Gazmend Demi, Presidenti i ri i “demave të kuq”

4554
Sigal

Lulzim Sallaku do të vazhdojë të jetë bashkëaksionar te Partizani. 15 herë kampionët, sot kundër Besës

Gazmend Demi është Presidenti i ri i Partizanit, pas marrëveshjes me bashkëaksionarin tjetër, Lulzim Sallaku, me këtë të fundit që e mbante këtë detyrë te 15 herë kampionët e Shqipërisë deri dje. Sipas njoftimit të zyrës së shtypit të klubit të kuq, për shkak të impenjimeve të Lulzim Sallakut me aktivitetin e tij privat, u vendos që Presidenti i klubit të jetë Gazmend Demi, i cili do të ketë më tepër rol në drejtimin e klubit. Burime për gazetën thanë se, gjithçka u arrit pas një akordi xhentelmenësh, pasi të dy bashkëksionarët zotërojnë secili nga 50 për qind të aksioneve të klubit më popullor në vend e që numëron 32 trofe në vend, midis kampionatit (15), Kupës së Shqipërisë (15) dhe Superkupës (2). Partizani, klubi i parë shqiptar që ka marrë pjesë në një kompeticion europian të organizuar nga UEFA (në vitin 1962 kundër norvegjezëve të Norkepingut në Kupën e Kampioneve), është i vetmi ekip që ka mundur të fitojë një trofe ballkanik (1970). Në fakt, ish-presidenti Lulëzim Sallakun, nuk ka qenë i pranishëm në tribunën “VIP”, në dy ndeshjet e fundit zyrtare, ato kundër Laçit në transfertë, gjithashtu edhe ndaj Bylisit në “Qemal Stafa”. Herën e fundit që presidenti është parë në mbështetje të ekipit dhe në krah të aksionarit tjetër të ekipit, Gazmend Demi ka qenë pikërisht ndeshja e parë ndaj Kastriotit e luajtur në Krujë, e fituar 2-0. Me Lulzim Sallakun në rolin e presidentit, Partizani ia doli të ringjitej në Kategorinë Superiore pas katër vitesh mungesë, ndërkohë që një prej restoranteve më të njohur në kryeqytet, “Lion Park”, pronë e Lulzim Sallakut ishte shndërruar në strehën e skuadrës së Partizanit, madje aty ishin ngritur edhe zyrat e klubit të kuq. Mësohet se, është marrë një tjetër ambient në kryeqytet, në të cilin do të instalohet administrata e Partizanit. Në tri ndeshjet e zhvilluara deri tani, Partizani i ka njohur të tri rezultatet: fitoren 2-0 me Kastriotin në Krujë, barazimin 2-2 me Bylisin në Tiranë dhe humbjen 1-0 me kurbinasit në Laç. Pas tri ndeshjeve, Partizani ndodhet në vendin e katërt me katër pikë, po aq sa Bylisi, Laçi dhe Tirana, të cilët nga ana tyre kanë golaverazh më të dobët së të kuqtë. Ndeshja e radhës e Partizanit është ajo kundër Besës së vendit të fundit (vetëm 1 pikë në tri ndeshje). Të kuqtë, edhe pse do të luajnë pa spektatorë në Kavajë, duhet të jenë të kujdesshëm ndaj skuadrës kavajase që vjen pas barazimit po 2-2 me Teutën, por me durrsakët që barazuan me penalltinë e Tefik Osmanit në minutën e 95-të të ndeshjes. Për herë të fundit (në Superligë), Partizani dhe Besa janë ndeshur, më 15 mars 2009, në një ndeshje të vlefshme për edicionin 2008-2009. Ndeshja në “Qemal Stafa” u mbyll në barazim 0-0 (faza e tretë). Në këtë kampionat, me tre faza, Partizani barazoi 0-0 në Kavajë (në fazën e parë) dhe fitoi 1-0 (në fazën e dytë). Për herë të fundit, Besa ka fituar me të kuqtë në sezonin 2007-2008, 1-0 (në “Qemal Stafa”).

