Futbolli që lamë pas i 2017-s, nga A-ja e deri te Zh-ja

797
Nga Prof. Xhevdet Zeka
PËRSHKRIM/ Në sportin e topkëmbës, ja si vijnë të gjitha situatat që ai ka kaluar, por me një rend alfabetik perfekt
Një përshkrim profesional gazetaresk, e kujton futbollin shqiptar gjatë një viti kalendarik me të gjitha të mirat dhe dobësitë që janë shfaqur në ecurinë e garës së tij. Një rrugë në alfabetin shqiptar, e cila e cek këtë futboll, jo për dekoratë në fundviti, por as edhe për t’ia harruar vlerat atij. Nisur nga 36 germat e alfabetit shqiptar, mund të ketë më shumë për të thënë, dhe më shumë të pathëna, por që sot ato vijnë si në pole-possetion të vitit 2017. Dikush e gjen veten mirë, dikush edhe mund të mos e pranojë atë realitet që ka kaluar, ndoshta dikush edhe mundet që të mos jetë në këto radhë alfabetike, por rëndësi ka që sot lexuesi i gazetës “Telegraf”, ta ketë përpara këtë “pasqyrë” të futbollit shqiptar gjatë këtij viti kalendarik, i cili ka edhe dy ditë “jetë”.
A. Armand Duka. Ky vit e gjeti më të pushtetshëm, më të fortë. Një vend i tretë i kuqezinjve në grup, jo keq, Pas Kualifikimit në Francë 2016. Shumë polemika me disa klube të Kategorisë Superiore. Humbje në konkurrimin për drejtimin e futbollit evropian, falë edhe ndikimit të një “letre anonime” antishqiptare. Fillon një investim të ri për ambientet e FSHF-së. Ka nisur fushatën me dekorime, madje ka marrë për keq shembullin “Nishani”. Pak dekorime për ata që janë kundër. Edhe ky vit prodhoi polemika anti-Dukë për trofe të përcaktuar, standarde të dyfishta, drejtim i centralizuar e me dorë të hekurt. Zgjedhja e Panuçit, sfidë dhe futboll i luajtur ndryshe.

B. Bashkim Fino. Disa herë i kanë kërkuar të kandidojë për President të KOSH-it. Personi që mori, realizoi e drejtoi Shqipërinë në zgjidhjen e krizës së vitit të mbrapshtë 1997, i pranuar nga i gjithë spektri politik, kombëtar e ndërkombëtar Nëse është e vërtetë që do të kandidojë për kreun e FSHF-së, ai do të ndeshet me akuzën se “politika po ndërhyn në futboll”. Futbolli ka probleme, stadiumet bosh, gjykime skandaloze, probleme me financat, pa ligë profesioniste, etj. Bashkim Fino për herë të parë një kundërshtar dinjitoz, si ai që ka kërkuar z. Duka në mënyrë konstante.

C. Cana (Lorik), largimi i dhimbshëm nga ekipi kombëtar. Futbollisti luftarak, prijësi i kombëtares në Francë, bashkë me djemtë e tjerë kuqezinj i dhanë lavdi De Biazit. Një dyshe heroike me presidentin Duka në lojën brenda e jashtë fushe. Tashmë ambasador i futbollit shqiptar. 

Ç. Çani (Edgar), dështimi i merkatos së Partizanit. Tregues i zemërgjerësisë së Gazmend Demit dhe se Partizani kishte nevojë për një Olsi Rama ndryshe nga “moxhërit” dhe kolonia e paaftë, që e rrethojnë. Tregues i një mjekësie sportive shumë të paaftë dhe të kontratave pa obligime, ndëshkime e kushte shtrënguese e profesionale juridikisht.

D. Dinamo, elita e nderit të futbollit shqiptar. Kaq për të thënë se jemi në futbollin e parave, futbollin ku fshati rrethon qytetin. Politikat e vjedhjes së pronave të Dinamos u thelluan edhe këtë vit, dhe… për pallate. 

