Futbollistët e vrarë dhe të arrestuar nga italianët si dhe nga regjimi komunist

1898
Nga Ergys ALUSHI
HISTORI/ Ja disa nga emrat e sportistëve vlonjatë që në memorien e të gjithëve do të kujtohen edhe si lufëtarë dhe intelektualë të shquar
Në historinë e futbollit të Vlorës, krahas rezultateve e arritjeve në fushën e lojës, ka pasur edhe futbollistë të cilët kanë pasur një fund të hidhur. Ata janë futbollistë të vrarë gjatë Luftës së Dytë Botërore, nga italianët, të vrarë nga regjimi komunist fill pas Luftës, të arrestuar e të vdekur ose jo në burgjet komuniste. Në kampionatin kombëtar të vitit 1939, ekipi “Ismail Qemali” i Vlorës do të aktivizojë në formacionin e tij bazë lojtarët Lef Sallata, Mitaq Sallata, Vllasi Arapi e Teli Ndini, që vinin nga ekipet e lagjeve të qytetit.
Teli Ndini do të vritet nga italianët në datën 7 gusht 1942. Ai rrethohet në lagjen e vjetër “Muradie” dhe mbetet i vdekur pas një përleshjeje të armatosur.
Mitaq Sallata do të pushkatohet nga italianët së bashku me tre të tjerë, më 18 janar 1943, në shenjë hakmarrjeje ndaj vrasjes nga njësiti gueril i Vlorës i Marshallit italian Lombardi. 
Lef Sallata bashkë me një të ri vlonjat, do të rrethohet nga italianët në periferi të Vlorës duke mbetur të dy të vrarë.
Vllasi Arapi, djali i patriotit Tol Arapi, një nga komunistët e parë të Vlorës, aktiv në njësitet guerile të qytetit, i angazhuar dhe në jetën artistike të Shkollës Tregtare, vritet në 6 qershor të vitit 1946 nga forcat e Ministrisë së Mbrojtjes Popullore, pas një përplasjeje me armë që çeta e formuar prej tij pati me këto forca, në zonën e Kavajës.
Vllasi Arapi 
Vllasi Arapi ishte djali i patriotit vlonjat Tol Arapi, njeri me emër dhe kontribute në Vlorën e tre dekadave të para të shekullit të 20-të. Ishte nxënës i Shkollës Tregtare. Një nga anëtarët e parë të “Grupit të të Rinjve” që mbështesnin idetë komuniste, grup i krijuar në vitet 1939-1940, para se të krijohej në Tiranë PKSH. Vllasi ka qenë një nga të rinjtë më aktivë të asaj kohe në qytetin e Vlorës, ku angazhohej si në shfaqjet teatrale të Shkollës Tregtare, në skuadrën “Shqiponja” të lagjes ku jetonte, pjesëmarrës në demonstratat e para të nxënësve të Shkollës Tregtare dhe në veprimtari të tjera. Në shtëpinë e Vllasit mblidheshin në fillimin e viteve ’40, Hysni Kapo, Kadri Hazbiu, Rrapo Dervishi e të tjerë të rinj që flisnin për Shqipërinë, veprimet kundër pushtuesve italianë dhe idetë komuniste. Në kampionatin kombëtar të vitit 1939, duke qenë se ekipi “Ismail Qemali” në futboll u paraqit dobët në kampionatin e vitit të kaluar, kërkoi elementë të rinj nga ekipet e lagjeve të qytetit, që në atë kohë, Vllas Arapi ishte një ndër lojtarët e afruar në ekipin e futbollit të Vlorës që merrte pjesë në kampionatin kombëtar të futbollit në Shqipëri.
Vrasja e Vllasi Arapit.
