Sigal

Trajneri i kombëtares shqiptare, Kristian Panuçi shpalli para disa ditësh listën e lojtarëve të grumbulluar për dy ndeshjet e radhës të vlefshme për ligën e kombeve.

Skuadra jonë përfaqësuese do të luajë përballë Izraelit në datën 7 shtator dhe më pas do të udhëtojë drejt Britanisë së Madhe për tu përballur me Skocinë në datën 11 shtator.

Në listën prej 25 lojtarësh vlen të theksohet rikthimi në kombëtare i kapitenit Ansi Agolli, i cili nuk ka qenë prezent në grumbullimet e fundit të përfaqësueses shqiptare, apo dhe mungesa e sulmuesit Sokol Cikalleshi.

Megjithatë ajo që bie në sy nga lista e lojtarëve të thirrur është fakti se shumë prej tyre nuk po aktivizohen titullarë në klubet përkatëse, ndërsa disa të tjerë nuk luajnë fare.

Kështu në Serinë A italiane mbrojtësi Veseli nuk është aktivizuar në asnjë ndeshje të Empolit duke humbur vendin e titullarit që kishte sezonin e kaluar. Portieri i kombëtares sonë Etrit Berisha megjithëse ishte titullar në ndeshjen e fundit të Atalantës duket se e ka humbur vendin e titullarit fiks pasi në ndeshjet e tjera të Atalantës në këtë sezon është aktivizuar portieri i ri, Golini. Po tek Atalanta luan dhe mbrojtësi tjetër i Shqipërisë, Berat Xhimshiti i cili ka luajtur në dy ndeshjet e para të kampionatit italian, por pritet që të ulet sërish në stol, pasi të kthehen nga dëmtimi titullarët e mbrojtjes së Atalantës. Ish-sulmuesi i Skënderbeut, Enis Gavazaj është mbajtur t’i ndjekë ndeshjet pothuajse gjithmonë nga stoli për skuadrën e tij Enisej në kampionatin rus, ndërsa në ndeshjen e fundit u aktivizua vetëm në minutat e fundit shtesë nga trajneri me qëllim për të vonuar lojën. Rei Manaj, i cili aktivizohet tek Albacete në Spanjë ka arritur që të shënojë një gol për skuadrën e tij në këtë fillim të sezonit, megjithatë është aktivizuar titullar vetëm në një ndeshje, ndërsa në takimin e javës së fundit ka qëndruar për 90 minuta në stol. Dy mbrojtësit e rinj të përfaqësueses Bujar Lika dhe Egzon Binaku e nisën sezonin si titullarë tek skuadrat e tyre Grasshoper dhe Malmoe, por nuk janë preferuar nga trajnerët e tyre në ndeshjet e fundit.

Ndërsa vlen për t’u theksuar rasti i mbrojtësi Mërgim Mavraj, i cili është grumbulluar nga Panuçi edhe pse momentalisht është pa një skuadër.