Futbolli shqiptar në 88 vite, nga amator në profesionist

993
Nga Agron KAJA
NË PRAG TË ASAMBLESË/ Historia nga viti 1930 e deri në 2018-ën, FSHF-ja ka zhvilluar Kampionate Kombëtare, Kupa të Shqipërisë dhe Superkupa 
Para një evenimenti të rëndësishëm futbollistik, siç është sezoni 2017-2018, në të cilin po luhen ndeshjet e Kampionatit të 79-të Kombëtar dhe ndeshjet e Kupës së 66-të të Shqipërisë, shumëkush mund të kërkojë diçka nga historia e këtij futbolli. 

Edhe pse në këtë stinë futbolli shqiptar ka heshtur zyrtarisht, historia e tij mbetet gjithmonë si detyrim për ta kujtuar, dhe për të qenë sa më pranë saj le të themi se është një histori shumë variabël, me ulje e ngjitje, me probleme nga më të ndryshmet. Ky është futbolli shqiptar, i cili ka kaluar tre sisteme politike, nga ai i regjimit të monarkik, te diktatura e proletariatit e deri më sot, 26 vite demokraci. Në të gjitha këto sisteme, një togfjalësh nuk ka pushuar së thëni: “FUTBOLL-GOL”.

Nga krijimi deri në çlirimin e Shqipërisë
Futbolli në Shqipëri e ka zanafillën e tij në fillimin e shekullit të 20-të. Në vitin 1931 organizohet kampionati i parë kombëtar i futbollit në Shqipëri që u fitua nga SK Tirana, ndërsa ndeshja e parë ndërkombëtare është zhvilluar në Shkodër në kohën e Luftës së Parë Botërore. Ishte një takim mes një ekipi shqiptar dhe një ekipi ushtarakësh austro-hungarezë. Një zhvillim të vërtetë dhe të organizuar, futbolli në vendin tonë mori në vitet e Mbretërisë Shqiptare, ku në vitin 1930 u krijuan organizmat sportive kombëtare që nuk kishin ekzistuar më parë. Dhe po këtë vit, 1930, Shqipëria pranohet si anëtare e FIFA-s, Bashkimit të Federatave Botërore të Futbollit. Deri në vitin 1939, në kampionatet kombëtare ka pasur një rivalitet të madh mes Tiranës dhe Vllaznisë, ku fituese ka dalë e para, por ka pasur edhe mjaft skuadra të tjera si Skënderbeu, Flamurtari, etj, të cilët nisën të rivalizonin me dy skuadrat më të mëdha dhe më të forta në atë periudhë. 

Futbolli në 46 vite diktaturë komuniste
Pas përfundimit të luftës së Dytë Botërore dhe çlirimit të Shqipërisë më 29 nëntor 1944, rigrupohen klubet e futbollit dhe krijohen klube të rinj. Po kështu, grumbullohet edhe ekipi kombëtar i futbollit, i cili luan ndeshjen e parë miqësore kundër Malit të Zi, e cila është fituar me rezultatin e thellë 5-0. Në vitin 1946 zhvillohen në Tiranë Lojërat Ballkanike, ku Shqipëria që e kishte tashmë kombëtaren e saj merr pjesë për herë të parë në një aktivitet zyrtar, she skuadra jonë Kombëtare shpallet fituese e turneut. Sipas modelit lindor, krijohen ekipet ushtarake, Partizani në 1947 dhe Dinamo në 1950, të cilët grumbullojnë lojtarët më cilësorë të vendit. Ndërsa Kombëtarja zhvillon mes luhatjesh lojëra të mira, por edhe me rekorde negative, ndërsa në vitin 1954, pas kërkesës së Shqipërisë, FSHF-ja bëhet anëtare e UEFA-s. Në mesin e viteve 1960, dominimi gati 20 vjeçar i skuadrave ushtarake Partizani dhe Dinamo nisi të zbehet, pasi shfaqet 17 Nëntori (sot Tirana), që vetëm nis të fitojë, por shfaqet simpatike edhe në përballjet evropiane. Në këtë periudhë, skuadra kombëtare nis të marrë pjesë në eliminatoret e kampionateve evropiane e botërore, ku arrin disa rezultate të rëndësishme si, barazimi me Irlandën e Veriut, barazimi me Republikën Federale Gjermane, fitorja me Danimarkën etj. Për shkaqe absurde, pas vitit 1972 deri në vitin 1979, ekipit kombëtar ju ndalua pjesëmarrja në aktivitete ndërkombëtare. Sa i takon përfaqësimit ndërkombëtar të klubeve, shkëlqejnë Tirana e Dinamo, por edhe Flamurtari i Vlorës, i cili për dy vite me radhë bën lojëra për t’u mbajtur mend dhe arrin të kalojë në turin e tretë të Kupës së Kupave. 