Vëllai i Vllasi Arapit, poeti i mirënjohur shqiptar Fatos Arapi, në vitet 2000 do të botonte biografinë historike. “Kush ishte Vllasi Arapi”, kushtuar vëllait të tij. Bashkë me jetën e veprimtarinë e vëllait të vet, autori në faqet e fundit shkruan dhe për vrasjen e Vllasit. “Vllasi Arapi është vrarë natën, duke u gdhirë 6 qershori i vitit 1946. Ai është vrarë në tradhti. Nuk ka dyshim se fijet e tradhtisë janë shumë të thella, udhëzimet kanë ardhur nga lart. Në atë natë është luftuar shumë dhe tregojnë, se luftimet janë dëgjuar edhe në qytetin e Kavajës. Nuk është e vërtetë se nuk kanë marrë pjesë forcat e Mbrojtjes së Popullit. Ato kanë qenë rreth e qark gjithandej…”(“Kush ishte Vllasi Arapi”-Fatos Arapi)
Teli Ndini
Bashkë me vëllezërit Sallata e Vllasi Arapin, ishte një ndër të rinjtë e Vlorës, i talentuar në futboll, që u aktivizua me ekipin e futbollit të qytetit që luante në kampionatin kombëtar të futbollit me emrin “Ismail Qemali”. Bashkëkohësit e kujtojnë si një djalë energjik, luftarak dhe që bënte shumë për skuadrën, duke qenë problematik për skuadrat e tjera. Teli Ndini ishte aktiv në të gjitha veprimtaritë sportive që zhvilloheshin në qytetin e Vlorës në vitet 1940-1942, duke qenë shembull edhe për të rinjtë e tjerë të qytetit që donin të aktivizoheshin në sporte të ndryshme. Ai do të kthehet në Vlorë pasi lë në mes studimet në Liceun e Tiranës, sepse ra në sy të fashistëve italianë, të cilët sapo e kishin pushtuar Shqipërinë, më 7 prill 1939. 
Vrasja e Teli Ndini
Në datën 4 gusht, njësiti guerril i Vlorës vret me atentat një nga këshilltarët e fashizmit. Vrasja bëri bujë në qytet dhe italianët vendosën “ndalim qarkullimin” në qytet pas orës 20:00. Në përgjigje të këtij, njësitet guerile vendosën që të organizonin një aksion për shpërndarjen e trakteve, për të treguar se asgjë nuk mund t’i ndalonte. Në datën 7 gusht 1942, ora 5 pasdite, Teli Ndini fillon shpërndarjen e trakteve në zonën që i ishte caktuar, te ish-prefektura, rruga “Musa Çakërri” me dalje për tek sheshi ku është bashkia sot. Në këtë kohë u diktua dhe u rrethua nga shumë ushtarë italianë, të cilët i kërkuan të dorëzohej, por ai hodhi në drejtim të tyre dy-tre bomba në tentativë për të shpëtuar, por mbeti i vrarë.. Teli Ndini është konsideruar si dëshmori i parë i Vlorës, nëse nuk do të merret në konsideratë Hamit Vasho, i cili mbeti i vrarë më datën 7 prill 1939 në betejën e parë kundër pushtimit të Shqipërisë e të Vlorës.
Vëllezërit Mitaq e Lef Sallata
“Në oborrin e shkollës fillore të Muradies, në rrugicat e lagjes Vrenez, në çairet e Skelës, i pamë shpesh dy vëllezërit të luanin bukur e me shkathtësi”- do të ishin kujtimet e bashkëkohësve të dëshmorëve Sallata. Ishin të vegjël, por premtonin shumë. Dhe kur u rritën u shquan. Mitaqi hyri shpejt në skuadrën e futbollit të shkollës tregtare. U mor edhe me atletikë, dhe ishte kampion lokal në disa sporte, por spikatte në vrapimin e 100-metrave. Kur u Krijua shoqëria “Ismail Qemali”, Mitaqi mori pjesë në disa aktivitete dhe shpejt u bë atleti më i mirë i qytetit. Edhe Lefi ishte i tillë. Kur shkoi pas të vëllait në Shkollën Tregtare, vazhdoi të organizonte kampionatin e futbollit e të atletikës midis klasave.
Aktivizimi kundër pushtuesve
Ashtu si shumica e të rinjve të Vlorës, edhe vëllezërit Sallata nuk e pritën mirë pushtimin e vendit nga Italia më 7 prill të vitit 1939. Lufta e Vlorës e vitit 1920, kur qyteti u çlirua nga italianët pas një kryengritjeje të armatosur, ishte ende e freskët në memorien e më të vjetërve, kujtimet e të cilëve tregoheshin ndër të rinjtë e fillim viteve ’40. 
