Futbolli shqiptar, 75 vjeç në 100 vjet Pavarësi

921

HISTORIA/ Nga viti 1930 e deri në 2012-ën, janë zhvilluar 74 kampionate, 60 Kupa të Shqipërisë dhe 22 Superkupa

Para një evenimenti të rëndësishëm futbollistik, siç është sezoni 2012-2013, në të cilin po  luhen ndeshjet e Kampionatit të 74-t Kombëtar dhe ndeshjet e Kupës së 61-të të Shqipërisë, shumëkush mund të kërkojë diçka nga historia e këtij futbolli. Për të qenë sa më pranë kësaj historie, le të themi se është një histori shumë variabël, me ulje e ngjitje, me probleme nga më të ndryshmet, por që ka një kulm të bukur, topi në çdo kohë ka lëvizur. Ky është futbolli shqiptar, që ka kaluar tre sisteme politike, nga ai i regjimit të monarkik, te diktatura e proletariatit e deri tani tek të tjerët që deklarojnë demokracinë shqiptare. Në të gjitha këto sisteme një fjalë nuk ka pushuar së thëni: “GOL!”. Tirana është kampionia e parë, por edhe e fundit.

 Nga krijimi deri në çlirimin e Shqipërisë

 Futbolli në Shqipëri e ka zanafillën e tij në fillimin e shekullit të 20-të. Loja e mrekullueshme që anglezët filluan ta “eksportojnë” në të gjithë botën, nisi të përhapet si një epidemi kudo. Vendi i vogël dhe i varfër ballkanik që po shijonte ditët e para të pavarësisë, e pëlqeu menjëherë lojën e “topkëmbës”. Në qytetet e mëdha si Shkodër, Vlorë e Korçë ku kishte edhe shumë të huaj, futbolli nisi të përhapej me shpejtësi. Ndeshja e parë, ndërkombëtare është zhvilluar në Shkodër në kohën e Luftës së Parë Botërore. Ishte një takim mes një ekipi shqiptar dhe një ekipi ushtarakësh austro-hungarezë. Pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore nisën të krijohen shoqëritë e para sportive. Në fakt, ato ishin grupime shoqërore që organizonin rininë në aktivitete kulturore dhe sportive. Në vitin 1919 krijohet shoqëria “Vllaznia”, e cila shoqërohet nga krijimi i “Tiranës” një vit më pas. Edhe në qytete të tjera të mëdha si në Durrës, Korçë e Vlorë, Berat, etj, filluan organizimet e skuadrave të futbollit, të cilat i dhanë shumë gjallëri jetës së varfër të shqiptarëve. Por, një zhvillim të vërtetë dhe të organizuar, futbolli në vendin tonë mori në vitet e Mbretërisë Shqiptare. Kështu, në vitin 1930 u krijuan organizmat sportive kombëtare që nuk kishin ekzistuar më parë. Dhe po këtë vit, 1930, Shqipëria pranohet si anëtare e FIFA-s, Bashkimit të Federatave Botërore të Futbollit, e cila po këtë vit kishte organizuar për herë të parë Kupën “Zhyl Rime” (sot Kupa e Botës). Në vitin 1931 organizohet kampionati i parë kombëtar i futbollit në Shqipëri që u fitua nga SK Tirana. Në përgjithësi, deri në vitin 1939, në kampionatet kombëtare ka pasur një rivalitet të madh mes Tiranës dhe Vllaznisë, ku fituese ka dalë e para, por ka pasur edhe mjaft skuadra të tjera si Skënderbeu, Flamurtari, etj, të cilët nisën të rivalizonin me dy skuadrat më të mëdha dhe më të forta në atë periudhë. Një risi tjetër që e bëri futbollin edhe më të dashur e të ndjekur në Shqipëri ka qenë edhe aktivizimi i disa lojtarëve të veçantë në kampionatin italian të futbollit. Kanë shkëlqyer në këtë ambient profesionistësh lojtarë të tillë si; Riza Lushta me Juventusin, Naim Kryeziu me Romën, Loro Boriçi me Lacion, Sllave Llambi, etj.