E. E rrallë ndeshja Përmeti-Këlcyra, ku kuptohet se kemi futboll për fasadë, dhunë, trukim, shkallë stadiumi bosh, futboll moshash në mbijetesë, gabime njerëzore në favor të parave dhe vetëm të disa skuadrave. E rrallë, por nuk keni parë asgjë akoma. 

Ë. Ëndërr për të parë një kampionat të pa paragjykuar, të padëmtuar në imazh, një Flamurtar pa gjoba, një Partizan pa ankesa, një Ligë Profesioniste, gjyqtarë pa gabime njerëzore, stadiume plot. Ëndërr për një debutim në finalet e një botërori.

F. Flamurtari i suksesit më të madh në paraqitjet e skuadrave tona në Evropë. Vazhdon të jetë model i “Fair Play Financiar” dhe i vizionit të klubit, por edhe model i urrejtjes dhe gjobave nga komisionet. Gjyqtarët kanë bërë që, nga 10 gola, 6 t’i marrë vetëm me penallti. 

G. Goool! Gol FSHF, gol Skënderbeu, gol Kukësi, gol Panuçi! Gol; që iku De Biazi. Gol tribuna “VIP”, gol politika, gol gjyqtarët, gol servilët, gol gazetarët. Sa shumë gola. Sa shumë trofe. Gol tolerimet… Po autogolin me tifozët dhe shkallët bosh, kush e ka shënuar?

Gj. Gjyqtarët. Ata janë ngopur me gabimet njerëzore. Ka mjeshtër që u marrin të dy presidentëve të një ndeshjeje para, ka të pa rregullueshëm. Ka fare të korruptuar, ka dhe shumë të ndershëm. Edhe përse janë të pavarur, thonë, në të vërtetë janë si eunukë mendorë, që dhe pa urdhra e turpërojnë FSHF-në dhe njollosin futbollin shqiptar. 

H. Hasanbelliu, presidenti më i vjetër, më korrekti, që nuk duron e toleron dhunën në stadium; shpenzon pak, por shumë për xhepin e tij, promovon me dhjetëra futbollistë të rinj. Ka krijuar përherë struktura me drejtorë dhe staf teknik. 

I. Infrastruktura, gjithnjë e më progresive, më e pranueshme. Në këtë rast duhet përmendur e

vlerësuar me notë 10 puna e anëtarit të Komitetit Ekzekutiv, Arben Dervishaj, si një zë real në ndihmë të futbollit. Stadiumi i Elbasanit, Shkodrës, Tiranës dhe shumë ambiente të tjera sportive kanë vulën teknike dhe sigurinë maksimale në parametrat e ndërtimit, falë inxhinierit Arben Dervishi. Pak stola për fushën në Përrenjas. Për miken time, Miranda Rira kryetare e palodhur e Bashkisë.

J. Jona Dervishi, imazhi femëror i futbollit dhe FSHF-së. Simpatike dhe e brishtë, por e rreptë dhe në zbatim të rregulloreve e kodit të etikës. Sa më shumë Jona pranë futbollit, aq më shumë do të zbukurohet e revolucionarizohet ai. Sidomos nga ofendimet, sharjet në kor e shkallët bosh. 

K. Kabo (Përparim). Me fat që një personalitet i madh i këtij vendi është pjesë e futbollit. Kontribut i paçmuar e madhor i tij në standardin e analizës dhe njohjes deri në detaje të futbollit të djeshëm e të sotëm. Asgjë nuk mund të bëhet mirë, nëse zërojmë të djeshmen. Përparim Kabo duhej të ishte, në mos… të paktën këshilltar pranë FSHF-së. 

K. Kukësi, kampion i vitit 2017, një skuadër e madhe, me një dirigjent si Safet Gjici, shembi dinastinë e të mëdhenjve në futbollin tonë. Kampionatin në vazhdim ka ofruar shembullin se si mund të durohet, kur dështon trajneri. Vazhdon i rregullt në pagesa i vështirë në bashkëpunim me stafet.