Mitaq Sallata
Mitaqi do të jetë aktiv qysh në demonstratat e para, ku më të mëdhatë ishin ato të zhvilluara në përvjetorët e Pavarësisë. Ai u bë një aktivist i spikatur i lëvizjes komuniste dhe, në vitin 1941 pranohet anëtar i PK. Ndihmës arkëtar në bankën e Vlorës, ai në fakt merrej më shumë me aktivitete në shërbim të veprimeve antipushtuese. Për këto veprime, do të arrestohej nga italianët e do të mbahet në burg. Duke qenë në burg, organizoi arratisjen e 16 të burgosurve të tjerë, por vetë nuk mundi të dilte. Ato ditë, njësiti gueril i Vlorës kishte vrarë në qendër të qytetit marshallin italian Lombardo, dhe italianët ishin egërsuar keq. Në mëngjesin e 18 janarit 1943, banorët e lagjes “Karabash”, në kryqëzimin e rrugës së spitalit dhe “Karabashit”, mbi spital, u zgjuan nga britmat e fashistëve dhe breshëritë e armëve. Bashkë me Mitaq Sallatën, u pushkatuan edhe Astrit Kokoshi, Pavllo Kafia dhe Tole Bitri. Pushkaktimi u krye në shenjë hakmarrjeje nga gjeneral Zanini, për atentatin kundër marshallit Lombardo. Mitaq Sallata u qëllua me breshëri mitralozi në mes dhe u varros i gjallë.
Lef Sallata
Edhe Lef Sallata ndoqi rrugën e vëllait të madh, duke iu bashkuar lëvizjes kundër pushtuesve. Tashmë kishte hequr dorë nga lojërat, edhe pse ishte një talent në futboll. Në fillimin e vitit 1942 edhe skuadra e futbollit “Ismail Qemali” do të tërhiqej nga veprimtaritë sportive, për shkak të situatës së pasigurt të krijuar në Vlorë e në Shqipëri. Pushkatimi i të vëllait ia shtoi edhe më shumë zemërimin kundër italianëve. Por, nuk zgjati shumë. Më 8 shkurt 1943, Lefi, që kryente detyrën e përgjegjësit të rinisë së rrethit, po shkonte bashkë me Mitat Dautin, një tjetër futbollist i aktivizuar me ekipin e futbollit “Ismail Qemali”, për t’u takuar me çetën “Plakë”në Armen. Por rrugës ndeshën në një pritë të fashistëve. Beteja ishte e pabarabartë dhe të dy të rinjtë, sportistë të talentuar mbetën të vrarë.
Lef Sallata luan me të rinjtë fashistë të Vlorës 
1940-21 prill-Vlorë
Të rinjtë fashistë të Vlorës -Të rinjtë fashistë të Gjirokastrës, 3-0. “Pas një dreke të shtruar në fushën e aeroportit të vjetër, u zhvillua ndeshja e futbollit e vlefshme për Kampionatin e Rinisë së Liktorit Shqiptar. Formacioni i të rinjve fashistë të Vlorës: Platon Koleka, Pajtim Xhindi, Eqrem Shehu, Nazif Çala, Çin Nika, Hekuran Lalo, Lefter (Lef) Sallata, Sulejman Veshi, Stefan Kusha dhe Paulin Manoli. Pjesa e parë mbyllet në barazim 0-0, me gjithë rastet e shumta për të dyja skuadrat. Në minutën e 6-të të pjesës së dytë, Sallata do të shënojë golin e parë. Në minutën e 25-të, Paulin Manoli, do të shënojë golin e dytë me një gjuajtje të fortë. Goli i tretë do të jetë një autogol i gjirokastriteve. Loja nuk arrin të shkojë deri në fund, pasi 10 sekonda para përfundimit, gjirokastritet, që shfaqën shenja lodhjeje, nuk pranuan më të luanin, me gjithë thirrjet e arbitrit e kapitenit të tyre. (Gazeta “Tomorri”, e shtunë 27 prill 1940).
Kënga: “Dalëngadalë po vjen behari”
Në Shqipëri ka qenë e njohur kënga: “Dalëngadalë po vjen behari”, e cila këndohej kryesisht në festa e përkujtime dëshmorësh apo ngjarje historike nga Lufta e Dytë Botërore. Kënga u është kushtuar dy vëllezërve sportistë, Mitaq e Lef Sallata. Ajo është krijuar në qytetin e Vlorës, disa ditë pas vrasjes së Lef Sallatës. Për tekstin e këngës ka dy variante. “Kënga e Lef e Mitaq Sallatës” “Dalngadalë po vjen behari”, është sipas melodisë së një filmi anglez, që na pëlqeu….Veçanërisht Lefit i pëlqente shumë ajo këngë. Prandaj Ilo Kosta “Marshalli”, kur u vra Lefi, i thuri poezinë dhe ma këndoi në Ballsh, kur u takuam në qershor të 1943-shit, me Çetën “Plakë” të Vlorës (Fatos Arapi-“Kush ishte Vllasi Arapi”). Ndërkohë që, një tjetër variant është se, tekstin e këngës e ka krijuar Haki Xhelo, edhe ky një nga të rinjtë aktivë në qytetin e Vlorës në vitet e para pas pushtimit fashist.
