Genc Tomori, trajneri i ri i Partizanit: “Misioni, Europa!

602
Sigal

Zyrtarizohet largimi i portugezit Marcio Sampaio. Tomori, në bankinë kundër Lushnjës

Genc Tomori është trajneri i ri i Partizanit, pas zyrtarizmit të largimit të Marcio Sampaios. Tomori, një ish-lojtar i njohur i të kuqve, kampion në sezonin 1986-1987, aktualisht është në rolin e Drejtorit Teknik dhe në të kaluarën e ka drejtuar disa herë në periudha të shkurtra Partizanin. Presidenti Gazmend Demi zhvilloi dje një takim “lamtumire” me portugezin. Sampaio i paraqiti numrit një të klubit të kuq argumentet e dorëheqjes. Në fund të takimit presidenti Demi e pranoi dorëheqjen e 35-vjeçarit, duke e falënderuar atë për punën që ka bërë me 15 herë kampionët e Shqipërisë gjatë muajve të fundit. Me largimin e Sampaios, ndeshjen e fundit të këtij sezoni, atë kundër Lushnjës do ta drejtojë Genc Tomorri, aktualisht Drejtor Teknik dhe trajner i ekipit U-19 të Partizanit. Marcio Sampaio pësoi tri humbje ne pesë ndeshjet e fundit (Teuta, Laçi, Skënderbeu) që i kushtoi dhe dorëheqjen. Portugezi mbërriti në Tiranë gjatë merkatos së dimrit në rolin e përgatitësit atletik, u emërua trajner i parë pas dorëheqjes së Hasan Likës në fillim të muajit shkurt. Nën drejtimin e tij Partizani zhvilloi 14 ndeshje, ndër të cilat 6 fitore, 5 barazime dhe 3 humbje. Disfata me Skënderbeun në “Qemal Stafa”, që i minimizoi mundësitë e Partizanit në Ligën e Europës, e detyroi Sampaion të jepte dorëheqjen, që u pranua nga presidenti Demi vetëm pas dy ditësh. Marcio Sampaio foli pas largimit nga posti i trajnerit të Partizanit. Ja fjalët që portugezi tha pas pranimit të dorëheqjes nga ana e presidentit Gazmend Demi. “Dua t’ju informoj se nëpërmjet një marrëveshje miqësore ndërpreva kontratën me klubin e madh FK Partizani. Pas disa takimesh me presidentin,i cili bëri të gjitha përpjekjet që unë të qëndroja në drejtimin e skuadrës , mendova se zgjedhja më e mirë për të dyja palët ishte vendimi që bëra publik për mediat menjëherë pas ndeshjes me Skënderbeun. Pas çdo ndeshje të humbur, unë jam përgjegjësi kryesor dhe për faktin së humbja ndaj Skënderbeut minimizoj shanset për të realizuar objektivin tone primar pjesëmarrjen në Kupat e Europës. Kam dëgjuar të gjitha fjalët e tifozëve pas ndeshjes, unë ju kuptoj ju (tifozët), dhe thjesht bëra atë që duhet të bëja, sepse të gjithë ju ishit përgjigjja e punës tonë. Kur ju nuk jeni të lumtur, edhe ne s’mund të jemi, dhe ju kuptoj për këtë. Po largohem i qetë pasi në ndërgjegjen time jam i bindur që kam dhënë 100% të mundësive të mia në këtë klub. Unë jam profesionist dhe kam punuar për të mirën e klubit gjatë gjithë kësaj periudhe. Nuk kam asnjë pishman për çdo vendim që kam marrë dhe koha do të më japë të drejtë.” Më tej Sampaio falënderoi të gjithë te klubi i të kuqve si dhe tifozët e skuadrës, duke shprehur dhe një dëshirë në fund. “Dua të falënderoj të gjithë njerëzit që më mbështetën në punën time. Dua të falënderoj stafin  teknik, lojtarët që ishin të shkëlqyer për gjatë 13 ndeshjeve dhe bënë gjithçka për t’i fituar ato, pra e gjithë përgjegjësia është e imja. Dua të falënderoj të gjithë trajnerët e kampionatit për mbështetjen që më dhanë përgjatë kësaj periudhe, për mesazhet dhe fjalët pozitive në adresën time. Falënderoj të gjithë lojtarët e skuadrës për respektin e treguar ndaj meje. Dhe në fund unë dua t’ju tregoj ju, ky nuk është fundi por një fillim i ri. Që nga ky moment tifozët duhet ta mbështesin ekipin siç kanë bërë gjithmonë, ta mbështesin sepse unë dua ta shoh Partizanin Kampion”, – përfundon falënderimi i gjatë i portugezit Marcio Sampaio.

KRAHASIMET E REZULTATEVE

HASAN LIKA

Ndeshje:             18

Fitore:          8

Barazime:           3

Humbje:              7

Pikë: 26 nga 54 të mundshme

Përqindja e suksesit: 51,8%

Ndeshje:             14

Fitore:          6

Barazime:           5

Humbje:              3

Pikë: 23 nga 42 të mundshme

Përqindja e suksesit: 54,7%

 Sampaio: “Kërkoj falje publike”

 Ish-trajneri i Partizanit, Marcio Sampaio, kërkoi falje publike para largimit të tij nga skuadra e kuqe e nga vendi ynë. “Falënderoj të gjithë tifozët tanë që kanë qenë lojtari ynë i 12-të për mbështetjen e madhe që na kanë dhënë, nuk do t’ju harroj kurrë. Dua të falënderoj Presidentin e Klubit për të gjithë mbështetjen e tij. Faleminderit për mundësinë që ju më dhatë dhe dua që publikisht t’ju kërkoj falje për faktin se nuk arrita të realizoja objektivin që ju dëshironit”.

