Gega: “Nder të jem te Partizani, por kam një projekt me Shpresat”

997
Sigal

 

Ish-mbrojtësi i kuq, tashmë drejton Kombëtaren U-21: “Po punoj, për të fituar ndeshjen me Hungarinë”

 

 Skënder Gega, trajneri i Kombëtares U-21 të Shqipërisë në futboll, reagoi në lidhje me përmendjen e tij si një nga kandidatët e mundshëm, për ë të drejtuar Partizanin, pas rikthimit të skuadrës së kuqe në Kategorinë Superiore, pas një mungese prej katër vjetësh. Duke folur për gazetën “Telegraf”, Gega shprehu lumturinë e tij për ringjitjen e Partizanit, klubit ku ai është rritur dhe ka marrë emër si futbollist, por dhe e ka bërë atë një personalitet në futbollin shqiptar. “Do ta konsideroja si një nder të veçantë të kem të njëjtën status, për të drejtuar Partizanin, një nga klubet më të mëdha në Shqipëri e që është drejtua nga trajnerë që kanë bërë histori, të tillë si: Loro Boriçi, Bejkush Birçe, Neptun Bajko dhe emra të tjerë të respektuar. Partizani mbetet gjithmonë një kënaqësi dhe një privilegj, po tani jam duke punuar për sezonin e ardhshëm të eliminatoreve të Kampionatit Europian të U-21, ndeshjet e të cilit nisin në muajin qershor”, – tha Gega për gazetën “Telegraf”. “Po punoj për ngritje e ekipit U-21 për të fituar ndeshjen me Hungarinë, takim që do të luhet më 7 qershor 2013.

– Zoti Gega, Partizani, ish-skuadra ku jeni formuar si lojtar dhe keni fituar trofe, është rikthyer pas katër vjetësh mungesë në Superligë. Si e keni përjetuar?

– Jam shumë i lumtur, për Partizanin që u kthye në Superligë. E kam ndjekur ecurinë e tij shumë nga afër, për shumë arsye: jam rritur tek ky klub; më ka dhënë emër, respekt edhe personalitet, për të vazhduar sportin, dhe tani si trajner.

– Mediat sportive kanë përmendur emrin tuaj, si një nga trajnerët e mundshëm të Partizanit për sezonin e ri 2013-2014, pas rikthimit në Superligë. Si është e vërteta?

– Për të qenë i sinqertë, edhe unë lajmin për t’iu bashkuar këtij klubi e pashë në gazetë. Në fakt, më mori në telefon një gazetar, të cilin e konsideroj mik, por i thashë se nuk kam asnjë propozim për këtë post. Kam një kontratë me Federatën Shqiptare të Futbollit dhe një projekt me Kombëtaren U-21, që ka nisur vitin e kaluar, kur dhe mora drejtimin e atij ekipi. Do të vazhdoj të kontribuoj te Kombëtarja.

– Pavarësisht impenjimit tuaj me Kombëtaren U-21, sa ju intrigon roli i trajnerit të Partizanit?

– Do ta konsideroja si një nder të veçantë të kem të njëjtën status, për të drejtuar Partizanin, një nga klubet më të mëdha në Shqipëri e që është drejtua nga trajnerë që kanë bërë histori, të tillë si: Loro Boriçi, Bejkush Birçe, Neptun Bajko dhe emra të tjerë të respektuar. Partizani mbetet gjithmonë një kënaqësi dhe një privilegj, po tani jam duke punuar për sezonin e ardhshëm të eliminatoreve të Kampionatit Europian të U-21, ndeshjet e të cilit nisin në muajin qershor.

– Ju keni dalë kampion me Partizanin dhe keni qenë pjesë e ekipit Kombëtar në vitet 1980. Cilat janë marrëdhëniet e tua me klubin e kuq?

– Kam qenë gjithmonë afër me problemet e klubit, njerëzit që punojnë aty janë miqtë dhe shokët e mi. Dëshiroj me gjithë shpirt që, atyre t’iu eci puna mbarë në këtë rikthim të bukur dhe të shumëpritur në Superligë.

– Eliminatoret e Europianit nisin me Hungarinë, teksa na ndajnë gati 40 ditë. Si po përgatitet U-21?