Ja si i kujton Rrahman Përllaku, ish-komandant i njësiteve guerile të Vlorës, Vllasi Arapin e vëllezërit Mitaq e Lef Sallata. “…do të ndalem pak në lagjen Çerekçi, e kryesisht në familjen e Tol Arapit, luftëtarit patriot të luftërave për pavarësi e mbrojtjen kombëtare, dhe më pas së bashku me familjen pjesëmarrës në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Xha Toli dhe mama Tina, kështu i thërrisnin fëmijët e tyre, rritën dhe i edukuan fëmijët për t´u bërë luftëtarë të lirisë, duke ndjekur traditën e familjes Arapi. Kështu, Vllasi dhe Liria, më të mëdhenjtë e fëmijëve, u përfshinë në grupet e para të të rinjve me ide komuniste, të dy ishin të vendosur për luftë. Vllasin e kam njohur nga larg, pasi konspiracioni nuk na lejonte të krijonim kontakte jashtë grupit dhe organizatës ku bënim pjesë, por nuk e harroj faktin që ai gjithnjë ka qenë në krye të protestave dhe demonstratave. Më pas ai doli shpejt në mal partizan, them se ishte një ndër të parët nga qyteti që mori këtë iniciativë të guximshme. Kurse me të motrën e Vllasit, Lirinë, kemi qenë bashkë e kemi luftuar në të njëjtën brigadë partizane. Shtëpia e xha Tolit, mbeti gjithnjë shtëpi e Luftës, dhe prandaj atë shtëpi fashistët e dogjën ndër të parat në atë qytet. Pas kësaj, do të ishim me një bazë më pak, por jo një familje më pak. Më vonë kjo familje përjetoi edhe një tragjedi, atë të djalit të saj, atij që i vuri gjoksin Luftës, Vllasin. Analizën më të mirë ia ka bërë kësaj ngjarjeje vëllai i Vllasit, Fatos Arapi, personalitet i letrave shqipe. “Megjithatë, duhet thënë se fryma e diktatit ekstrem ka ekzistuar në Organizatën e Partisë në Vlorë, dhe këtë nuk e duronte Vllasi, e këtë e kanë dëshmuar të gjithë ata që e kanë njohur nga afër. Vllasi ishte i drejtë, i sinqertë e i hapur. Sipas atyre që e kanë njohur, më mirë se unë sigurisht, del se gabimi i tij, nëse mund ta quajmë kështu, ishte se kishte mendimet dhe vlerësimet e tij ndryshe, por këto i thoshte hapur përpara kujtdo. Po në këtë lagje patëm si bazë edhe shtëpinë e Lef e Mitaq Sallatës. Shtëpia e tyre ishte një bazë e rëndësishme e Luftës. Në të ishin strehuar ilegalë, ishin zhvilluar mbledhje, pra me një fjalë, kjo familje i kishte hapur dyert për guerilët. Por, familja Sallata u godit shumë rëndë, brenda pak ditësh ata humbën dy djemtë e familjes në lulen e rinisë. Ne përpiqeshim t´u qëndronim pranë prindërve të nderuar të Lefit dhe Mitaqit…”
Kudret Kokoshi
Në fazën e parë, të kampionatit të 2-të Kombëtar të futbollit, ekipi i Vlorës grumbulloi 2 pikë, ndërkohë që në fazën e dytë i humbi të dy takimet, 4-1 me Shkodrën dhe 2-0 me Tiranën. Gjatë ndeshjeve të kampionatit, vlonjatët kundërshtuan shumë herë arbitrimet kundër tyre, aq sa e detyruan Federatën e Futbollit që të merrte masa të rënda për disa lojtarë të ekipit vlonjat, ku Hamdi Zoga u përjashtua përgjithmonë nga futbolli, dhe Jani Sallata e Kudret Kokoshi u përjashtuan për një vit. Sipas kronikave të kohës, Kudreti ishte një futbollist cilësor dhe shumë i rëndësishëm për ekipin e Vlorës. Dënimi i tij për një vit u konsiderua si një mungesë e madhe në përbërjen e skuadrës, pas të cilit Kudreti nuk u kthye më në ekip, por vazhdoi të tjera aktivitete.