 Futbolli në 46 vite diktaturë komuniste

 Pas përfundimit të luftës së Dytë Botërore dhe çlirimit të Shqipërisë më 29 nëntor 1944, rigrupohen klubet e futbollit dhe krijohen klube të rinj. Po kështu, grumbullohet edhe ekipi kombëtar i futbollit, i cili luan ndeshjen e parë miqësore kundër Malit të Zi është fituar me rezultatin e thellë 5-0. Tashmë fillon rregullisht aktiviteti futbollistik me  kampionatin kombëtar dhe Kupën e Republikës. Në vitin 1946 zhvillohen në Tiranë Lojërat Ballkanike, ku Shqipëria që e kishte tashmë kombëtaren e saj merr pjesë për herë të parë në një aktivitet zyrtar. Skuadra jonë Kombëtare shpallet fituese e turneut të futbollit, ç’ka përbënte një sukses të jashtëzakonshëm. Tek njerëzit rindizet dashuria për këtë sport të bukur dhe gradualisht organizohen skuadra të tjera. Sipas modelit lindor, krijohen edhe ekipet ushtarake, Partizani në vitin 1947 dhe Dinamo në vitin 1950, të cilët grumbullojnë rreth vetes lojtarët më cilësorë të vendit. Gjatë krijimit dhe organizimit të skuadrave të tjera në të gjithë Shqipërinë, u evidentuan shumë të rinj të talentuar nga mundi i të cilëve, më pas futbolli shqiptar arrin edhe disa suksese me klubet, ku mund të veçohen fitoret e medaljeve të argjendta në Turnetë e Laipcigut dhe të Hanoit, nga ana e ekipit të Partizanit. Ndërsa kombëtarja zhvillon mes luhatjesh lojëra të mira, por edhe rekorde negative. Në vitin 1954, pas kërkesës së Shqipërisë, Federata Shqiptare e Futbollit bëhet anëtare e organizmit më të rëndësishëm të futbollit evropian UEFA. Në mesin e viteve 1960, dominimi gati 20 vjeçar i skuadrave ushtarake Partizani dhe Dinamo nisi të zbehet. Shfaqet 17 Nëntori (sot Tirana), e cila jo vetëm nis të fitojë, por të shfaqet simpatike edhe në përballjet evropiane. Në këtë periudhë, skuadra kombëtare nis të marrë pjesë në eliminatoret e kampionateve evropiane e botërore, ku arrin disa rezultate të rëndësishme si, barazimi me Irlandën e Veriut, barazimi me Republikën Federale Gjermane, fitorja me Danimarkën etj. Për shkaqe absurde, pas vitit 1972 deri në vitin 1979, ekipit kombëtar ju ndalua pjesëmarrja në aktivitete ndërkombëtare. Vetëm në eliminatoret e Botërorit “Spanjë ‘82”, kombëtarja morri pjesë dhe nuk e ndërpreu më pjesëmarrjen e saj në botërorë dhe evropianë. Në vitin 1978, ekipi Kombëtar Shpresa U 21 vjeç, fitoi titullin Kampion i Ballkanit, sukses që u përsërit edhe në vitin 1981. Në fillimin e viteve 1980 pati një zhvillim të madh të futbollit në vendin tonë, ku përveç tre skuadrave të kryeqytetit, për të rivalizuar dolën edhe ekipet të tjera si tradicionalet Vllaznia e Flamurtari, e më pas Elbasani. Po kështu, edhe niveli cilësor i lojës dhe i futbollistëve ishte më i lartë. Në vitin 1983 ekipi Kombëtar Shpresa U 21 arriti të kualifikohej në çerekfinalen e Kampionatit Evropian. Në eliminatoret e Botërorit “Meksikë ’86”, Shqipëria bën një paraqitje të kënaqshme, më të mirën të realizuar ndonjëherë, ndërsa sa i takon përfaqësimit ndërkombëtar të klubeve, shkëlqejnë Tirana e Dinamo, por në mënyrë të veçantë Flamurtari i Vlorës, i cili për dy vite me radhë bën lojëra për t’u mbajtur mend dhe arrin të kalojë në turin e tretë të Kupës së Kupave.

