“Gjahtari” Hamdi Salihi, gola në tre kontinente

533
Sigal

Shkodrani shënon në Ligën e Kampioneve të Azisë. Shqiptari i vetëm që, ka realizuar në Europë, Amerikë dhe Azi

Për një sulmues të pastër race dhe, të lindur për të shënuar gola, s’ka rëndësi fusha, kampionati, kompeticioni apo dhe kontinenti ku ai luan: Europë, Amerikë apo Azi. Hamdi Salihi mbetet gjithmonë një “dashnor” i papërmbajtshëm i golit. Bomberi shkodran e nisi në mënyrën më të mirë aventurën e tij me skuadrën kineze, Jiangsu Sainty, duke realizuar golin e vetëm të ekipit të tij, në humbjen 5-1 me koreanët e Seulit, në ndeshjen e parë të fazës së grupeve të Ligës së Kampioneve të Azisë. Ndeshja i përkiste grupit E, ku bëjnë pjesë edhe Vegalta Sendai (Japoni) dhe Buriram Junaitid (Tajlandë). Trajneri serb Dragan Okuta nuk e hodhi nga minuta e parë Hamdiun, nisur edhe nga fakti se, Salihi mbërriti vetëm pak javë më parë nga skuadra e kryeqytetit amerikan, D.S. Junaitid, dhe ende s’ishte ende në kondicionin e tij 100 për qind. Koreanët e mbyllën pjesën e parë me shifrat 2-0 (golat nga Damjanoviç 9’ dhe Il-Lok Yun 33’). Sulmi i skuadrës kineze rrezikoi shumë pak në pjesën e parë, dhe trajneri Okuta futi Salihin në fraksionin e dytë, në vend të mesfushorit Li Juanhe. Rezultati shkoi në 4-0 për Seulin, sërish me golat e Il-Lok Yun (56’) dhe Damjanoviçit (61’). Në minutën e 80-të, Hamdi Salihi shfrytëzoi në maksimum shërbimin e Jiang Jiajunit, duke shënuar edhe golin e vetëm për skuadrën e tij. Një krosim i ulët i Jiang Jiajunit gjeti Salihin brenda zonës, me shkodrani që nuk fali duke realizuar nga një distancë e afërt prej shtatë metrash.

Molina (87’) mbylli llogaritë e ndeshjes duke fiksuar rezultatin 5-1. “FC Seoul është një ekip i fuqishëm, por unë s’e prisja këtë rezultat. Në pjesën e dytë ne u përpoqëm të përmirësonim shanset tona, duke bërë zëvendësime por sërish pësuam shumë gola për shkak të gabimeve tona”, – tha trajneri i Jiangsu Sainty, Dragan Okuka.  Me golin e realizuar në Ligën e Kampioneve të Azisë, Hamdi Salihi u bë lojtari i tretë shqiptar që shënon në këtë kompeticion të rëndësishëm dhe të barazvlefshme me Ligën e Kampioneve të Europës. Sezonin e kaluar shënuan kosovari Besart Berisha (dy gola) për skuadrën e tij australiane, Brisbejn Roar, si dhe shkodrani Xhevair Sukaj, autor të dy golave për kampionët e Iranit, Sepahan. Salihi është lojtari i tretë shqiptar që, aktivizohet në kampionatin kinez. Salihi ka shënuar gola në Austri për SV Ried dhe Rapidin e Vjenës; në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për DS Junaitid dhe në Kinë, për Jiangsu Sainty. Pra, gola në tre kontinente.

  Sot, radha e Sukajt dhe Bulkut me Sepahanin e Iranit

 Hamdi Salihi nuk është lojtari i vetëm shqiptar, që luan në Ligën e Kampioneve të Azisë. Për kampionen e Iranit, Sepahan, aktivizohen mesfushori tiranas Ervin Bulku dhe sulmuesi shkodran, Xhevair Sukaj. Sepehani do të luajë sot kundër Al Nasr (Emiratet e Bashkuara Arabe), ndërkohë që në grupin C bëjnë pjesë edhe Al Ahli (Arabia Saudite) dhe Al Gharafa (Katar). Gjatë këtij sezoni të kampionatit iranian, Xhevair Sukaj ka shënuar 9 gola, duke qenë ai golashënuesi më i mirë i skuadrës së tij. Nëse për Sukajn, kjo do të jetë hera e dytë që do të marrë pjesë në Ligën e Kampionëve të Azisë, për Ervin Bulkun do të jetë hera e parë.