Jeta e Kudret Kokoshit pas futbollit
Ai ka përfunduar studimet e larta në Universitetin e Romës, i diplomuar si doktor në drejtësi. Pas kthimit në Atdhe, zhvilloi një veprimtari politike duke qenë kundërshtar i Zogut. Më 1937 emërohet gjykatës në Bilisht, e më pas në Korçë. Më 1941 emërohet si dërguar i posaçëm në Kosovë për riorganizimin e gjykatave, duke qenë njëherësh edhe kryetar i rinisë intelektuale të Kosovës. Për veprimet antiserbe, në prill të vitit 1942 i bëhet atentat ku plagoset rëndë në kokë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore është pjesëtar i mbledhjes së Mukjes, si përfaqësues i krahut nacionalist. Në nëntor të vitit 1943 emërohet prokuror në Prizren. Këtu arrestohet nga gjermanët e dërgohet në kampet e përqendrimit në Austri. Mbas mbarimit të Luftës, gjatë kthimit për në Shqipëri, arrestohet nga jugosllavët e dënohet me pushkatim, me akuzat si antiserb, italianofil dhe shovinist shqiptar. Dërgohet në Shqipëri ku dënohet me 20 vjet burg në Burrel. Pas lirimit nga burgu në vitin 1965, e siguron bukën e gojës duke u marrë me përkthime, i mbajtur nën vëzhgim të rreptë nga regjimi. 
Spiro Mali
Është një ndër futbollistët vlonjatë të viteve ’50, që me ekipin e “Flamurtarit” me kapiten Jani Papa, i dhanë emër ekipit vlonjat të atyre viteve. Ishte i pari ekip nga rrethet që theu mitet e pathyeshëm “Partizani” e “Dinamo”. Karriera e tij futbollistike zgjati më pak se 8 vjet, pasi u burgos nga regjimi komunist, nga ku doli i rënduar nga gjendja shëndetësorë.
Kur arrestohej Jani Papa.
Tiranë 1955 -1 maj-
Luhej java e 7-të e Kampionatit Kombëtar të futbollit, 1955-1956. Në 6 javët e para, “Flamurtari” udhëhiqte renditjen me 5 fitore dhe 1 barazim. Kryesimi i kampionatit nga ekipi i Vlorës nuk u pëlqente ekipeve të futbollit të Tiranës dhe drejtuesve të Federatës së Futbollit, dhe për ta zbritur nga vendi i parë, kishin filluar të përdornin të zakonshmit… arbirat. Në Tiranë luhej ndeshja “Kombinati Stalin”-“Flamurtari”. Kur ndeshja ishte 2-1 për ekipin e Vlorës, ndodhi një ngjarje e veçantë, jo vetëm në atë ndeshje, por për të gjithë historinë e deriatëhershme të futbollit shqiptar. Dëmtohet në kokë portieri vlonjat Dhimitër Mina, por arbitri Izet Çani, oficer i Ministrisë së Brendshme, nuk e ndërpret ndeshjen, por sinjalizon dhe për një goditje dënimi për lojtarët e Tiranës në hyrje të zonës. Kapiteni i “Flamurtarit” Jani Papa, i afrohet dhe i kërkon arbitrit që të ndërpresë lojën për t’i ardhur në ndihmë portierit të gjakosur e të shtrirë në tokë apo dhe për ta zëvendësuar. Kërkesës së Jani Papës, arbitri ia kthen duke i thënë të qëndronte urtë se do ta nxirrte jashtë nga fusha e lojës. Nervat e Jani Papës nuk mbajtën më përballë një sjellje të tillë, dhe e qëllon me pëllëmbë arbitrin, i cili rrëzohet përtokë dhe kur ngrihet e nxjerr jashtë loje “agresorin”. Në pushimin e ndeshjes, në dhomat e zhveshjes së ekipit vlonjat, hyjnë dy gjeneralë dhe Kryeprokurori i Përgjithshëm Aranit Çela, të cilët me fjalë fyese dhe në prezencë të ekipit, urdhërojnë arrestimin e Janit. Pjesa e dytë filloi për “Flamurtarin” me 10 lojtarë, por futbollistët në fushë nuk kishin më dëshirë të luanin kur panë shokun e tyre që doli nga dhomat e zhveshjes i lidhur me pranga dhe të shoqëruar nga 4 policë. Ndeshja atë ditë përfundoi 2-2. Pas ndeshjes, futbollistët e Vlorës shkuan për t’u interesuar për shokun e tyre, të cilin e kishin mbyllur tek ish-Posta e vjetër, ku mbanin të burgosurit politikë.
Sigal