Sigal

Interi luan fatet e sezonit këtë mesjavë, teksa diskuton një biletë për në raundin e 1/16-ave të Champions League përballë PSV-së. Një biletë e cila nuk varet tërësisht nga ndeshja e së martës në “Giuseppe Meazza”, pasi zikaltërit janë gjithë sy e veshë edhe nga zhvillimet e takimit të “Camp Nou”, atë mes Barcelonës dhe Tottenham.

Megjithatë, një sinjal i rëndësishëm për zikaltërit ka ardhur nga mbrojtësi i Barcelonës, Gerard Pique, i cili ka siguruar italianët se do të luajnë për të fituar përballë “gjelave”.

“Sigurisht që ne do të luajmë për të fituar, ashtu si gjithmonë. Historia jonë tregon këtë, dhe ne nuk duam ndërprerjen e rezultateve tona të mira. Në veçanti, ne duam të fitojmë dhe të mbajmë portën një tjetër herë të paprekur. Sa për Interin dhe Tottenham, unë shpresoj që ekipi më i mirë të kualifikohet. Sigurisht, ne do të luajmë lojën tonë duke u përpjekur ta fitojmë.”-tha Pique për “Tuttosport”.

Inter ka nevojë që Barça të mundë Tottenhamin të martën për të arritur në fazën tjetër edhe me vetëm një barazim kundër PSV, edhe pse katalanasit tashmë e kanë siguruar vendin e parë në Grupin B.