e radhës Tola e ka më 22 shkurt në Slallomin Supergjgant, ndërsa skiatori nga Kosova, Albin Tahiri, garoi dje në Sllallomin Gjigant dhe u rendit në vendin e 65-të, ndërsa në datën 22 shkurt e përfundon me garën e Sllallomit. 

Garat e skiatorëve shqiptarë
SUELA MËHILLI
Datë 12.02.2018/ Sllallom gjigant, Vendi 53-të
Datë 14.02.2018/ Sllallom Supergjigant/ Vendi 60-të

ERION TOLA
Datë 18.02.2018/ Sllallom gjigant/ Vendi 49-të
Datë 22.02.2018/ Sllallom Supergjigant (03:15)

ALBIN TAHIRI
Datë 11.02.2018/ Lëshim i shpejtë, Vendi 81-të
Datë 13.02.2018/ Kombinim alpin, Vendi 55-të
Datë 15.02.2018/ Sllallom Supergjigant/ Vendi 50-të
Datë 18.02.2018/ Sllallom gjigant/ Vendi 65-të 
Datë 22.02.2018/ Sllallom (02:15)
Sigal