Gani Xhafa: Mesfushori potent tiranas i Dinamos, emër që ka lënë gjurmë

1986
Nga Bedri AILMEHMETI 
Dossier / Karriera e shkëlqyer e një futbollisti punëtor e të palodhur, me vlera të veçanta fizike e teknike, korrektesë dhe edukatë në lojë
Prej kohësh në Tiranë thuhet: Ta kesh shtëpinë në rrugën e “Kavajës” dhe të mos kesh luajtur futboll me ndonjë ekip, ose fundja të mos kesh ushtruar të paktën një lloj sporti tjetër, nuk ka kuptim. Dhe me të vërtetë kështu është, pasi të shumtë, gati të panumërt janë sportistët cilësorë djem e vajza, që kanë bërë emër e kanë lënë gjurmë, jo vetëm në veprimtari kombëtare, por edhe në ato ndërkombëtare. Njëri prej tyre në mënyrë të padiskutueshme është Gani Xhafa, tironsi i Dinamos, mesfushori i palodhur me vlera të veçanta fizike e teknike, dalluar për luftën sportive, korrektesën dhe edukatën në lojë. Por mbi të gjithë, Gani Xhafa u shqua për nivelin e lartë të rendimentit gjithnjë stabël gjatë 90 minutave në fushën e lojës. Falë pikërisht këtyre cilësive, gjatë gjithë karrierës futbollistike ai la gjurmë të pashlyeshme nëpër fushat e blerta të vendit tonë.

FËMINIJA
Por, duhet thënë se rruga e tij drejt formimit si futbollist nisi herët, në vitin 1957 në pallatin e pionierëve, ku nën drejtimin e pedagogut Hiqmet Meçe mori bazat e duhura në futboll. Madje në radhët e ekipit të futbollit të Pallatit të Pionierëve, Ganiu prek suksesin e parë në vitin 1961 në Spartakiadën Kombëtare të Pionierëve të zhvilluar në Durrës, ku renditen në vendin e parë. Një vit më pas kalon në radhët e ekipit të të rinjve të Dinamos, ku shumë shpejt spikat si futbollist i talentuar me të ardhme. Ndërkohë me këtë ekip në sezonin 1963-1964 fiton edhe titullin kampion. Gjatë kësaj kohe ai ka qenë në fokusin e stafit teknik të Dinamos, të cilët e afrojnë në radhët e ekipit të parë, kur ishte vetëm 18 vjeç.

NË RADHËT E DINAMOS SË MADHE
Nën drejtimin e një trajneri të shquar, si i paharruari Skënder Jareci, pranë të cilit gjen ngrohtësinë e mbështetjen e duhur të një pedagogu të përkushtuar, ai arrin të ngjisë i sigurt shkallët e mjeshtërisë sportive. Dhe shumë shpejt Dinamo e madhe e viteve 50-të rikthehet sërish në vitet 70-të e fortë, madje radhit tituj kampion e të spikasë edhe në kompeticione evropianë dhe në Kupën Ballkanike. Dhe nuk kishte se si të ndodhte ndryshe, kur veçmas Gani Xhafës kishte në përbërje futbollistë të tillë të talentuar, si Medin Zhega, Iliaz Çeço, Ilir Pernaska, Jani Rama, Faruk Sejdini, Taip Çutra, Ibrahim Kodra, Vasillaq Zëri, Shyqyri Ballgjini, Ahmet Ahmedani etj. 

NË KOMBËTARE DHE ME SKUADRA TË TJERA
Në kulmin e shpërthimit të talentit e të aftësive të tij si futbollist, një vendim absurd i qeverisë së asaj kohe të mbrapshtë, për mospjesëmarrje të ekipeve tona sportive në veprimtari ndërkombëtare, e privoi Gani Xhafën për ta pasur dhe shumë herë më tepër mbi shpatulla fanellën kuqezi të Kombëtares. Gjithsesi, me fanellën kuqezi arrin të luajë ndaj Jugosllavisë, Belgjikës, RFGJ-së, etj. Ndërkohë, jo një herë, në periudha të ndryshme të karrierës do të thirret si përforcim për të luajtur në radhët e Skënderbeut të Korçës (1967), dhe Vllaznisë së Shkodrës (1968). Por, në kujtesën e tij do të mbeten të pashlyer dy ndeshjet e paharruara ndaj Ajaksit të Amsterdamit (1970), ku bashkë me shokët e tij Zhega e Çeço, luajtën me fanellën e Tiranës.

DREJTUES “JETËGJATË” 
Pas 14 vitesh në radhët Dinamos, Gani Xhafa i përkushtohet detyrës së trajnerit, fillimisht me ekipin e parë, e më pas në pankinën e të rinjve. Ndërkohë i kushton vëmendje ecurisë në futboll së të birit, Erionit, dhe deri sa doli në pension kreu detyrën e inspektorit të futbollit pranë klubit Dinamo. Gjithnjë i nderuar e i respektuar nëpër ambientet sportiv të Tiranës, tashmë gjysh, Gani Xhafa shpreson që dy djemtë e Erionit, një ditë t’i shohë duke rendur pas topit nëpër fushat e futbollit.

DINASTIA “XHAFA”
Përgjithësisht të gjithë djemtë e familjes Xhafa kanë luajtur futboll, por ai që u shqua dhe bëri emër nëpër fushat e stadiumet tona, padyshim ishte Ganiu. Në gjurmët e tij plot talent e me vullnet e nisi karrierën edhe i vëllai Xhevdeti. Madje të dy vëllezërit arritën të luajnë për ngjyrat e Dinamos në të njëjtin formacion. Por një dëmtim i rendë e detyroi vëllanë e vogël, Xhevdetin, që ta ndërpresë karrierën në fushën e gjelbërt. Më pas, ishte Erioni, djali Ganiut, që zbriti në fushat e gjelbërta të stadiumeve tona. Fillimisht Erioni spikati te Dinamo, më tej te Tirana, me të cilat fitoi dhe trofe, ndërkohë që u inkuadrua në radhët e ekipeve kombëtare të grupmoshave, në ekipin Shpresa U-21 dhe në ekipin kombëtar, me të cilin ka zhvilluar tri takime.
Emri mbiemri: Gani Xhafa
Datëlindja: 22 gusht 1946/ Vendlindja: Tiranë
Arsimi: ILKF “Vojo Kushi”, dega mësuesi
Ekipet ku është aktivizuar: 1962-1964 të rinjtë e Dinamos; 1964-1978 të rriturit e Dinamos
Trofe të fituar: Kampion me të rinjtë e Dinamos 1963-1964; Kampion me Dinamon 1972-1973, 1974-1975, 1975-1976; Fitues i Kupës së Shqipërisë me Dinamon 1971; Lojtari më i mirë i kampionatit 1973.
Si trajner Kampion me Dinamon 1976-1977
Detyra administrative: 1988-2008 Inspektor i futbollit në klubin Dinamo
Tituj që mban: “Mjeshtër i Sportit”, “Mjeshtër i Merituar”, Urdhrin “Naim Frashëri”
Sigal