Gega: “Na mungoi vetëm goli!”

489
Sigal


Trajneri i Shpresave flet pas barazimit me Maqedoninë: “Jam i kënaqur nga lojtarët!”

 Trajneri i Kombëtares U-21, Skënder Gega, e cilësoi pozitive perfomancën e lojtarëve të tij, në barazimin pa gola me Maqedoninë, në miqësoren e djeshme të zhvilluar në stadiumin e qytetit të Laçit. Një ndeshje, në kontrast, përsa i përket interpretimit, por “djemtë e Gegës” ishin të pafat, pasi goditën dy herë shtyllën. “Do ta vlerësoja si një paraqitje pozitive ndeshjen me Maqedoninë, pavarësisht se takimi u mbyll pa gola’, – tha Gega gjatë intervistës për “Telegraf”. Trajneri aktivizoi të gjithë lojtarët që patin në dispozicion, ndërsa duhet theksuar fakti se, shumica luanin për herë të parë me njëri-tjetrin. Miqësorja ishte në funksion të përgatitjeve për eliminatoret e Kampionatit Europian, ku Shqipëria ka në grup Spanjën, Austrinë, Hungarinë dhe Bosnjë-Hercegovinës.

  – Zoti Gega, Kombëtarja U-21 barazoi pa gola me Maqedoninë, edhe pse ajo e dominoi në tërësi takimin. Çfarë nga mungoi për të arritur te fitorja?

 – Do ta vlerësoja si një paraqitje pozitive ndeshjen me Maqedoninë, pavarësisht se takimi u mbyll pa gola. Ishte një ndeshje me dy pamje. Për hir të së vërtetës, në pjesën e parë vuajtëm disi, por në të dytën zhvilluam një lojë bindëse, pra më të mirë. E goditëm dy herë shtyllën, dhe me pak fat mund të ishim ne fituesit e ndeshjes. Më vjen keq që, na mungoi goli.

  – Sa i kënaqur je nga paraqitja e lojtarëve të thirrur?

  – Për shumicën e lojtarëve, kjo ishte hera e parë që luanin me fanellën e Kombëtares U-21, dhe kuptohet që luanin edhe për herë të parë me njëri-tjetrin. Nisur nga ky fakt, jam i kënaqur me paraqitjen e një pjesë të tyre, ndërsa me në pjesë tjetër kam ndonjë rezerve. Nuk do të doja të përmendja emra.

 – Aktivizuat të gjithë lojtarët që, patët në dispozicion. Tashmë e keni një përshtypje direkte, sidomos për Gjokaj, Thanoin apo Paçaradën?

 – Padyshim. Edhe ndeshja kishte këtë qëllim. Dëshiroja t’i shikoja në aksion dhe, sigurisht që përshtypja është shumë pozitive për ta.

 – Sa mendoni se, do t’iu shërbejë kjo miqësore, nisur edhe nga fakti se ekipi pas disa muajsh do të nisë zyrtarisht edhe eliminatoret e Kampionatit Europian?

 – Sinjalet që mora nga lojtarët ishin pozitive. Deri në muajin qershor, kur dhe do të luajmë me Hungarinë ka ende kohë, por tashmë unë e kam më të qartë se çfarë mundësish ka ky grup lojtarësh. Skuadra thuajse është e rinovuar plotësisht, në raport me atë që mbylli eliminatoret e Kampionatit të fundit Europian.