NDESHJET E SAMPAIOS

Java 19  Partizani-Lushnja      2-0  F

Java 20  Vllaznia-Partizani      1-1  B

Java 21  Partizani-Skënderbeu 0-0  B

Java 22  Teuta-Partizani          1-1  B

Java 23  Partizani-Bylis           2-0  F

Java 24  Vllaznia-Partizani      0-1  F

Java 25  Partizani-Tirana         1-1  B

Java 26  Flamurtari-Partizani  0-0  B

Java 27  Partizani-Besa           1-0  F

Java 28  Teuta-Partizani          3-1  H

Java 29  Partizani-Kukësi        1-0  F

Java 30  Partizani-Kastrioti     1-0  F

Java 31  Laçi-Partizani            2-0  H

Java 32  Partizani-Skënderbeu       1-2  H

Bilanci: 14 ndeshje; 6 fitore, 5 barazime, 3 humbje. 23 pikë

  

Situata e ekipeve që luftojnë për Europën

 Në luftën për një apo dhe dy biletat e fundit në Ligën e Europës – kjo në varësi të përfundimit të finales së Kupës së Shqipërisë midis Kukësit dhe Flamurtarit, janë tre skuadra: Laçi (vendi i tretë, 51 pikë), Teuta (vendi i katërt, 51 pikë) dhe Partizani (vendi i pestë, 50 pikë). Me renditjen aktuale, pra nëse Kupën e fiton Kukësi në Europë kalojnë Laçi e Teuta. Në rast se, Kupën e fiton Flamurtari në Europë shkon vetëm vendi i tretë, pra Laçi, ndërsa digjen Teuta e Partizani. Në javën e fundit, Partizani luan kundër Lushnjës së rënë nga Kategoria; Laçi në Korçë kundër Skënderbeut (kampion i zyrtarizuar), ndërsa Teuta do të luajë në Shkodër kundër Vllaznisë, me shkodranët që ende nuk e kanë zyrtarizuar qëndrimin në Superligë. Partizani duhet të fitojë, që të shkojnë në Europë, kjo e shoqëruar edhe me humbjen e dy skuadrave rivale. Gjithsesi, një përfundim i qartë do të dalë pas finales së Kupës së Shqipërisë, që do të luhet më 17 maj.

RENDITJA E RIVALËVE PËR EUROPË

3. Laçi          51 pikë 39:27

4. Teuta        51 pikë 43:34

5. Partizani   50 pikë  29:24

NDESHJET E JAVËS SË FUNDIT

Lushnja-Partizani      10 maj 17:00

Teuta-Vllaznia           10 maj 17:00

Skënderbeu-Laçi        10 maj 17:00

 Teuta: “Shkojmë ne në Europë”

 Në kampin durrsak ka përqendrim maksimal për ndeshjen e fundit ndaj Vllaznisë në Shkodër, por për Ilir Biturkun gjithçka mund të shkojë mirë nëse skuadra do të japë maksimumin në “Loro Boriçi”.

“Kemi ndeshje të vështirë sepse Vllaznia ende nuk ka siguruar plotësisht mbijetesën. Mendoj se mund të fitojmë dhe të shpresojmë për Europën dhe kjo nuk varet plotësisht nga ne pasi Skënderbeu duhet të bëjë “detyrën” ndaj Laçit që e kemi rival direkt në renditje. Të gjithë lojtarët i kam në dispozicion dhe them se mund t’ia dalim me sukses e në sezonin tjetër të jemi në Europë”.

Kastrioti luan për qejf, lojtarët nuk bëjnë as stërvitje

 Skuadra e Kastriotit nuk duket aspak e impenjuar para javës së fundit të kampionatit. Krutanët kanë rënë prej disa javësh nga Kategoria Superiore, dhe nuk e kanë marrë mesa duket shumë seriozisht ndeshjen me Flamurtarin. Përplasja me vlonjatët ka kaluar në plan të dytë për formacionin e Nevil Dedes, aq sa edhe të martën nuk është zhvilluar sipas programit seanca e radhës stërvitore, ndonëse të gjithë lojtarët dhe trajneri u paraqitën në orar në fushën me bar sintetik të ish-kompleksit Dinamo.

Deri në javën e fundit të kampionatit të gjithë lojtarët janë të detyruar të respektojnë garën, pasi shpresojnë të paguhen sipas kontratës. për djersën e derdhur në fushën e blertë, ndërsa vijimi i mundshëm i karrierës në Krujë do të varet nga objektivat që do të kenë drejtuesit. Megjithatë kësaj situate të paqartë nuk mund t’i zërë besë skuadra e Flamurtarit, që i duhet të marrë të paktën një pikë në sfidën e Krujës, që mbijetesë që mos kushtëzohet nga rezultatet e Vllaznia–Teuta dhe Tirana–Besa.

 Kush mund të largohet?

 Lojtarë të tillë si: Sefa, Turdiu, Xhafa, Sheta, Ferraj, Abraham, Bratic Popovic etj., vështirë se do të pranojnë të luajnë në Kategorinë e Parë sezonin e ardhshëm, pavarësisht premtimeve të drejtuesve për të ruajtur grupin me qëllim ringjitjen e shpejtë në Superiore.