Lushnja pret Vllazninë

Java e katërt do të sjellë sot në “Roza Haxhiu” sfidën Lushnja-Vllaznia, dy skuadra që ndajnë vendet 2-3 më pikë të barabarta, pas dy fitoreve secila në tri javët e para. Lushnja, që mbërriti në Superligë me statusin e kampiones së Kategorisë së Parë, ka fituar me Kukësin dhe Laçin. Vllaznia e Agim Canajt ndihet në formë të shkëlqyer, pas dy fitoreve radhazi me Kukësin (3-0, në tavolinë) dhe Tiranën (2-0). Java e katërt ofron të dielën këto ballafaqime: Laçi-Bylis, Tirana-Skënderbeu, si dhe Flamurtari-Kastrioti dhe Kukësi-Teuta, me këto dy të fundit që do të luhen në fushë asnjanëse pas pezullimeve nga Komisioni i Disiplinës.

KATEGORIA SUPERIORE

JAVA IV

Sot, 21 shtator 2013

Besa-Partizani       14:00

Lushnja-Vllaznia           14:00

Të dielën, 22 shtator 2013

Laçi-Bylis           14:00

Flamurtari-Kastrioti* 14:00

Kukësi-Teuta*        14:00

Tirana-Skënderbeu    14:00

* Në fushë asnjanëse

RENDITJA

1    Teuta           3    +2   7

2    Vllaznia        3    +4   6

3    Lushnja         3    +1   6

4    Partizani       3    +1   4

5    Bylis           3    +0   4

6    Laçi            3    +0   4

7    Tirana          3    -1   4

8    Flamurtari*     3    +1   3

9    Skënderbeu      3    -2   3

10   Kastrioti       3    -2   3

11   Kukësi          3    -2   3

12   Besa            3    -2   1

* Flamurtarit i janë zbritur tri pikë me vendim të Komisionit të Disiplinës

Ish-shefi i Komisionit Teknik fitoi me 48 vota, kundrejt 21 të  Genc Bogës. Kandidati Biba u tërhoq

 Viron Bezhani, kreu i ri i KOKSH-it

 Viron Bezhani është Presidenti i ri i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, pas votimit në Asamblenë e 17-të Zgjedhore të zhvilluar dje në Hotel “Tirana International”. Ish-kreu i Komisionit Teknik të KOKSH-it grumbulloi 48 vota nga 21 që mori rivali i tij, Gencv Boga, ish-anëtar i Komitetit Ekzekutiv dhe ish-kryetar i Komisionit Juridik të olimpizimit shqiptar. Në votime morën pjesë 71 delegatë, ndërkohë që dy fletëvotimi dolën të pavlefshme. Martin Biba, një nga tre kandidatët e zyrtarizuar nga Komiteti Ekzekutiv, dha dorëheqjen nga gara gjatë fjalës së tij dhe përpara se të fillonte procesi i votimit, me arsyetimin se kishte pasur pengesa nga Komiteti Ekzekutiv dhe se nuk kishte pasur kohën e nevojshme për të promovuar programin e tij. Garën për zëvendëspresident e fitoi Gjergji Ruli, i cili mori 37 vota nga 34 që mori kandidati tjetër, Vojo Malo. Po, dje u votua edhe Komiteti i ri Ekzekutiv i KOKSH-it: Ela Tase, Agron Cuka, Gjergj Leqejza, Ilir Gusho, Gëzim Panariti, Erald Dervishi, Skënder Anxhaku dhe Majlinda Pilinçi. Mbajtës i Thesarit u votua Flobens Dilaveri, i cili ishte në fakt kandidati i vetëm. Ai mori 57 vota, ndërkohë që kundër ishin 14. Në votim kanë marrë pjesë përkatësisht 34 federata, 7 Komitete Olimpike Rajonale të njohura nga KOKSH-i, 4 shoqata, 10 anëtarë me tituj individualë dhe dy përfaqësues të sportistëve olimpistë (Romela Begaj dhe Adriatik Hoxha), të cilët dhanë verdiktin e tyre. Viron Bezhani, tha pas zgjedhjes së tij në krye të olimpizmit kuqezi se, do të mandatin e tij katërvjeçar do ta shoqërojë fryma e bashkëpunimit të ngushtë me të 35 federata sportive, por dhe me aktorët e tjerë të rëndësishëm për zhvillimin e një sporti cilësor. Në Asamble munguan përfaqësuesit e Komitetit Paralimpik si dhe atë të Federatës Shqiptare të Futbollit, pasi këta të fundit kishin kërkuar një vend automatik në Komitetin Ekzekutiv pa u hedhur në votim. Asambleja miratoi edhe pranimin e Federatës së Raftinigut, sporteve të ujit me gomone dhe kajak në lumenjtë e rrëmbyer. Gjatë punimeve u mbajt edhe një minutë heshtje për ish-trajnerin e madh, Kostandin Ktona, mbajtës i “Urdhrit Olimpik”, të ndarë nga jeta pak javë më parë. KOKSH-i nderoi me “Urdhrin Olimpik”, Abert Karriqin dhe ish-trajnerin legjendë të Dinamos, Kreshnik Tartari, për kontributin e tyre në promovimin e lëvizjes sportive. Federata e Hendbollit nderoi me “Certifikatën e Mirënjohjes”, sekretarin e Përgjithshëm, Stavri Bello.