 Pesë golat kuqezi në Ligën e Kampioneve të Azisë

 Hamdi Salihi u bë shqiptari i tretë që shënon në Ligën e Kampioneve të Azisë. Edicionin e kaluar, sulmuesi kosovar i Brisbejn Roarit (Australi), Besart Berisha, shënoi dy gola: një gol kundër japonezëve të Tokios, në humbjen 4-2 (më 2 maj 2012), dhe një tjetër në barazimin 1-1 me kinezët e Beijing Guan (16 maj 2012). Xhevair Sukaj shënoi dy gola në Ligën e Kampioneve gjatë sezonit të kaluar, për ekipin e tij iranian, Sepehan. Sulmuesi shkodran realizoi një gol në fitoren 2-1 kundër Al Ahlit të Ahlit nga Arabia Saudite (më 15 maj 2012) dhe një gol në fitoren 3-0 ndaj Al Nasrit nga Emiratet e Bashkuara Arabe (1 maj 2012).

Premtimi i Lorik Canës: “Jap 100 për qind kundër Milanit!”

  Lorik Cana është shndërruar në një prej lojtarëve më të rëndësishëm të Lacios, pas performancave të shkëlqyera të kapitenit të Shqipërisë, si në Ligën e Europës ashtu dhe në Serinë A. Loriku komentoi fitoren kundër Peskarës, duke lëshuar edhe sfidën e radhës, atë kundër Milanit, takim që do të luhet në “San Siro”, ditën e diel. “Nuk fitonim prej disa kohësh dhe nuk mund t’ia lejonim vetes kurrsesi të nënvlerësonim kundërshtarët tanë. Shënuam dy gola në fund dhe u çliruam. Le të themi që, paraqitja në përgjithësi ishte e mirë”. Kjo fitore e ngjiti Lacion në vendin e tretë, pasi derbi i “Madoninës”, Inter-Milan u mbyll në barazim. Mesfushori shqiptar i Lacios nuk e fshehu rëndësinë e atij suksesi: “Mund të kishim shënuar edhe një gol të tretë, dhe më vjen keq që s’ia arritëm, por të paktën nuk pësuam. Të fitonim ishte shumë e rëndësishme”. Lacion e pret tani një “tur force”: “Tani na presin Milani, Shtutgardi (në Ligën e Europës) dhe Fiorentina. Tani mendojmë të rikuperohemi për ndeshjen me kuqezintë. Në ‘San Siro’ duhet të japim 100-përqindëshin tonë”. Cana me lojën e tij ka sjellë entuziazëm edhe tek tifozët lacialë, çka pasqyrohet edhe në forumet apo portalet e tyre. “Kemi fituar disa herë në Europë, por kemi çaluar gjatë rrugës në kampionat. Vendi i dytë? Sinqersisht, ne luajmë ndeshje pas ndeshjeje, duke zbritur në fushë çdo tri ditë. Llogaritë bëhen gjithmonë në fund. Kemi qenë gjithmonë sipër, dhe duhet të vazhdojmë kështu, pasi duke parë pas rrezikojmë të humbasim terren. Si kam luajtur? S’është detyra ime

 Kreu i Qendrës së Mjekësisë Sportive dhe Kontrollit Antidoping u bën apel sportistëve

 Mel Ostreni: “Dopingu dënohet me ligj!”

  Mjeku Mel Ostreni, kreu i Qendrës së Mjekësisë Sportive dhe Kontrollit Antidoping pranë Agjencisë të Shërbimit të Sporteve, tha për gazetën “Telegraf” se, në rast se sportistët që do të dalin si përdorues të substancave të ndaluara, pra dopuese, ata do të jenë fajtorët që vetëm që do të mbajnë faturën e përgjegjësisë, pavarësisht kontrollit “jashtë” apo “brenda kompeticionit”. “Tashmë ata e kanë të qartë se, po e përdorën dhe u kapën, jo vetëm që do të prishin karrierën e tyre, por dhe dot të përballen me ligjin dhe kodin penal”, – tha Ostreni për gazetën. Precedentët me peshëngritjen, kur katër sportistë dolën pozitiv (Shqiponja Brahja, Ilirjan Suli, Erkand Qerimaj dhe Hysen Pulaku) krijuan një imazh negativ, ne lidhje me pastërtinë e sportit tonë, sidomos në arenën ndërkombëtare.