K. Kamza, hyri si skuadër e vogël, por bëri një performancë të pabesueshme. Apo mund të themi se ishte befasia e këtij kampionati, por u deh nga fitoret dhe tri ndeshjet e fundit e kanë zbritur shumë. 

L. Luftëtari. Kur themi Luftëtari, nënkuptojmë Abazaj, Bregu, Rroca e të tjerë; futboll i bukur dhe i shpejtë. Me talente shqiptare, që japin shpresë. Hasan Lika i ka bërë më të sigurt në lojën e tyre gjirokastritët. 
L. Laçi, ekipi stabël i viteve të fundit. Qëndron te kreu. Luan si i barabartë me skuadrat e forta, por lë shumë pikë me të voglat. Promovon shumë futbollistë të rinj, të huaj e vendas. Uzuni dhe Selmani, super lojtarë. 

L. Lushnja po bën të pamundurën për të kënaqur tifozët e saj, por erdhi me lojtarë të Kategorisë së Parë, pa prurje të reja. Bano vazhdon të jetë lider për ata. Sefa, Çela, Spaho, Magani janë pika referimi, por e kanë të vështirë t’ia dalin. 

Ll. Lloto, lotari sportive, trukime, lëshime, mungesë impenjimi, që janë duke u zvogëluar. Por duhet tatim për biznesin e basteve sportive në favor të futbollit.

M. Media herë e “qokave”, herë e interesave dhe here-herë që flet sipas urdhrave. Media e ndërlidhur me interesa ekonomike. Madje, ka gazetarë që kanë ekranet e tyre dhe shkojnë tek konkurrentët për pak klering mediatik. Përtej Gerti Çarçanit, vazhdon dominimi profesionist femëror i Enkeleida Zekos, ndërsa vijon natyrshëm Hygerta Sako dhe më të rejat: Vjola Spiro, Bora Zemani, Daljana Sejdia, Marina Vjollca, Vilma Masha, Ilda Bejleri, Eva Murati etj.

M. Milinkoviç, shkëlqimi dhe rrëzimi i një trajneri, kur është me skuadra të mëdha dhe të vogla, apo më thjeshtë, është ndryshe të luash me president, dhe ndryshe kur luan e drejton vetë. 

N. Nota 10, Skënderbeu. Nota 9, Kristian Panuçi. Nota 8, Laçi e Flamurtari. Nota 7, Luftëtari. Nota 6, Partizani e Kukësi. Nota 5, Kamza, Teuta, Vllaznia e Lushnja. Nota 4, media. Nota 3, komisionet. Nota 2, gjyqtarët. Nota 1, Këlcyra. 

O. Olsi Rama, drejtor sportiv me një vizion amerikan për drejtimin e klubit, fjalëpakë dhe bashkëpunues, ka një vizion super të qartë. Është praktik dhe pa fjalë.

P. Partizani skuadra që pret titullin në Kategorinë Superiore. Skuadra më e dështuar në këtë merkato. Starova stoik: Fajin e ka Duka. FK. Partizani duhet të organizojë turneun “Panajot Pano”, që edhe këtë vit nuk nderoi Perandorin.

Q. Qëllimi justifikon mjetin. Mjetin për të fituar trofe, ndeshje, lojtarë, financa, tifo-grupet, median. Qëllimi i FSHF-së vendi i tretë në grup i realizuar.

R. Edi Rama realisht ka dhënë ndihmesë në mbështetjen dhe realizmin e stadiumeve në Shqipëri. Kryeministri më i suksesshëm për infrastrukturën e futbollit dhe jo vetëm.

Rr. Rreziku i harresës së futbollistëve të Kategorisë superiore në ekipin kombëtar: Abazaj, Ozuni, Doka, Selmani, Lila, Trashi, Dita etj, etj. 

