Genc Tomori: “Të rinjtë, e ardhmja e Kombëtares”

41

Specialisti i futbollit analizon barazimin me Kamerunin: “Besoj te projekti i italianit De Biazi”

Shqipëria e mbylli me një barazim pa gola ndaj Kamerunin vitin ndërkombëtar fubtollistik 2012. Kuqezinjtë bënë një paraqitje të mirë ndaj “luanëve” të Afrikës, duke dëshmuar se janë në rrugë të mbarë, për më tepër që trajneri italian ishte bazuar në një formacion ku mbizotëronin të rinjtë. Ish-mesfushori i avancuar i Kombëtares, Genc Tomori, një ish-futbollist me karrierë të gjatë sportive te Partizani, tha për gazetën “Telegraf” se, loja e Kombëtares ndaj Kamerunit tregoi vlerat e futbollit tonë, legjionarëve që luajnë jashtë, por konfirmoi edhe paraqitjen e mirë të lojtarëve të rinj. “Duke e parë në tërësi lojën e zhvilluar nga Kombëtarja jonë, – tha Tomori për gazetën, – mund ta them me bindje të plotë se, bëmë një paraqitje të pëlqyeshme dhe, në jo pak raste e vumë në vështirësi Kamerunin. Një gol ndaj tyre do të ishte shpërblimi më i mirë i të gjithë punës së bërë”.

– Zoti Tomori, Kombëtarja barazoi pa gola me Kamerunin, një prej ekipeve më të forta të Afrikës dhe që në gjirin e saj dhe një prej sulmuesve më të mirë në botë, Samuel Eto’o. Cili është komenti juaj?

– Duke e parë në tërësi lojën e zhvilluar nga Kombëtarja jonë, edhe pse bëhet fjalë për një ndeshje miqësore, mund ta them me bindje të plotë se, bëmë një paraqitje të pëlqyeshme dhe, në jo pak raste e vumë në vështirësi Kamerunin. Konstatova një volum të madh loje, një mbrojtje që thuajse ishte në perfeksion, një mesfushë më të lëvizshme, por dhe një sulm më afër kundërshtarit.

 – Gjatë lojës u vë re dhe ndonjë fazë me ritëm të ulët, shenja lodhje dhe lojtarë jo të impenjuar si në ndeshjet zyrtare…

 – Nuk duhet të harrojmë se, ishte vetëm një miqësore, dhe jo të gjithë lojtarët japin 100 përqindëshin e tyre, pasi u ruhen dhe ndonjë dëmtimi, apo dhe bëhen shumë zëvendësimi, pasi këto ndeshje janë më shumë taktike dhe në funksion të ideve që dëshiron të përcjellë trajneri.

– Kjo ishte miqësorja e dytë rresht pa gola e Shqipërisë, përfshirë dhe atë ndaj Moldavisë, në gusht. Pavarësisht se, patëm disa raste për të shënuar, nuk arritëm ta gjenim rrjetën. Si do ta vlerësonit sulmin tonë?

 – Nuk duhet të harrojmë se luanim kundër Kamerunit, një prej skuadrave më të forta në Afrikë, me disa pjesëmarrje në finalet e Botëroreve dhe një grup shumë cilësor lojtarësh, boll të marrim në konsideratë një sulmues të klasit të lartë si Samuel Eto’, kampion i Europës me Barcelonën dhe Interin. Vërtet nuk arritëm të shënonim, por rastet nuk na munguan, mund të kishim finalizuar me Çani, Balaj por dhe Vajushi, në fund të ndeshjes.

– Miqësoja e pestë gjatë këtij viti, e mbyllur me një bilanc pozitiv, dy fitore (me Katarin dhe Iranin), dy barazime (me Moldavinë dhe Kamerunin) dhe vetëm një humbje (me Gjeorgjinë). Sipas jush, sa do të na shërbejë kjo statistikë?

 – Absolutisht që, do ta konsideroja një vit të suksesshëm futbollistik, jo vetëm përsa u përket ndeshjeve miqësore, por unë mendoj se, dhe në katër takimet zyrtare, me përjashtim të ndeshjes së humbur në mënyrë të pamerituar me Islandën (1-2), Kombëtarja jonë ka një rritje në lojën e saj.

 – Zoti Tomori, pas nëntë ndeshjeve të Xhani De Biazit në krye të Kombëtares sonë, a mund të themi se po funksionon projekti “De Biazi” te Shqipëria?