 

Përmbysja që solli ndryshimin

 Pas ndryshimeve politike të vitit 1990, futbolli si e gjithë shoqëria shqiptare kërkon të ndryshojë. Fillimisht si strukturë organizative. Në vitin 1994 bëhen zgjedhjet në Asamblenë e futbollit shqiptar, ku zgjidhet Komiteti Ekzekutiv, Presidenti dhe Sekretari i Përgjithshëm dhe të gjitha Komisionet që drejtojnë veprimtarinë e FSHF-së. Kjo praktikë ndërkombëtare ka ardhur në përmirësim të vazhdueshëm, deri në ditët tona. Krijohen marrëdhënie të ngushta me FIFA-n, UEFA-n dhe FSHF-në, për të marrë asistencë për të gjitha problemet kyçe të futbollit. Përmirësohen në vijueshmëri kushtet për ekipet kombëtare dhe me gjithë vështirësitë e krijuara nga ngjarjet e vitit 1997 përfundojnë kampionatet kombëtare në të gjitha nivelet. Në fillimin e viteve 2000, futbolli hyn në një rrugë drejt zhvillimit cilësor. Në mënyrë të veçantë punohet në drejtim të ngritjes së strukturave të qëndrueshme që e drejtojnë futbollin në qendër dhe në rrethe, por përmirësohet ndjeshëm puna në administratën e futbollit. Për herë të parë, ndërtohet një strategji marketingu dhe thithen sponsorë të fuqishëm që mbështesin ekipet kombëtare dhe në përgjithësi futbollin. Bashkëpunimi me organizmat më të fuqishme të futbollit evropian e botëror, UEFA-n dhe FIFA-n, ka ardhur duke rritur dhe forcuar vazhdimisht. Ky bashkëpunim, rezulton që të jetë në parametrat më optimalë për të mirën e futbollit shqiptar. Ka ardhur duke u përsosur puna me ekipet kombëtare, të cilat sot kanë kushte optimale dhe punohet vazhdimisht që ato të përmirësohen. Sa i takon kampionateve kombëtare, sidomos në vitet e fundit, ka pasur një rivalitet të madh. Tirana është konkurruar nga Dinamo, Vllaznia, Elbasani, Teuta, Partizani, Flamurtari e Skënderbeu, duke i dhënë futbollit më shumë kënaqësi dhe rivalitet.

Kjo është performanca e topkëmbës shqiptare në udhën e gjatë të 100 viteve pavarësi kombëtare, e cila ka bërë historinë e saj me 75 vitet, në të cilët ka bashkëjetuar me hapin e jetës së çdo shqiptari, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Edhe ky sport ka se për çfarë të flasë në këtë 100 vjetor!

 Federata Shqiptare e Futbollit

 Viti i themelimit: 1930

Pranuar në FIFA: 1930

Pranuar në UEFA: 1954

Stadiumi Kombëar: “Qemal Stafa”, 16.545 vende të ulura

President: Armand Duka

Sekretar i Përgjithshëm: Ilir Shulku

Fituesit e Kampionateve

Tirana          24 herë

Dinamo          17 herë

Partizani       15 herë

Vllaznia        9 herë

Skënderbeu      3 herë

Elbasani        2 herë

Flamurtari      1 herë

Teuta           1 herë

Fituesit e Kupave

Tirana          15 herë

Partizani       15 herë

Dinamo          13 herë

Vllaznia        6 herë

Flamurtari      3 herë

Teuta           3 herë

Elbasani        2 herë

Besa            1 herë

Apolonia        1 herë

Fituesit e Superkupave

Tirana          10 herë

Partizani       2 herë

Dinamo          2 herë

Vllaznia        2 herë

Flamurtari      2 herë

Elbasani        1 herë

S’u zhvillua    2 herë