Futbolli shqiptar mbylli vitin 2017, nderohen me çmime 14 ish-futbollistë

485
Nga Agron KAJA
FSHF VEPRIMTARIA/ Për më shumë se dy orë, Hotel “Sheraton” përzjeu brezat e futbollistëve nga e gjithë Shqipëria
Federata Shqiptare e Futbollit, dje veç ceremonisë së mbylljes së fundvitit, bashkoi breza futbollistësh e trajnerësh, të cilët të zbardhur nga thinjat dhe me shëndet trupor josportiv, e trazuan shumë atmosferën. Ishin 15 emra të mëdhenj, ish-futbollistë të Kombëtares dhe të skuadrave ku ata kanë luajtur, të cilët u nderuan me çmime të ndryshme nga FSHF-ja. Kur ndodhesh në mjedise të tilla, kujtimet bëjnë të veçantën, dhe të gjithë pjesëmarrësit e plotësuan këtë atmosferë, e cila nisi me Himnin tonë Kombëtar. Një ndërthurje e sportit me artin, bëri që kjo veprimtari të kalonte sikur pa u ndjerë në 150 minutat e saj. Për Presidentin e FSHF-së, Armand Duka, kjo veprimtari mbetej një mirënjohje për të gjithë ata që u nderuan me çmime, por edhe për ata që i kanë dhënë këtij futbolli mund e djersë, tituj e trofe. “Kjo është një veprimtari, e cila FSHF-në e nderon me të gjithë emrat, që në futbollin shqiptar shkruan historinë. Mirënjohje për të gjithë ata ish-futbollistë që i dhanë jetë këtij futbolli, por edhe atyre që sot nuk mund të ishin në këtë sallë, e cila duket shumë e vogël para këtyre figurave të shquara në futbollin tonë. Ju uroj të gjithëve të jetoni sa më gjatë, dhe me futbollin”, ishte kjo përshëndetja e Presidentit të FSHF-së, i cili me lirshmërinë e tij në ambiente të tilla, thuajse i preku të gjitha tryezat ku protagonistët e mbrëmjes “Gala” ishin sistemuar. Me çmimin “Nderi i Futbollit Shqiptar” u nderuan tre ish-futbollistë të tre brezave në futbollin tonë: Fatbardh Deliallisi, Iljaz Çeço dhe Altin Haxhi, çmim ky që tregoi kontributin e madh të tyre në futbollin tonë. Ndërkohë, me çmimin “Legjenda e Futbollit Shqiptar” u nderuan 12 futbollistë, edhe këta të periudhave të ndryshme. Të gjithë ndjeheshin të nderuar për këtë vlerësim, madje Iljaz Çeço, çmimin “Nderi i Futbollit Shqiptar” e konsideroi si kontribut të të gjithë Dinamos dhe Kombëtares, me të cilët ai luajti për gati 20 vite. Edhe personalitetet që u nderuan me çmimin “Nderi i Futbollit Shqiptar”, në përshëndetjet e kujtimet e tyre, sikur e afruan më shumë historinë e tyre me realitetin, ndërsa për Astrit Ziun, ish-futbollist i Tomorit, i Partizanit dhe i Kombëtares në periudhën 1960-1980, vlerësime të tilla e nderojnë jo vetëm individin, por të gjithë ata kolegë që së bashku dhanë kontribut në stadiumet tona të futbollit. Mesfushori Sabjen Lilaj i Skënderbeut u nderua me çmimin “Këpuca e Artë” për vitin 2017, ndërkohë që Juxhin Xhaja u nderua me çmimin “Gjyqtari më i Mirë” i vitit që po mbyllim. 
NDERI I 
FUTBOLLIT 
SHQIPTAR
Fatbardh Deliallisi
Iljaz Çeço
Altin Haxhi
LEGJENDA E
FUTBOLLIT 
SHQIPTAR
Bedri Omuri
Kolec Kraja
Sabri Peqini
Luigj Bytyçi
Astrit Ziu
Uran Xhafa
Ramadan Shehu
Artan Bano
Agron Karriqi
Avenir Dani
Besnik Dyla
Arben Arbri
Sabien Lilaj “Këpuca e Artë”: Ju falënderoj për respektin e vlerësimin!
“Ju falënderoj për respektin e vlerësimin!”, kjo ishte përshëndetja e shkurtër e mesfushorit të Skënderbeut dhe të Kombëtares, Sabjen Lilaj, i cili si lojtari më i mirë, në këtë ceremoni e bëri vërtet diferencën. FSHF-ja gjithashtu, i akordoi Lilajt edhe një çek prej 200 mijë lekësh si shpërblim për këtë çmim. Lilaj u votua nga 10 kapitenë dhe 10 trajnerë të Kategorisë Superiore, dhe performancat e korçarit ishin aq të vlerësuara, sa arriti të merrte thuajse 100% të votave.
Juxhin Xhaja “Arbitri më i Mirë” i viti 2017
Arbitri i Kategorisë Superiore, Juxhin Xhaja, është zgjedhur gjyqtari i vitit nga Federata Shqiptare e Futbollit. Xhaja ishte një nga më të votuarit për këtë çmim, edhe pse gjatë këtij viti për performancën e tij ka pasur edhe kontestime. Në muajin tetor 2017, Juxhin Xhaja mori edhe stemën e Arbitrit të FIFA-s, së bashku edhe me arbitrin Eldorjan Hamiti, të cilët zëvendësuan Andi Koçin dhe Lorenc Jeminin me këto stema.
Sigal