MIQËSORE U-21, SHQIPËRI-MAQEDONI 0-0

 Lojë dhe shtylla, kjo Shpresë premton

Nga një shtyllë në çdo pjesë loje, i mohuan Shqipërisë U-21 fitoren ndaj homologes maqedonase, në takimin e zhvilluar në Laç. Shpresat ishin dukshëm superiore ndaj kundërshtarëve, por ndeshja ishte në kontrast midis dy pjesëve: vuajtëm në të parën, ndërsa në të dytën dominuan dhe kontrolluam gjithçka. Trajneri Skënder Gega e nisi ndeshjen me: Menkën, në portë; Durakun, Sallajn, Gjokajn dhe Matoshin, në linjën e mbrojtjes; Barjaktarin, Bathën, Taipin dhe Paçaradën në mesfushë; si dhe dyshen Ahmeti-Shkurtaj në vijën e parë. Batha ishte dhe i vetmi lojtar që luan në kampionatin shqiptar, me Besën. Më shumë se gjysma e lojtarëve thirreshin për herë të parë, pra dhe kishin ndeshjen debutuese të tyre me fanellën kuqezi. Shikuesit e pranishëm në stadiumin e Laçit u përpoqën të motivonin lojtarët, ndërkohë që këta të fundit ishin paksa të zbehtë në fraksionin e parë të ndeshjes. Në gjysmëorën e parë të ndeshjes duket qartë se kemi të bëjmë me një skuadër të re tonën, lojtarët nuk e njohin mirë lojën e njëri-tjetrit, ndërsa kundërshtari është më kompakt e lëshon disa goditje të rrezikshme nga distanca, por reagimi i portierit kuqezi, Menka, është shumë efikas. Minuta e 31-të sjell pak tension, pas një përplasjeje mes Sallajt dhe Simunovskit. Ndërhyrja e futbollistit maqedonas është e gabuar, çka sjell edhe reagimin e mbrojtësit tonë, por kryesori malazez u tregon të dyve të verdhën. Minuta e 34-të sjell rastin tonë të parë të rrezikshëm, kur Batha godet shtyllën e portës maqedonase. Në bardhësi shifrash mbyllen 45 minutat e para, me maqedonasit që kanë kryer një zëvendësim të detyruar për shkak dëmtimi. Pjesa e dytë nisi me tri zëvendësime të menjëhershme të Gegës, që hedh tre lojtarë të freskët: Thanoin, Ginon dhe Selmanin. Shqipëria luan tashmë me skemën 4-4-2, teksa dy mesfushorët e krahut duhet të mbështesin më shumë në fazën ofensive Shkurtajn. Në pjesën e dytë u aktivuan edhe Çekrezi (portier), si dhe Dermaku me Rrahmanin. Shpresat janë më dinamike në lojë, krijojnë më shumë, vertikalizojnë pasime në anësore, dhe fitohen disa goditje këndi, por finalizimi i golit mungon. Maqedonasit janë kthyer me forca të shumta në prapavijë, të detyruar edhe nga presingu i kuqezinjve, që e kërkojnë me ngulm golin. Eshtë sërish shtylla, që e ndalon Ginon të përmbyllë me sukses një veprim të bukur e plot finesë individual, duke i mbajtur shifrat në barazimin 0-0.

Edhe në ndeshjen paraardhëse kundër Maqedonisë, të luajtur në Austri në maj të vitit të kaluar, Shqipëria barazoi 2-2.

DY SHTYLLAT E SHQIPËRISË

 SHTYLLA E PARË

 34’ – Idriz Batha, lojtari i Besës dhe i vetëm nga kampionati shqiptar, goditi bukur në minutën e 34-t, ndërsa topi u përplas nga shtylla e portës maqedonase. Ky ishte rasti më i rrezikshëm i Shqipërisë në pjesën e parë.

 SHTYLLA E DYTË

 79’ – Është sërish shtylla, që e ndalon Ginon, lojtarin që luan me Olimpiakosin në Greqi. Kombëtarja jonë organizoi një ofensive kombinative, që u shoqërua me veprimin e bukur dhe me gjuajtjen me finesë të Ginos.

EURO U-21 2015

Ndeshjet e Shqipërisë

07.06.2013

Shqipëri-Hungari

11.06.2013

Bosnjë-Shqipëri

14.08.2013

Shqipëri-Austri

09.09.2013

Spanjë-Shqipëri

15.10.2013

Shqipëri-Bosnjë

14.11.2013

Hungari-Shqipëri

18.11.2013

Shqipëri-Spanjë

05.03.2014

Austri-Shqipëri

 Krasniqi-Kadare, takim kampionësh

  Boksieri i famshëm kosovar, Luan Krasniqi, nëpërmjet faqes së tij zyrtare në internet ka bërë të ditur se është takuar me shkrimtarin e madh shqiptar, Ismail Kadare.  “Unë ndihem shumë i nderuar, ngase shkrimtari i madh Kadare më ftoi në shtëpi dhe më fali një pjesë të kohës së tij të çmueshme, për të diskutuar me mua. Që në fëmijëri kam lexuar për herë të parë një libër të Ismail Kadaresë. Kjo ka ndodhur kur isha në klasën e shtatë apo të tetë, kur lexova romanin ‘Gjenerali i ushtrisë së vdekur’.

“Më kujtohet shumë mirë se sa i fascinuar isha atëherë dhe sa shumë i fascinuar jam edhe sot”, ka shkruar ish-kampioni evropian në faqen e tij zyrtare. Krasniqi është i vetëdijshëm se Kadare, me mendimin e tij është polarizuar por është i sigurt se po të vepronin ashtu politikanët, me siguri do të ishte drejtim i duhur për Shqipërinë dhe Kosovën. Luan Krasniqi i gëzohet faktit se ai dhe Ismail Kadare, edhe në të ardhmen do të mbeten në kontakt.

Trapatoni: “Bastet, mafia e vërtetë”

Trajneri italian i Irlandës, Xhovani Trapatoni, e konsideroi me nota të frikshme fenomenin e basteve të ndeshjeve. “Është një mafie botërore. Është e pabesueshme ajo që kam lexuar gjatë këtyre ditëve të fundit”. Trapatoni kujtoi një episod në Austri, kur ai ishte në drejtimin e Zalcburgut: “Duhet të fitonim një ndeshje për të marrë titullin kampion, por humbëm 3-0 duke pësuar 3 gola në pesë minuta. E pamundur. Dikush shkroi që, lojtarët ndoshta e kishin shitur ndeshjen. Të pësosh 3 gola në 5 minuta: ose ishin idiotë apo të droguar, ose e kishin shitur ndeshjen, … por kurrë nuk pati prova”.