– Puna për të bere grupin kryesor besoj se, do të vazhdojë deri në momentin e fundit përpara ndeshjes. Për fat të keq na janë dëmtuar lojtarë shumë të rëndësishëm, të cilët kanë kohë që luajnë me ekipin. Mërgim Bajraktari dhe Agonit Sallaj janë operuar në gju dhe do të jenë jashtë fushe për gjithë sezonin.

Gjithsesi, do të vijë përsëri Imran Bunjaku. Edhe ky para një viti operoi gjurin, por ka disa muaj që luan dhe gëzon një formë të mirë.

– Si do ta vlerësonit ndeshjen me Hungarinë, duke ditur se në grupin tonë janë dhe Spanja, Austria e Bosnja?

– Pavarësisht se, kemi provuar shumë lojtarë të rinj mendoj se deri me ndeshjen e parë kundër Hungarisë do të dalim me grupin më të mirë. Luajmë në fushën tonë dhe do të bëjmë më të mirën.

– Nga grupi i lojtarëve të sezonit të kaluar të Europianit mungojnë disa titullarë të rëndësishëm, si Sadiku, Vajushi apo Balaj…

– Boshllëqet që, na kanë lënë Sadiku, Vajushi, Balaj, Dosti, Frashëri, e ndonjë tjetër është vështirë t’i zëvendësosh me një herë. Ne nuk e kemi atë luks që, të kemi lojtarë po aq të mirë gati për U-21. Në fakt, ne kemi lojtare jashtëzakonisht të mirë që mund ta çojnë U-21 në nivele të larta, por disa prej tyre që e kanë moshën për të luajtur për ne i janë afruar Kombëtares së madhe ose presin një ftesë nga De Biazi. Në fakt, janë thirrur të gjithë nga unë.

– Cilët janë ata?

– Elseid Hysaj, që tani është pjesë e Kombëtares, apo Ilir Azemi dhe Ergys Kaçe, të cilët janë kërkuar me ngulm nga De Biazi. Gjithsesi, unë e kam të qartë se, ekipi U-21 është në dispozicion të Kombëtares së madhe. Shume emra te tjerë janë thirrur por, për arsye te ndryshme kane refuzuar, tashmë emrat dihen sepse janë bërë publike. Nuk kam dashur të paragjykoj askënd. Kam insistuar  që çdo ftesë dhe refuzim të bëhet publike. Kështu jemi me  transparent dhe larg historive të sajuara.

EURO U-21 2015

Ndeshjet e Shqipërisë

07.06.2013

Shqipëri-Hungari

11.06.2013

Bosnjë-Shqipëri

14.08.2013

Shqipëri-Austri

09.09.2013

Spanjë-Shqipëri

15.10.2013

Shqipëri-Bosnjë

14.11.2013

Hungari-Shqipëri

18.11.2013N

Shqipëri-Spanjë

05.03.2014

Austri-Shqipëri

Situata te Partizani

  Trajneri aktual, ai që ka dhe meritën për ngjitjen e Partizanit në Superligë, është Hasan Lika. Përpara tij kanë punuar, po gjatë këtij sezoni Nikolon Çoçlli (komplet fazën e parë) dhe Shpëtim Duro (për disa javë). Gjatë një interviste të tij, Lika tha për mediat se ka marrë garancinë e presidencës së kuqe, për të vazhduar i qetë punën në ngritjen e ekipit që do të përballojë sezonin 2013-2014 të Kategorisë Superiore.

Tifozët e Partizanit: “Takaj, jemi disa qindra mijëra, jo 200!”

