Genci Tomori: Me Çanin, autostrada e synimeve të Partizanit bëhet më e sigurt

551
Nga Agron KAJA
INTERVISTA/ Flet për “Telegraf”zyrtari i FK Partizani, i quan të domosdoshme afrimet në merkato dhe ndryshimet në klub
Skuadra e Partizanit po bën një merkato graduale dhe me emra cilësorë, është kjo pjesë e synimeve tuaja?
Natyrisht që po, sepse merkato te Partizani nuk është për sasi, në kuptimin e numrave që mund të afrohen në merkato. Si klub i madh, strategjia në këtë merkato është cilësia, emra futbollistësh që bëjnë diferencën. Vetëm kështu jemi në rrugën e synimeve tona.

Mos ndoshta këtë merkato ja u imponuan edhe shtatë largimet nga sezoni i kaluar?
Kjo është njera nga arsyet që ne vazhdojmë të jemi gradualë dhe të orientuar nga cilësia në këtë merkato. U larguan Ekuban, Torrasa, Mazrekaj dhe disa futbollistë të rinj, dhe këta duhej të zëvendësoheshin, por tashmë të afruarit janë lojtarë të niveleve të larta.

Në fakt, jeni duke përforcuar më shumë mesfushën e sulmin, pse kjo ndarje?
Në fakt, nuk ka ndonjë ndarje apo preferenca të veçanta. Në sezonin e kaluar, portieri dhe mbrojtja ishin repartet më cilësore te skuadra e Partizanit, dhe duke qenë se ata do të jenë edhe në këtë sezon, nuk kishim se si të vepronim ndryshe gjatë kësaj merkatoje. Rëndësi ka që kemi marrë lojtarë të mirë, pse jo, nga më të mirët e tregut të lojtarëve.

Sa e vërtetë është, se Shameti, Bakaj e Taku janë në fokusin e merkatos së Partizanit?
Në fakt, të tre janë futbollistë cilësorë, dhe mbetet për tu parë se çfarë do të sjellin bisedimet me lojtarët. Siç dihet mediatikisht, të tre duken se kanë probleme për tu larguar nga skuadrat ku janë, por ne jemi të gatshëm që ti marrim në skuadër, në çdo moment që ata kanë zgjidhur zyrtarisht largimet nga skuadrat ku kanë qenë më parë.

Afrimi i Edgar Çanit, mos është fundi i një merkatoje “Big”të Partizanit në këtë verë?
Jo, sepse zyrtarisht merkato është e hapur deri më 31 gusht, e deri atëherë janë rreth katër javë të tjera që mund të sjellin ndryshime dhe afrime në mëkato. Çanin do ta dëshironte ta kishte në skuadër çdo trajner në Kategorinë Superiore, për vetë vlerat që ai ka si sulmues. Ai pranoi Partizanin, sepse i pëlqeu projekti që ka klubi, i cili sot është një nga më profesionistët në futbollin shqiptar.

Partizani ka ndryshuar edhe trajnerin, do të sjellë Iuliano të tjerë lojtarë, sikundër premtoi javën e kaluar gjatë prezantimit zyrtar?
Trajneri pritet të sjellë edhe ndonjë lojtar tjetër, veç Salvaxhios dhe La Kamera. Unë ja u deklarova më sipër, se deri më 31 gusht ne jemi në ritmin e merkatos, jo me çfarë të na dalë përpara, por sipas strategjisë së klubit, e cila është e orientuar kryesisht në lojtarë cilësorë që të bëjnë diferencën në Kategorinë Superiore.

Kësisoj, Partizani duket se do të kërkojë të gjithë trofetë e sezonit të ri futbollistik?
Për një skuadër të madhe si Partizani, nuk ka kuptim ndryshe, në synimet e një sezoni futbollistik. Kampionati dhe Kupa janë objektivat kryesorë, për të cilët është duke u bërë e gjithë kjo përgatitje, si në afrimin e emrave në mëkato, ashtu edhe në zhvillimin e fazës përgatitore.

Keni deklaruar se, do të zhvilloni një fazë përgatitore në Itali, i qëndroni ende kësaj agjende?
Patjetër që po. Nga data 10 gusht e deri më 30 gusht, skuadra do të zhvillojë përgatitjet e saj në Peruxhia, ku gjatë kësaj hapësire kohë, do të luajmë edhe disa ndeshje miqësore. E para miqësore që do të luhet, është ajo me skuadrën e Ternanës në Serinë B, ndërsa do të luajmë edhe 2-3 ndeshje të tjera, për të cilat ende nuk i kemi përcaktuar emrat e kundërshtarëve. 

Kur do ta ketë Partizani stadiumin që ka premtuar?
Ne si klube e kemi deklaruar, më fort presidenti Demi, se stadiumi është në ndërtim me ritme të mira. Kemi shpresën për në vjeshtë, sepse do të jetë një impiant modern, që do t’i shërbejë shumë të gjitha skuadrave që ka sot në aktivitet Partizani. 

Po për Titullin Kampion të sezonit 2015-2016 që iu hoq Skënderbeut, ju çfarë po prisni?
Në fakt, logjika më formale ishte e thjeshtë, Skënderbeu u dënua nga UEFA e më pas nga FSHF-ja për trukime, dhe iu hoq titulli kampion. Kështu, Partizanit të vendit të dytë, automatikisht i takon titulli, dhe kjo nuk duhet të ishte kaq e vonuar. Ne jemi kampionët zyrtarë të atij edicioni, dhe FSHF-ja nuk duhet të vonojë më shumë për të bërë zyrtarizimin e skuadrës kampione, Partizanit.
Zyrtarisht merkato është e hapur deri më 31 gusht, e deri atëherë janë rreth katër javë të tjera që mund të sjellin ndryshime dhe afrime në merkato. Çanin do ta dëshironte ta kishte në skuadër çdo trajner në Kategorinë Superiore, për vetë vlerat që ai ka si sulmues. Ai pranoi Partizanin, sepse i pëlqeu projekti që ka klubi, i cili sot është një nga më profesionistët në futbollin shqiptar
Sigal