Gentian Mezani: Fitorja me Vllazninë konfirmoi funksionimin gradual të grupit

628
Nga Agron KAJA
KATEGORIA SUPERIORE/ Flet për “Telegraf” trajneri i ri i Laçit, në ndeshjen e parë në stol me tri pikët
E nisët debutimin në stolin e Laçit me fitore, e quani fat apo ndryshim të skuadrës?
Unë mendoj se kjo fitore ishte pjesë e punës së mirë që që kanë bërë lojtarët dhe trajneri Nica. Por, ekipi iu përgjigj mirë për disa gjëra nga e kaluara, të cilat i kisha parë në një kohë shumë të shkurtër. Nuk mund të them se ishte fat, përderisa ishte një fitore e merituar ndaj Vllaznisë.

Bankinën e Laçit e morët në një situatë psikologjike jo të mirë, çfarë mendoni se u përmirësua në ndeshjen me Vllazninë?
Ekipi vinte pas dy humbjeve, e natyrisht që morali kishte rënë. Kjo fitore na qetëson për momentin, dhe për mua ka shumë rëndësi, por prej këtej besoj se na duhet një reflektim më konkret, sepse Laçi ka një kontingjent shumë premtues në këtë sezon.

Ju thoni se ka kontingjent premtues, po pse në 4 ndeshje ka pasur luhatje në lojë e në rezultate?
Me sa kam konstatuar në një javë që e drejtoj skuadrën e Laçit, shikoj se ka një grup të alternuar në moshë dhe eksperiencë, të cilët e mbështesin mirë njeri-tjetrin në lojë. Tani është shpejt për mua të jap një konkluzion, por në vazhdimësi do të kemi më shumë kohë për tu përmirësuar.

Në raport me tre ndeshjet e tjera, me Vllazninë çfarë funksionoi më mirë te fitorja 2-0 e Laçit?
Tre ndeshjet e para të Laçit, unë i kisha parë në video, dhe konstatimi im ishte se mungonte vetëm goli. Në ndeshje ndaj Vllaznisë, ky element u gjet edhe nëpërmjet lojës, edhe për faktin tjetër se skuadra luajti mirë.

Nga fitorja me Vllazninë, janë dy javë të lira, çfarë do të ndryshoni te Laçi për sfidën e javës së pestë me Skënderbeun në Korçë?
Natyrisht që do ta vlerësojmë Skënderbeun siç është në realitet, një skuadër e madhe dhe e fortë në Kategorinë Superiore. Për këtë realitet, ne nuk do të shkojmë si inferiorë në Korçë, dhe duke qenë se kampionati ndërpritet, në këto dy javë pushim pa ndeshje zyrtare do të mundohemi të ndërhyjmë në mangësitë e shfaqura në këto katër javë.

Cilat janë objektivat tuaja në bankinën e Laçit?
Deri tani nuk kam folur për objektiva. Na duhet të grumbullojmë sa më shumë pikë nga ndeshja në ndeshje, e kësisoj, objektiv mbetet vetëm ndeshja e radhës. Kështu ka më shumë efikasitet vazhdimësia, ndaj shpresoj se përmirësimi do të jetë i dukshëm.

Po Laçin, ku e mendoni në këtë sezon që sapo ka filluar?
Kur ju deklarova për synime nga ndeshja në ndeshje, unë nënkuptoj se kemi mundësinë për më shumë rikuperim, i cili natyrshëm sjell përmirësimin në lojë dhe në rezultate. Kjo skuadër është e ndërtuar për të qenë ndër më të mirat e këtij sezoni.

Në katër javët e luajtura, pa dy ndeshjet e sotme, si e përshkruani ecurinë e Kategorisë Superiore 2017-2018?
Duke qenë vetëm katër javë, mendoj se skuadrat ende nuk janë shfaqur plotësisht në potencialet që kanë. Duke iu referuar rezultateve që janë shënuar, ka pasur konfirmime nga skuadrat e kreut, ndërkohë që disa të tjera mundohen të përshtaten me kontingjentet që kanë ofruar gjatë merkatos së verës. Duhet të presim edhe disa javë për një rezyme më reale.
Tre ndeshjet e para të Laçit, unë i kisha parë në video dhe konstatimi im ishte, se mungonte vetëm goli. Në ndeshje ndaj Vllaznisë, ky element u gjet edhe nëpërmjet lojës, edhe për faktin tjetër se skuadra luajti mirë
1 ndeshje
Në bankinën e Laçit, vlonjati Gentian Mezani e kishte ndeshjen e parë, në të cilën u arrit fitorja 2-0 ndaj Vllaznisë

Ndeshjet e Laçit
Sezoni 2017-2018
Java 1/10 shtator 2017
Partizani-Laçi 0-2 
Java 2/ 17 shtator 2017 
Laçi-Luftëtari 0-1
Java 3/ 24 shtator 2017 
Kukësi-Laçi 3-0
Java 4/ 30 shtator 2017 
Laçi-Vllaznia 2-0
Nd 4, F 2, B 0, H 2, G 4:4
Sigal