Genc Tomorri : Me Starovën, Partizani ka harmoni e rezultate

581

KATEGORIA SUPERIORE/ Flet
për “Telegraf” Drejtori i Përgjithshëm i Klubit të Futbollit Partizani, Genc
Tomorri


Me Starovën, Partizani ka
harmoni e rezultate


Nga Agron KAJA


Genc, pamja juaj fizike ndoshta na “xhelozon”
për të “dyshuar” në 56 vitet e jetës suaj. Ka të bëjë kjo me aktivitetin tuaj
të pashkëputur nga futbolli, apo ndonjë “sekret” tjetër?



Besoj se po, pasi duke qenë në aktivitet pune të
pandërprerë dhe kryesisht me moshat e reja, duket se ata na e japin këtë freski
që sot ju po ma vini në dukje. Por mendoj se qënia në aktivitet me një skuadër
të madhe si Partizani, ndoshta e shton atë “xhelozinë” që mua më jep më shumë
krenari dhe impuls në aktivitetin tim



Që t’i afrohemi më shumë idesë së
intervistës, si e përshkruani Partizanin në tetë javët e luajtura në këtë sezon
të Kategorisë Superiore?



Në këtë sezon, 2016-2017, unë e shoh skuadrën e Partizani
në dy tablo. Së  pari një skuadër që luajti me dinjitet e sukses në Kupat
e Europës në 8 ndeshje me ekipe shumë të forta, e më pas erdhi Kampionati që ka
natyrë krejt tjetër. Këto motive na bëjnë më të ngadaltë rezultatin, por edhe
pse trajneri Sormani nuk e njihte mirë psikologjinë e kampionatit shqiptar dhe
çaluam në disa ndeshje. Por, Klubi dhe presidenti ndërhynë në kohën e duhur,
sepse mosmenaxhimi i mirë me disa lojtarë nga italiani po na penalizonte.



Këtë sezon dukeni shumë më të motivuar nga të
kaluarit sa i përket titullit Kampion, çfarë ka ndryshuar për mirë në skuadrën
e Partizanit?


Ka ndryshuar shumë mentaliteti i fituesit, sidomos në
këto tre javë që drejtimin e skuadrës e ka marrë Sulejman Starova. Me Sormanin
kuptuam se trajnerët e huaj janë larg mentalitetit të futbollit tonë. Ata kanë
ide fikse që nuk përshtaten në Shqipëri.



Në tetë javë keni një diferencë 2 pikë nga
Skënderbeu kryesues në renditje, e mendoni të shpejtë parakalimin për marrjen e
kreut?



Për një kampionat të gjatë si ky me 36 javë, nuk duhet
distancë e largët me skuadrën rivale. Fillimisht ne gabuam në një apo dy
ndeshje dhe diferenca në pikë me Skënderbeun shkoi në 7. Tani me 2 pikë
diferencë themi se loja e mirë do na çojë te suksesit për titullin kampion.


Në këndvështrimin e drejtorit, si ka qenë
ecuria e Partizanit në këto tetë javë?

Me ndeshjet që zhvilluam, unë mendoj se bëmë një sukses
në Champions Ligë, por suksesi kryesor për ne duhet në Kampionat e Kupë, dhe ne
këtu e shohim gjithçka në këndvështrimin e realizimit të synimeve sezonale.



Pikën më të fortë duket se e keni portën,
pasi keni pësuar vetëm 1 gol në tetë javë, po pika më e dobët në skuadrën tuaj,
cila është?


Mendoj se te Partizani pika më e fortë është e gjithë
skuadra, por natyrisht që veçohet kapiteni Hoxha. Ne kemi kolektivitet e grup
të fortë në skuadër dhe këto tregues na kanë çuar në vendin e dytë në renditje,
ndërkohë që si pika më e dobët kanë qenë sulmuesit, të cilët duhet të kishin
shënuar më shumë, dhe do të kishim më shumë pikë. Kështu ka ndodhur me Vllazninë
apo edhe me Kukësin.


