Gazetari Edi Spahiu: Titulli iu dhurua Tiranës nga FSHF-ja dhe nga policia

124
Nga Agron KAJA
Një ndër protagonistët e kohës, në fushën mediatike, gazetari sportiv Edi Spahiu, u tregua i gatshëm që për gazetën “Telegraf” të deklaronte me zë të lartë, atë që askush nuk ka guxuar deri më sot, për sa ai dinte rreth kësaj ndeshjeje. Sipas Spahiut, në këtë ndryshim që FSHF-ja i bëri rregullores në fundin e kampionatit, u shfrytëzua vdekja e ish-Presidentit të Tomorit, Adrian Çobo. “Nëse nuk do të kishte ndodhur vdekja e Presidentit Çobo, askush nuk do të guxonte të merrte atë vendim për ndryshimin e rregullores në fundin e kampionatit. Dhe e ndryshuan këtë rregullore, të gjitha ata që ziheshin mes tyre kush të vinte në Berat, dhe pas vdekjes së presidentit, i kthyen shpinën Tomorit. Sajuan ndeshjen si të themi play-off, edhe pse Tomori kishte fituar më shumë pikë në ndeshjet direkt, kishte minutazh edhe më të mirë në shënimin e golave, etj. Dhe këtë mashtrim e zbulon fusha ku u luajt ajo ndeshje, pasi fillimisht alternativat e zhvillimit të saj ishin Durrësi ose Lushnja, por ata (FSHF-ja) e çuan në Elbasan për presion, sepse aty ishte një Koseni që i terrorizoi beratasit”, kështu theksoi në deklaratën e tij gazetari sportiv beratas Edi Spahiu, i cili si një nga dëshmitarët e kohës, tregoi edhe kronologjinë e asaj dite në Elbasan. “Tifozeria beratase ka qenë model i organizimit për ndeshjet në transfertë, dhe këtë udhëtim në Elbasan të tillë e kishte menduar. Por, në hyrje të qytetit (për këtë Spahiu deklaron se kanë filmime që do ta kenë si provë materiale ku të nevojitet), i forti Koseni me policinë, iu ka dalë përpara tifozëve beratas dhe i ka çarmatosur ata nga flamujt e banderolat, por edhe i ka kërcënuar. Dhe më e rënda ishte brenda në stadium, ku personazhi Koseni, së bashku me katër bodiguardë, para fillimit të ndeshjes, por edhe gjatë zhvillimit të saj, i kërcënoi tifozët beratas edhe me shprehje vulgare: “Do t’ju q…ë nënat, rrini urtë!”, kështu shanin e fyenin ata, por që mbështetjen e kishin nga Tirana, sepse tek tifozeria tiranase, as që nuk i hodhën sytë”. Sipas gazetarit Spahiu, Tomori nuk bëri allish-verish me Teutën një ndeshje më parë, sa i përket golavarazhit, por fitoi atë normalisht 1-0, duke qenë e sigurt sipas rregullores, dhe për këtë ai mendon se rruga është e hapur. “Biznesmeni Luan Koka ishte i gatshëm që të shkonim në KAS Lozanë, duke marrë përsipër të gjitha shpenzimet, por më pas ndodhi një tjetër aksident me pasojë vdekjen e sponsorit Tit Koka dhe kjo u la në harresë. Sot, unë mendoj se rruga është e hapur dhe se nuk është vonë. Meqenëse kjo “plagë” u ngacmua në këtë periudhë, para ndeshjes së të shtunës, Tomori-Tirana, e cila me meritë u fitua nga skuadra bardhablu, duhet një organizim edhe nga strukturat vendore e shtetërore, nëse themi se kemi drejtësi”, përfundoi në opinionin e tij gazetari sportiv në Berat, Edi Spahiu.
Biznesmeni Luan Koka ishte i gatshëm që të shkonim në KAS Lozanë, duke marrë përsipër të gjitha shpenzimet, por më pas ndodhi një tjetër aksident me pasojë vdekjen e sponsorit Tit Koka dhe kjo u la në harresë. Sot unë mendoj, se rruga është e hapur dhe, se nuk është vonë