  – Zoti Ostreni, para pak ditësh, në Agjencinë e Shërbimit të Sporteve u bë një prezantim i listës së plotë të substancave të ndaluara, ku ishin të pranishëm ishin të gjithë sekretarët e federatave. Cili ishte qëllimi?

 – Nisur edhe nga rastet e mëparshme, ne vendosëm që t’ua bëjmë të ditur dhe publikisht, pra dhe në praninë e medias, të gjithë drejtuesve të federatave dhe përmes tyre dhe sportistëve, listën e substancave të ndaluara. Qëllimi ishte i qartë dhe i drejtpërdrejtë. Të merrnin njoftimet përkatëse, pasi në të shkuarën disa kanë ngritur pretendime se s’janë njoftuar për këtë. (Rasti i fundit ishte i Erkand Qerimajt, i cili doli pozitiv në Kampionatin Europian të Turqisë). Nga ana tjetër, duhet të kemi një gjë të qartë, se çdo njeri që merret me sport profesionist mund të vijë tek ne, në Qendrës së Mjekësisë Sportive dhe Kontrollit Antidoping, të informohet. Por, unë them se në epokën e dixhitilalizimit, gjithkujt i mjafton të kërkojë në internet dhe do ta gjejë listën në disa gjuhë të botës.

 – Rastet e dopingut, sidomos në Peshëngritje, federata e së cilës u dënua me 50 mijë dollarë për kapjen e katër sportistëve me doping, a mendoni se kanë shërbyer për një ndërgjegjësim të sportisteve?

 – Unë besoj që, po. Gjithsesi, nuk mund ta them unë nëse janë ndërgjegjësuar apo jo, por tashmë ata e kanë të qartë se, po e përdorën dhe u kapën, jo vetëm që do të prishin karrierën e tyre, por dhe dot të përballen me ligjin dhe kodin penal.

 – Vitin e kaluar u kryen kontrollet antidopingu në futboll. Lojtarët dolën të pastër…

 – Po, vitin e kaluar u kontrolluan në mënyrë të befasishme 12 lojtarë gjatë tri ndeshjeve të ndryshme të Superligës. Të gjithë dolën negativë. Duhet bërë e ditur një gjë, se në botë futbolli është më i pastri, së bashku edhe me volejbollin.

 – Në Shqipëri, në muajin prill do të organizohet Kampionati Europian për të Rritur, ndërkohë që vendi ynë do të marrë pjesë edhe në Lojërat Mesdhetare të Turqisë. A janë parashikuar kontrolle antidoping?

 – Është në detyrën tonë të kryejmë kontrolle gjatë gjithë vitit, dhe kjo nuk ka të bëjë vetëm me aktivitetet. Së fundi, ne bëmë kontrollet e sportistëve të peshëngritjes. U bë kontrolli shëndetësor dhe funksional i sportistëve, domethënë gjak, biokimiket, urinë, provat funksionale fizike dhe vizita klinike. Gjithashtu, shtangistët nënshkruan personalisht deklaratën e dopingut të firmosur nga presidenti dhe mjeku, ku deklarojnë se nuk kanë përdorur substanca dopingu. Kontrollet antidoping do të vijojnë në të ardhmen si nga qendra shqiptare, ashtu dhe nga ËADA.

 – Zoti Ostreni, si bëhet një kontroll dhe nga vinë materialet që kryen ato?

– Kontrollet janë shumë serioze dhe bëhen sipas te gjitha rregullave ndërkombëtare me short, vendet e nderit në podium të sporteve individuale dhe per ËADA-n dhe Antidopingun shqiptar ska sportistë të majtë apo të djathtë kur kontrollohen. Materialet janë të gjitha të porositura nga firma “Berlinger” që, është e vetmja që kontrakton me WADAn, UEFA, FIFA, CIO. Të gjitha kontrollet që, janë bërë konform te gjitha rregullave, sepse në fund të fundit çdo gjë e bën sportisti i cili në fund, pra në formular, nënshkruan se s’ka asnjë kontestim dhe se kontrolli është bërë sipas rregullave  pasi kemi fatin që këta sportiste kanë bërë gjithmonë edhe jashtë nga organizmat ndërkombëtare..