Futbollistët më të mirë nën moshën 20-vjeç

530
Sigal

Pak futbollistë në Kontinentin e Vjetër këtë sezon kanë tërhequr vëmendjen aq shumë sa talenti më i vlerësuar i momentit. Jadon Sancho është kthyer në thesarin e radhës te Borusia e Dortmundit, një lojtar që vlerësohet të paktën 150 milionë euro dhe mori këtë javë vendin e parë si futbollisti më i mirë deri në 20-vjeç.

Me një teknikë unike, shpejtësi si askush tjetër te Dortmundi dhe me një numër asistesh që e kanë vendosur mes më të mirëve në Europë, Sancho u vlerësua nga Observatori i Futbollit si më i miri. 19-vjeçari ka patur një formë impresionuese këtë sezon ku ka shënuar 12 gola e ka bindur trajnerin e kombëtares angleze Gareth Southgate, t’i dhurojë debutimin e bujshëm.

Në vendin e dytë në renditjen e CIES, për lojtarët më të vlefshëm nën moshën 20 vjeç është Matteo Guendouzi, mesfushori i Arsenalit që vlerësohet me të paktën 70 milionë euro në merkaton e futbollit. Në shkallën më të ulët të podiumit është Nicolò Zaniolo, lojtari më i spikatur te Roma mes të gjithë kampionëve të ekipit kryeqytetas. Nëse dikush dëshiron ta blejë, do të duhet të shpenzojë 67 milionë Euro, edhe pse Roma nuk do ta lëshojë për më pak se 100, atë që konsiderohet pasardhësi i Totit.