S. Skënderbeu skuadra që na bën të ndihemi krenarë. Skuadër me stabilitet dhe vizionare. Me një klub mjaft të suksesshëm dhe ku të gjitha strukturat janë në perfeksion. Ardian Takaj president e Gerhard Takaj C.E.O, Harris Fakiç drejtor sportiv, Ilir Daja e Ilir Bozhiqi teknikë, Ilirjan Përmeti drejtor klubi, Enea Zhidro press-oficer, Oldjan Lulo person kontakti etj, janë truri i kësaj skuadre evropiane në rezultate, vizion dhe strukturë organizative. 

S. Sektori i edukimit në FSHF, me z.Astrit Maçi e Alban Tafaj, ka krijuar një strukture funksionimi të suksesshme, me plane e programe të miratuara në UEFA dhe ballafaquese me sektorët më të përparuar të Evropës. Kursi i fundit për drejtorët sportivë është treguesi gjithëpërfshirës dhe vizionar. Ky sektor i pararojës në FSHF është në nivele të larta dhe ka marrë e merr vlerësime super pozitive nga UEFA.

SH. Shakohoxha vazhdon të jetë pak e më pak fans i Partizanit, por një zë i veçantë i transmetimit, që e ruan si sytë e ballit produktin futboll dhe i mbështet gazetaret e reja në karrierën mediatike.

T. Tirana e madhe. Tirana kampione. Tirana e metropolit pësoi humbjen më të madhe në historinë e saj. AN mungon të gjithëve. Punë e shkëlqyer e Refik Halilit për të ardhmen e Tiranës dhe në Kategorinë e Parë. 
U. Unitet në qëndrimet pro dhe kundër ndaj të vegjëlve, ndaj të pambrojturve, ndaj të pabindurve, ndaj atyre që kërkojnë të bëjnë institucion, ndaj Ligës profesioniste, pse jo dhe ndaj sukseseve të Dukës.

V. E kush tjetër Vllaznia, Perëndia! Djepi i futbollit të bukur që falë Bashkisë, e cila e mban peng për ca vota e korrupsion po lebetitet dhe rënkon në çdo sezon. Vllaznia e Loros, Rragamit, Bizit, Jerës, Sinanit, Martinit, Grimës e shumë e shumë te tjerëve që për të turp të hienave po shkon në ferr.

X. X në zgjedhje, X në standarde, X në suport ekonomik, X në gjykime, X në drejtësi sportive, X merkato dhe x në vizionin e futbollit dhe rregullat e Fair Play.

Xh. Xhat Bizhdilli e rikthimi i tij, i vonuar, i pashpresë, dhe i pasuksesshëm, Dhe përse kanë kaluar kaq kohë këpuca e Xhatit është prezent ndaj gjyqtarëve sharlatanë.

Y. Ylber Ramadani kurrë nuk duhej larguar aq shpejt nga Partizani, një e ardhme e ndritur e kombëtares, një Buskets i ri modern për futbollin e kombëtares.

Z. Zemërzinjtë harruan Ballist Morinën, ai që dha kontributin kryesor për shkuarjen në Francë, madje miliona herë më shumë se rrogëtari italian Gianni. Koha për lirimin e tij, dhe mos ta harrojmë.

Zh. Zhurmë. Shumë zhurmë… për cilësinë e gjykimeve. Le të lemë të qetë një herë futbollin e luajtur në fushë. 
Nota 10, Skënderbeu. Nota 9, Kristian Panuçi. Nota 8, Laçi e Flamurtari. Nota 7, Luftëtari. Nota

6, Partizani e Kukësi. Nota 5, Kamza, Teuta, Vllaznia e Lushnja. Nota 4, media. Nota 3, 

komisionet. Nota 2, gjyqtarët. Nota 1, Këlcyra
Media, herë e “qokave”, herë e interesave dhe herë-herë që flet sipas urdhrave. Media e ndërlidhur me interesa ekonomike. Madje, ka gazetarë që kanë ekranet e tyre dhe shkojnë tek konkurrentët për pak klering mediatik në ekrane
Sigal