Gashi transferohet në SHBA te Colorado Rapids

562
Sulmuesi i Kombëtares Shqiptare ka surprizuar të gjithë duke vazhduar karrierën e tij jo në kontinentin e vjetër, por përtej Atlantikut, në SH.B.A. Futbollisti 27-vjeçar, që nuk po gjente hapësira në radhët e kampionëve të Zvicrës pas ardhjes së trajnerit Fischer, vendosi të luajë në MLS, pavarësisht se kishte zëra se për të po interesoheshin dhe klube të Serisë A si Torino dhe Sampdoria. Largimi nga Baseli dukej thjesht çështje kohe duke qenë se Gashi dëshironte që të mos humbiste mundësinë për të luajtur në Europianin francez.
Gashi këtë të Hënë kaloi me sukses dhe vizitat mjekësore me klubin amerikan përpara se të hidhte firmën e tij mbi kontratën 4-vjeçare, ndërsa te skuadra e re ai do të mbajë veshur numrin 11. Në intervistën e tij të parë, Gashi falenderoi klubet e tij të mëparshme, ndërsa theksoi se do të japë maksimumin për skuadrën e tij të re. Zërat për një kalim të mundshëm të tij në SH.B.A. ishin shtuar ditët e fundit pasi lojtari kishte munguar në ndeshjen miqësore të Baselit ndaj Austrisë së Vjenës. Në Zvicër, sulmuesi i Kombëtares vitin e kaluar u shpall futbollisti më i mirë i kampionatit, ndërsa ka fituar dhe dy herë “Këpucën e Artë” të Raiffeisen Superliga të Zvicrës.
Sigal