Përmbysja që solli ndryshimin
Pas ndryshimeve politike të vitit 1990, futbolli nis të ndryshojë, e fillimisht si strukturë organizative. Në vitin 1994 bëhen zgjedhjet në Asamblenë e futbollit shqiptar, zgjidhet Komiteti Ekzekutiv, Presidenti dhe Sekretari i Përgjithshëm. Krijohen marrëdhënie të ngushta me FIFA-n, UEFA-n dhe FSHF-në, për të marrë asistencë për të gjitha problemet kyçe të futbollit, si edhe përmirësohen në vijueshmëri kushtet për ekipet kombëtare. Në fillimin e viteve 2000, futbolli hyn në një rrugë drejt zhvillimit cilësor, ku në mënyrë të veçantë punohet në drejtim të ngritjes së strukturave të qëndrueshme që e drejtojnë futbollin në qendër dhe në rrethe, përmirësohet ndjeshëm puna në administratën e futbollit. Për herë të parë, ndërtohet një strategji marketingu dhe thithen sponsorë të fuqishëm që mbështesin ekipet kombëtare dhe në përgjithësi futbollin. Bashkëpunimi me organizmat më të fuqishme të futbollit evropian e botëror, UEFA-n dhe FIFA-n, ka ardhur duke rritur dhe forcuar vazhdimisht. Ndërsa në Kampionatin Evropian “Francë 2016”, merr pjesë për herë të parë në ndeshjet finale. Sa i takon kampionateve kombëtare, sidomos në vitet e fundit, ka pasur një rivalitet të madh. Në përfaqësimet e skuadrave tona në Evropë, Skënderbeu, Kukësi e Partizani kanë treguar se tashmë futbolli shqiptar është i orientuar më shumë nga progresi. 
Pas vitit 1990, janë të shumtë futbollistët shqiptarë që kanë luajtur e luajnë në kampionatet e futbollit në disa shtete të Evropës, kryesisht në Greqi, Rumani, Kroaci, Portugali, Ukrainë, Austri, Turqi, Gjermani, Itali, Francë e Zvicër. Kjo është performanca e topkëmbës shqiptare në udhën e gjatë të 88 viteve të historisë së saj, në të cilët ka bashkëjetuar me hapin e jetës së çdo shqiptari, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Ky sport ka se çfarë të flasë në këtë histori. 
Nga viti 1930 që është luajtur Kampionati i parë Kombëtar i futbollit në Shqipëri, e deri më sot, ai nuk është zhvilluar 9 herë (1935, 1938-1944, 1949, 1962). Ndërsa një herë nuk është dhënë titulli kampion, në sezonin 1968-1969. Më pas, nuk ka asnjë ndërprerje të topkëmbës në të gjitha nivelet 

Drejtuesit e FSHF në vite
1930 Luigj Shala/ 1932 Izedin Beshiri/ 1945-1970 Anton Mazreku/ 1970-1980 Zyber Konçi/ 1980-1990 Kristaq Miço/ 1990-1997 Eduard Dervishi/ 1997-2002 Miço Papadhopulli/ 2002 e në vazhdim, Armand Duka
Federata Shqiptare e Futbollit
Viti themelimit: 1930/ Pranuar në FIFA: 1932/ Pranuar në UEFA: 1954/ President: Armand Duka/ Sekretar i përgjithshëm: Ilir Shulku/ Trajner i Kombëtares: Kristian Panuçi/ Kapiten i Kombëtares: Ansi Agolli/ Stadiumi: “Loro Boriçi” dhe “Elbasan Arena”/ Adresa: Rruga “Labinoti”, përballë shkollës së gjuhëve të huaja, Tiranë. Telefon: +355 43 46 605, Fax: +355 46 609. Faqe interneti: fshf.org
Fituesit e Kampionateve 
Tirana 24 herë/ Dinamo 17 herë/ Partizani 15 herë/ Vllaznia 9 herë/ Skënderbeu 6 herë/ Elbasani 2 herë/ Flamurtari 1 herë/ Teuta 1 herë/ Kukësi 1 herë 
Fituesit e Kupave 
Tirana 15 herë/ Partizani 15 herë/ Dinamo 13 herë/ Vllaznia 6 herë/ Flamurtari 4 herë/ Teuta 3 herë/ Elbasani 2 herë/ Laçi 2 herë/ Besa 1 herë/ Apolonia 1 herë/ Kukësi 1 herë