Me ndeshjen e javës së 9-të ndaj Skënderbeut
mbyllet faza e parë, është kjo përballje juaj direkte për titullin kampion?

Jo, ne mendojmë se kjo është ndeshje e radhës, është
morale për skuadrën tonë që ta kalojë me sukses. Kjo ndeshje nuk besoj se e
diskuton titullin kampion, por prej saj duhet të tregojmë karakter për të
shkuar në këtë synim madhor.



Mendoni se ka ndikuar në psikologjinë e
skuadrës suaj mosndëshkimi i Skënderbeut nga FSHF-ja për titullin Kampion të
sezonit të kaluar?

Ne kërkuam të zbatohej rregullorja e UEFA-s, përderi sa
ajo na njohu për të luajtur në Ligën e Kampioneve. Ky ishte një mendim logjik
dhe juridik, bazuar në Rregullore se kush skuadër merr pjesë në këtë
kompeticion dhe mosnjohja jonë si Kampionë, aspak nuk ka ndikuar te mbarëvajtja
e skuadrës.


Po ndryshimi i bankinës te skuadra juaj, i ka
shërbyer rritjes, apo stabilitetit së rezultateve në skuadër?

E përmenda më sipër se, trajneri italian nuk dha atë që
pritej, kishte mentalitet ndryshe nga ky në futbollin shqiptar. Me Starovën
duket se ka më shumë harmoni në skuadër dhe duke marrë vetëm fitore unë mendoj
se ka rritje, e cila do të ketë një stabilitet për më shumë.



Dhe këtë sezon, veç Skënderbeut, mendoni
rivalë të tjerë për titullin kampion?

Nga historia, por referuar realitetit në lojërat e
zhvilluara dhe në renditje, besoj se do të jenë tre-katër skuadra për titullin
kampion. Veç Skënderbeut, Partizani do të ketë rivalë edhe Kukësin e Tiranën,
pasi janë skuadra që kanë lojtarë cilësorë, janë skuadra të kompletuara të
cilat kanë treguar se e synojnë trofeun. Do të jetë një kampionat i fortë dhe i
vështirë dhe lufta për titullin kampion besoj se do vazhdojë der në fund, në
javën e 36-të.



Po me stadiumin për sfidën me korçarët, do ta
luani në Tiranë apo jashtë saj?

Ne në këtë sezon, pas prishjes së stadiumit “Qemal Stafa”
jemi duke i luajtur të gjitha ndeshjet në transfertë dhe nuk kemi qenë shumë të
privilegjuar nga stadiumi. Për këtë arsye ne nuk kemi pasu në 100% mbështetjen
e tifozerisë sonë, e cila edhe kështu po tregon se e don Partizanin në elitë.
Eksperienca besoj se do dominojë që ta kalojmë këtë ngërc me stadiumin dhe me
Skënderbeun dëshira jonë është që të luajmë në “Selman Stërmasi”. Ende nuk kemi
një përgjigje definitive.



Ndërkohë, me ndërtimin e stadiumit tuaj deri
ku keni shkuar, kur do ta keni “shtëpinë” tuaj të futbollit?

Ndoshta ai do edhe pak kohë, ndoshta vitin e ardhshëm.
Ndërtimi po shpejtohet, sepse ne mungesën e stadiumit e quajmë si penalitetitin
më real në arritjen e synimeve tona në këtë sezon futbollistik.


Ju keni qenë edhe pjesë e Kombëtares Genc,
por statistikat tuaj tregojnë për pak ndeshje të luajtura. Pse?

Sepse në ndeshjen me Gjermaninë u dënova 5 vjet. Çfarë
ndodhi? Unë luajta 44 minuta, bëra gol në minutën e 23-të, por në të 44-ën
arbitri më nxorri mua me karton të kuq që nuk pata kontakt, kur Petro Ruci u
konfliktua me Fëlerin. Kjo bëri që të mos aktivizohesha më me Kombëtaren.



