Gabriel Jesus futet në histori, nuk humbet asnjë ndeshje prej 365 ditësh

82
Sulmuesi brazilian i Manchester City, Gabriel Jesus, po mrekullon në “Premier League” me paraqitjet e njëpasnjëshme për tu patur zili ku të pakta janë ndeshjet që ai nuk lë gjurmë duke shënuar. 20-vjeçari ka qenë i aftë të qëndrojë në formacionin e klubit anglez edhe pse City ka një sërë sulmuesish për t’u patur zili. Ndryshe nuk qëndron situata edhe në kombëtaren e “seleçaos” me Tite-n që e ka të preferuarin 20-vjeçarin.
Por ajo që befason më shumë është se Gabriel Jesus, mes kampionatit, kupave dhe ndeshjeve kualifikuese me Brazilin, nuk humb prej një vit.
Ai nuk ka humbur kurrë në 2017-ën dhe ky është një rekord i pabesueshëm. Sepse City ka humbur disa ndeshje gjatë vitit. Por ai nuk ka qenë në fushë. Kështu, braziliani ka kaluar plot 365 ditë pa humbje në ndeshje zyrtare. Një vit më parë është mundur nga Santos, kur luante me Palmeiras-in, me ndeshjen që është mbyllur 1-0. Nga ai moment sulmuesi 20-vjeçar ka luajtur 39 ndeshje zyrtare me Palmerias, Manchester City dhe Brazilin dhe nuk ka humbur. Shifra të pabesueshme ato të Jesus, i cili ka humbur vetëm dy ndeshje në këto 12 muaj, por kanë qenë dy miqësore të luajtura kundër Argjentinës dhe Girona-s.
Në këtë sezon, ai ka shënuar 6 gola në 8 ndeshjet e luajtura në kampionat, 8 në 13 ndeshjet e luajtura në total në këtë sezon dhe 15 në 24 takimet e zhvilluara me Manchester City në këtë vit kalendarik. Mesatarja e golave për ndeshje është akoma më e lartë me Brazilin: 7 gola në 11 ndeshje.