 “The Telegraph”: “Januzaj ka zgjedhur Shqipërinë”

 Adnan Januzaj, mesfushori i Mançester Junaitid ka vendosur të refuzojë Belgjikën dhe të pranojë të veshë fanellën e Shqipërisë. Sipas të përditshmes britanike “The Telegraph”, Adnan Januzaj mund të refuzojë shansin për të luajtur me Belgjikë verën e ardhshme në Kampionatin botëror ‘Brazili 2014’, vetëm për t’i mbetur besnik Shqipërisë. Pavarësisht përpjekjeve nga Federata e Futbollit e Belgjikës për të bindur Januzajn, ky i fundit deri tani ka refuzuar të pranoj ftesën e belgeve.

 De Biazi: “Jemi akoma në garë”

 Trajneri i Kombëtares shqiptare, Xhani De Biazi, tha gjatë një interviste për mediat italiane se Kuqezinjtë janë endë në luftë për një vend në “play-off”-in e eliminatoreve të Kampionatit Botëror. “Përsa i përket eksperiencë sime ne bankinë shqiptare, duhet të them se ajo është shumë pozitive. Jemi akoma në “luftë’ për vendin e dytë, kur kanë mbetur edhe dy ndeshje. Jemi duke ndërtuar një skuadër të re cilësore dhe me perspektiva të mëdha”.

  Futbolli i Femrave

BOTËRORI/ Sot, Belgjikë-Shqipëri

 Kombëtarja A e Femrave në futboll do të nisë sot kundër Belgjikës, premierën e saj në eliminatoret e Botërorit 2005 (faza në grupe). Pesë ditë më pas, Shqipëria do të presë Holandën në “Qemal Stafa” (26 shtator 2013, ora 17:00). Shqipëria bën pjesë në grupin 5, së bashku edhe me Norvegjinë, Holandën, Portugalinë dhe Greqinë.

 

EUROPIANI U-19/ Sot, Poloni-Shqipëri

Shqipëria U-19 e futbollit për femra do të nisë për herë të parë aventurën e saj në një kompeticion ndërkombëtar, pikërisht me eliminatoret e Europianit të asaj moshe (grupi 7). Sot, në Slloveni do të luhet Poloni-Shqipëri, ndërsa të dielën Itali-Shqipëri. Eliminatoret mbyllen me Slloveni-Shqipëri.