 – Ndeshjet e Kombëtares janë të pakta në numër, por ato kanë shumë rëndësi për trajnerin. Puna e tij matet me rezultatet. Në këtë këndvështrim, gjashtë pikët e mara nga katër ndeshjet e para zyrtare, paraqitjet e mira në miqësore, numri i madh i lojtarëve të provuar, apo dhe futbollistëve të rinj të afruar, si Edgar Çani, Armando Sadiku, Burim Kukeli, Alban Meha, Mërgim Mavraj, Etrit Berisha, apo dhe kundër Kamerunit, si Renato Arapi, Bekim Balaj, Armando Vajushi, Bruno Telushi, tregojnë se De Biazi po përpiqet të krijojë skuadrën e tij. Në një vit nuk mund të bësh ndryshime drastike, pasi duhet patjetër të ruhet bërthama bazë, dhe ai e ka bërë atë. Boll të kujtojmë Erjon Bogdanin apo Lorik Canën, Ervin Bulkun apo Armend Dallku, që kanë vite që luajnë në përfaqësuese. Unë përsonalisht, do ta çmoja si pozitive punën pozitivie dhe frymën e grupit që ka sjellë De Biazi. Të mos harrojmë se ne jemi Shqipëria, kampionati ynë bazë nuk është në nivelin e dikurshëm, apo ai që ne duam të jetë. Duhet të jemi me këmbë në tokë. Vetëm kështu do të ecim përpara dhe do të kemi vazhdimësi në rezultate. Mendoj se, tani kemi një bazë të re dhe të mirë lojtarësh të rinj.

 – Shumë pak lojtarë përfaqësonin kampionatin shqiptar në miqësoren ndaj Kamerunit. A është ky një sinjal jo pozitiv në lidhje me Superligën tonë?

 – Nuk do ta shikoja në këtë këndvështrim. Një ekip Kombëtar konceptohet ndryshe nga një skuadër klubi. Lojtarët nuk përzgjidhen në tavolinë, por nga forma që ata gëzojnë. Mund të jesh 18 apo 35 vjeç dhe sërish mund të kesh vend në Kombëtare. Nuk mund të thuash se, dikush që është 30 vjeç nuk mund të ketë vend në përfaqësuese. Renato Arapi debutoi në një moshë të pjekur, dhe kjo do të thotë se ai e ka merituar ftesën. parë Nuk duhet ta harrojmë se lojtarë të tillë si Bekim Balaj dhe Armando Vajushi janë prodhim i kampionatit tonë. Mesa kam vënë re, syri i De Biazit, nëse mund të shprehem kështu, nuk i ka shpëtuar askush, ai po thërret ata që janë në formë, sipas tij, kjo dhe në funksion të një grupi sa më të madh lojtarësh.

HISTORIA

Tomori, gol kundër Gjermanisë

Genc Tomori është autori i golit të 50-të të Kombëtares shqiptare, pikërisht në ndeshjen e humbur 2-1 kundër Gjermanisë, në Sarbryken, takim i vlefshëm për eliminatoret e Euro 1984. Tomori është një tifoz i hershëm i Italisë. Ish-mesfushori i avancuar i Partizanit, Genc Tomori, në të vetmen ndeshje të tij me Kombëtaren, pra Gjermani-Shqipëri 2-1 (20.11.1983) shënoi gol në të 23′ (1-0 për Shqipërinë) dhe karton i kuq në të 48′ (kur rezultati ishte 1-1). Në ndeshjen e Sporting i Lisbonës-Partizani 4-0, të vlefshme për Ligën e Kampioneve (edicioni 1987-1988), Tomori luajti si portier në vend të Mustës të ndëshkuar me karton të kuq.

_____________________________________________________________________________________

FSHF-JA, 50 MIJË EURO PËR FUTBOLLIN KOSOVAR

Federata Shqiptare e Futbollit do t’i dhurojë 50 mijë euro homologes së saj kosovare, për zhvillimin e futbollit në Kosovë. Vendimi u morr nga Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së. Katër vendimet e tjera kishin të bënin me rikonstruksionin e fushës së stadiumit të Lushnjës; pjesëmarrjen e skuadrave të Shkollës së Mjeshtërisë Durrës dhe Tiranë në Kategorinë e Tretë, duke nisur nga sezoni 2012-2013. Gjatë mbledhjes u aprovuan ndryshimet në rregulloren e Licencimit për skuadrat që do të marrin pjesë në Kompeticionet Europiane, bazuar në kërkesat e reja të UEFA-s. U miratuan Dekorimet e fundvitit “Nderi i Futbollit”, “Legjenda e Futbollit” dhe “Pllakatë Mirënjohje” për figurat e shquara në historinë e futbollit shqiptar. Këto dekorime do të bëhen publike në mbrëmjen e “Festës Gala”, më datë 21 dhjetor 2012.

____________________________________________________________________________________

EDHE APELI E “INTERNON” BESËN

Edhe pse Besa e ankimoi vendimin e ashpër të Komisionit të Disiplinës (datë 6 nëntor), Komisioni i Apelit nuk u pa ta arsyeshme ta ndryshojë atë. Kështu, Besa, për shkak të hedhjeve të sendeve të forta në fushën e lojës, duke shkaktuar akte të dhunës ose ndërprerje të përkohshme të lojës, si dhe sjellje ofenduese të spekatorëve, u dënua me ndalimin e zhvillimit të gjashtë ndeshjeve në stadiumin e saj. Kështu, Besa do të luajë gjashtë ndeshje jashtë Kavajës, në rastin kur ajo është skuadër organizatore. Kavajasit do të rikthehen të luajnë në shtëpi, në prill të vitit të ardhshëm.