Futbollisti i Kombëtares/ Gjasula: Luaja futboll dhe punoja si postier për të fituar para

555
Sigal

Klaus Gjasula ka mbërritur në elitën e futbollit europian dhe në radhët e kombëtares shumë vonë, në moshën 29 vjeçare, jo se nuk i mungonte talenti, por sepse ka nisur rrugëtimin e tij futbollistik nga kategoritë më të ulëta, aty ku siç ka treguar vetë mesfushori i kombëtares shqiptare, i duhej edhe të bënte një punë të dytë për të fituar para.

Në vitin 2012, ai ishte pjesë e ekipit Valdof Manhaim, në kategorinë e gjashtë gjermane dhe sigurisht i duhej që të ardhurat në nivele të tilla nuk ishin ata që dëgjojmë e lexojmë në elitën e futbollit europian. Ndaj ai filloi punë si një postier. “E bëra me disa kolegë të mi, në mënyrë që të fitonim para. Në ligat rajonale duhet të sigurosh ndonjë të ardhur kështu”, shpjegoi Gjasula për mediat gjermane.

Tashmë 29-vjeçari është kthyer në një lojtar profesionist të vlerësuar për lojën që bën e sidomos për karakterin në fushë, ku nuk tërhiqet në asnjë duel. “Ndoshta mund të dukem pak më i dhunshëm me helmetë, ndaj unë shoh shumë kartonë të verdhë”, tha futbollisti i cili shpjegoi se në 310 ndeshje ishte ndëshkuar 120 herë nga gjyqtarët.

Ai tregoi edhe se helmeta e tij është bërë në mënyrë shumë të veçantë, nga një kompani që prodhonte ndenjëse makinash. “Nuk ishte puna e tij, por bëri një punë të shkëlqyer”, theksoi futbollisti për atë i prodhoi helmetën, e cila kushton 2000 euro e tani e ka bërë të njohur në të gjithë Europën.