Sipas jush, cila është situata e Kombëtares
sot?

Them se duhet të jemi me këmbë në tokë sa i përket
Kombëtares sonë në ndeshjet eliminatore të Botërorit 2018. Ne kemi Spanjën dhe
Italinë në grup që janë skuadra të mëdha të futbollit botëror, por që edhe nuk
duhet të dorëzohemi. Fitorja me Izraelin na jep atë që kemi mundësi reale dhe
ne këtu duhet të luftojmë shumë më fort.



Ka një debat virtual De Biazi-Hafizi, në
gjykimin tuaj cili prej tyre ka “shkelur” etikën e profesionistit?

Një trajner në detyrë dhe një ish-trajner në detyrë në
drejtimin e Kombëtares, mendoj se nuk duhet të kenë mosmarrëveshje me
njeri-tjetri. Ata duhet të tregohen më miqësorë, jo vetëm për etikën e
profesionit, por edhe për ti shërbyer sa më mirë skuadrës, në këtë rast në
aspektin psikologjik që sjellin këto akuza e kundër akuza të ndërsjellta.



Pa futboll, e keni menduar ndonjëherë jetën
tuaj Genc?

Për moshën që kam, unë asnjëherë nuk e kam menduar jetën
time pa qenë pranë futbollit, të çdo niveli. Kam shumë kohë që nuk kam lëvizur
nga Partizani, të cilin e dashuroj me zemër dhe nuk e besoj ndarjen prej tij.



Po jashtë futbollit, cila është jeta e Genc
Tomorrit?

Unë mundohem të jem familjar si në familje, ashtu edhe në
futboll. Por, përkushtimi më i madh në këtë periudhë ërkushtimi më i madh në
kohë në këtë periudhë është në futboll.

 

 

 

 

Skeda/ Genci Tomorri


Datëlindja: 17 janar 1960

Vendlindja: Tiranë

Arsimi: ILKF “Vojo Kushi” 1978-1981

Sporti që ka ushtruar: Futboll

Lidhjet me futbollin elitar: Në vitin 1979 me Partizanin

Roli në fushën e lojës: Mesfushor

Këmba e preferuar: E djathta

Skuadrat ku është aktivizuar: Me Partizanin 1979-1989, me
Besën 1989-1990

Tituj e trofe të fituara: Kampion me Partizanin 1980-1981
dhe 1986-1987; Kupën e Shqipërisë me Partizanin 1979-1980

Me Kombëtaren: Luajtur 3 ndeshje, shënuar 1 gol

Si trajner: Në sezonet 2000-2004 zëvendëstrajner te
Partizani, 2005-2006 trajner te Partizani, 2006-2014, trajner me U17 e U19 te
Partizani; 2014 e në vazhdim, drejtor i përgjithshëm i FK Partizani

Kualifikime: Trajner me Licencën pro dhe licensën
drejtorit sportiv të UEFA-s

 

 

Ndeshjet              java e 8-të

Datë 22 tetor 2016

Korabi-Partizani                   0-1

Laçi-Flamurtari                     1-1

Skënderbeu-Kukësi        
   0-0

Datë 23 tetor 2016

Luftëtari-Tirana                     2-1   

Vllaznia- Teuta                     1-0

RENDITJA

Skuadrat                   Nd     Pikë

1. Skënderbeu        8       
19

2. Partizani                8       
17

3. Kukësi                   8        14

4. Tirana                    8        13

5. Vllaznia                 8       
10

6. Luftëtari                 8       
10

7. Flamurtar               8       
6

8. Laçi                        8       
7

9. Korabi                    8        5

10.Teuta                    8        5

Ndeshjet-java e 9-të

Teuta-Laçi

Tirana-Vllaznia

Kukësi-Luftëtari

Partizani-Skënderbeu

Flamurtari-Korabi

Sigal