 Tifozët e Partizanit reaguan ashpër, në lidhje deklaratën e presidentit të Skënderbeut, Artan Takaj, në një emision sportiv, ku u shpreh: “Tifozët e Partizanit, të përbërë prej një grupi rreth 200 kalamajsh, nuk mund të jenë në asnjë mënyrë fansat e vërtetë të cilët pretendohet, por si kemi parë gjëkundi si tifozeri serioze dhe të organizuar”. Shoqata “Tifozat e Partizanit” reagoi përmes një deklarate për shtyp. Në të thuhet: ‘Tifozët e Partizanit, të përbërë prej një grupi rreth 200 kalamajsh, nuk mund të jenë në asnjë mënyrë fansat e vërtetë të cilët pretendohet, por si kemi parë gjëkundi si tifozeri serioze dhe të organizuar…’. Kjo deklaratë që, është e përmbledhur, por e pacituar ekzaktësisht lëshuar prej tij dhe që në vazhdim zoti Takaj, në mënyrën më naive dhe të paturpshme e shoqëron me fjalët, se ‘tifozët shqiptarë dhe të konkretisht të Partizanit duhet të djegin Tiranën si Fenerbahçe Stambollin’. Gjithmonë, sipas Takajt, kjo qenka një provë e ‘dinjitetit’ të tifozëve. Më tej shoqata “Tifozët e Partizanit” shkruan: “Zoti Take, dëshirojmë t’iu vëmë në dijeni se, tifozët e Partizanit kanë qenë dhe do të jenë gjithmonë pranë ekipit në çfarëdolloj situatash. Për ne emri ‘Partizani’ është një ‘fe’, me të cilën çdo tifoz që e konsideron veten pjesë të familjes së kuqe, jeton me emocionet që kjo skuadër ka dhuruar ndër vite dhe ka nderuar të gjithë Shqipërinë në aktivitet kombëtare dhe ndërkombëtare futbollistike. Z.Take, gaboheni kur na etiketoni një grupim prej 200 kalamajsh, pasi nga të gjithë shqiptarët ne konsiderohemi tifozeria më e madhe në vend që, do ta kishte zili çdo ekip në rajon. Ne i kemi qëndruar dhe siç e kemi treguar deri më sot vazhdojmë ta mbështetim Partizanin, në çdo lloj kategorie pasi kjo fanellë për në s’ka rëndësi në cilin nivel futbollistik garon, por ky klub me masivitetin që ka dhe gëzon, bile jo vetëm në disiplinën e futbollit, por në të gjitha disiplinat sportive të klubit Partizani është një shembull pozitiv, i fuqishëm, stimulues i tërë rinisë shqiptare dhe pse jo e të gjithë brezave në Shqipëri. Ajo ka një busull të orientuar shumë mirë, e cila sapo filloj të shfaqet në këtë fund kampionati mesa duket ka krijuar xhelozinë e zotit Takaj. Një gjë të tillë, ne tifozeria e Partizanit e kontestojmë menjëherë dhe me dashamirësinë më të madhe që, na karakterizon, por jo vetëm ne tifozët në Tiranë, por dhe mbështetësit e tjerë të skuadrës së kuqe kudo që ata janë, në çdo qytet e fshat të Shqipërisë, të cilët janë dashamirës me sportin në përgjithësi siç jemi dhe ne, siç janë dhe tifozët e Skënderbeut, të cilët i falënderojmë për mbështetjen që na kanë dhënë. Ajo çka duket e rëndësishme, sipas nesh, për t’i komunikuar zotit Takaj është: ‘Mirë ju gjetshim në Superligë, përgatituni për këto përballje, ku ne do të prezantohemi dinjitozë si në fushë, ashtu dhe në shkallët e stadiumit. Ne do të jemi siç kemi gjithmonë, model i tifozerisë shqiptare duke rritur më lart kulturën futbollistike”, – përfundon deklarata e tifozëve të Partizanit.

Vlora nderon Mexhit Haxhiun dhe Alfred Zijain

  Dje, Këshilli Qarkut Vlorë midis shumë personaliteteve nderoi me titullin “Nderi Qarkut Vlore” dhe dy figura nga futbolli. Mjeshtrin e Madh, Mexhit Haxhiun dhe ish-futbollistin Alfred Zihajin (pas vdekjes). Babai i Fredit, mbajti një fjalë prekëse: “Djali im ishte vlonjat dhe Vlora e përcolli për në banesën e fundit si qytetar të nderuar vlonjat. Por, më vjen keq për një gjë. Perse i nderojmë njerëzit vetëm kur dëgjojmë se, janë ndarë nga jeta. Ju që i keni në dorë këto gjera ndryshoni mendim. Vlerësoni figurat sa janë gjallë, ndryshe kushdo e kupton se gjithçka është një respekt i vonuar ose e thënë më qartë një formalitet që nuk ka shumë vlera”.