Gentian Mezani: Fitorja me Skënderbeun e rëndësishme, vitrinë e mirë për skuadrën

516
Nga Agron KAJA
INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” trajneri i skuadrës së Laçit, të vetmit që e kanë mundur skuadrën korçare këtë sezon
Ju si trajner i Laçit, e kishit menduar këtë fitore me Skënderbeun?
Nëse do të deklaroja ndryshe, do ta humbisja sinqeritetin me ju. Sepse ne hyjmë në çdo ndeshje për të mos humbur; së pari, dhe më kryesorja, për të marrë pikët maksimale me çdo kundërshtar. Ndoshta ishte një Skënderbe në vështirësi pas ndeshjeve në Evropa Ligë.

Çfarë mendoni se funksionoi mirë te skuadra juaj në këtë fitore?
Si trajner i Laçit, unë e kisha studiuar Skënderbeun në dy-tre ndeshjet e fundit. Dhe pas kësaj njohjeje teknike, e përgatita skuadrën vetëm për të fituar me të. Funksionoi mirë motivimi dhe përqendrimi i skuadrës në këtë fitore, e cila mbetet si një vitrinë e mirë për të gjithë.

Ju e mundët për herë të parë në këtë sezon Skënderbeun, çfarë ndjesie emocionale e teknike sjell për ju si trajner?
Unë jam me këmbë në tokë, këtë e quaj si fitoren e radhës, edhe pse ishte Skënderbeu i pamundur në këtë sezon dhe që kryeson renditjen. Unë mendoj se për të tilla fitore kam shumë punë për të bërë, pasi rruga është e gjatë; me 22 ndeshje në Kampionat dhe ato në Kupë.

Po te skuadra, ka sjellë shenja euforie fitorja me korçarët kryesues?
Edhe skuadrën me këtë mentalitet e kam përgatitur. Të gjithë e kanë të qartë se euforia të dëmton vazhdimësinë, ndaj edhe lojtarët këtë e kanë parasysh. Ne kemi një skuadër me moshë të re, por të gjithë janë të ndërgjegjshëm për fanellën që përfaqësojnë.

Për javën e 15-të, ditën e së shtunë do të luani ndaj Flamurtarit në Vlorë, për ju si vlonjat dhe si ish-trajner i kësaj skuadre, çfarë përcjell kjo sfidë?
Asgjë më shumë se sa një ndeshje të radhës. Jo se unë me këtë dua që të hedh poshtë origjinën e qytetit tim apo edhe dashurinë për futbollin vlonjat, po se unë jam profesionist. Do të jem kundër tifozëve që më kanë mbështetur, por këtë herë unë dua të mirën e Laçit.

Dhe cili është synimi juaj për këtë përballje në Vlorë ndaj Flamurtarit?
Objektivi i Laçit për ndeshjen me Flamurtarin, është që të marrim maksimumin, sepse nuk do të shkojmë vetëm për të luajtur një ndeshje. Kështu do të jetë, për sa kohë që unë do të jem trajner në skuadra që ndeshen me Flamurtarin.

Nëse Laçi vazhdon këtë ecuri, mendoni se do të zini një vend në renditje që të çon në Kupat e Evropës?
Ne qëndrojmë me këmbë në tokë për çdo synim apo objektiv që kemi. Kur ju deklarova se i marrim ndeshjet me radhë, duam pikët maksimale në secilën prej tyre. Mirë do të ishte që të merrnim pjesë edhe në Evropë, pasi ne synojmë edhe fitimin e Kupës së Shqipërisë.
E kisha studiuar Skënderbeun në dy-tre ndeshjet e fundit, e pas kësaj njohjeje teknike, e përgatita skuadrën vetëm për të fituar me të. Mendoj se funksionoi mirë motivimi dhe përqendrimi i skuadrës në këtë fitore, e cila mbetet si një vitrinë e mirë për të gjithë
1 humbje
Skuadra e Skënderbeut ka shënuar vetëm 1 humbje në këtë sezon, pikërisht në javën e 14-të ia shkaktoi skuadra e Laçit
Ndeshjet-Java e 15-të
Të shtunën, 16 dhjetor 2017 
Vllaznia-Kamza 14:00
Lushnja-Skënderbeu 14:00
Flamurtari-Laçi 17:00
Të dielën, 17 dhjetor 2017 
Luftëtari-Partizani 14:00
Teuta-Kukësi 17:00
RENDITJA
Skuadrat Nd P
1. Skënderbeu 14 31
2. Flamurtari 14 25
3. Kamza 14 23
4. Kukësi 14 22
5. Laçi 14 21
6. Partizani 14 21
7. Teuta 14 15
8. Luftëtari 14 13
9. Vllaznia 14 12
10. Lushnja 14 8
Sigal