Futbolli peng i trukimeve, klubi i Flamurtarit “mban” fjalën, dërgon në Prokurori ndeshjen me Partizanin

490
Sigal

Një situatë tjetër për shitjen e ndeshjeve përfshiu kampionatin elitar të futbollit në Shqipëri, por këtë herë veprimi erdhi, ashtu siç u mor vesh, nga vetë administratorët e klubit të Flamurtarit, duke vënë theksin tek disa futbollistë që janë të dyshuar se kanë shitur ndeshjen me Partizanin, ndeshje që nga avantazhi 1-0 që kishin, e humbën 2-1, duke lënë Partizanin që të fitonte një takim shumë të fortë dhe delikat. Kjo situatë, ose më saktë vetëdeklarim i klubit të Vlorës, tregon se situata ka dalë jashtë çdo kontrolli të mundshëm, pasi janë drejtuesit që denoncojnë futbollistët, pasi këta të fundit marrin përsipër që të shesin e të blejnë ndeshje sipas interesave të tyre. Padyshim që kjo është një nga ato tjera njolla të turpit, por kjo është më e errëta, pasi nuk ka më besim as mes klubit dhe futbollistëve. Pasi mirë, të marrim një shembull banal, në shumë raste, flasim edhe për takimet jashtë vendi, flitet që ndeshjet janë lënë në të mirë të kundërshtarit por pasi kanë rënë dakord klubi me futbollistët. Por tani, në rastin e Vlorës, gjithmonë duke u bazuar tek ajo që tha Idrizi, kemi një situatë krejt tjetër, ku futbollistët vendosin vetë, me iniciativën e tyre, të bëjnë pazare të “pista”. Nga e gjithë kjo që ne po dëgjojmë, rezulton se nuk ka më kontrolle të klubit mbi lojtarët çka tregon se niveli është në zbritje dhe jo në rritje të cilësisë dhe pastërtisë në futboll.

Deklarata

Mjafton të ndjekim deklaratën e djeshme të klubit të Vlorës për ta kuptuar dhe për ta marrë me shumë seriozitet gjithë këtë “zullum”. Në deklaratë shkruhej se “klubi i Flamurtarit, duke marrë shkas nga ngjarjet e ndodhura në ndeshjen Partizani-Flamurtari, e duke pasur dyshime të forta se kjo ndeshje ka qenë e trukuar nga disa futbollistë, Bordi Drejtues i Flamurtarit ka vendosur denoncimin në Prokurori të ndeshjes Partizani-Flamurtari, duke i vënë në dispozicion të prokurorisë të gjitha mjetet që klubi disponon si ato filmike dhe analizën teknike të ndeshjes. Vënien në dijeni të Komisionit të Etikës pranë FSHF për zbardhjen e kësaj çështjeje, ne sigurojmë mbarë opinionin publik se Flamurtari mbetet i vendosur për t’i shkuar deri në fund kësaj çështjeje, për të sqaruar se asnjë individ ose grup individësh nuk mund të hedhë baltë mbi emrin Flamurtari dhe mbi të administratorin që ka marrë përsipër të ngrejë këtë ekip në nivelet që i takon. Kushdo që do të dalë i implikuar në këtë çështje, nuk do të ketë mundësi të jetë më pjesë e futbollit shqiptar”.

Situata

Vëmë re dy gjëra: 1- Kërkohet ndihma e Komisionit të Etikës, e po atij komisioni që mori vendime të papritura për javën e 19-të të futbollit, duke dënuar kështu vetëm 2 futbollistë, e duke lënë mënjanë të tjera vendime që edhe mund të ishin marrë, vendime që do kishin qenë në mbrojtje të futbollit. 2- Duke dashur të lëmë mënjanë ironinë, diçka tjetër vihet re tek Superliga shqiptare, diçka që përbën një ndryshim shumë të madh sa i përket jo vetëm mënyrës së organizimit por edhe mënyrës së konceptimit, e ndryshimi vjen pikërisht tek gjuha që përdoret, duke bërë të pranishëm gjithmonë në fjalorin e përjavshëm pas çdo ndeshjeje, fjalë që vetëm me futbollin nuk duhet të kenë lidhje, si “Prokurori”, “shitje” “trukim”, “blerje” etj.  Gjithsesi, ndoshta kjo deklaratë do të ndikojë, edhe sa do pak, që të ndryshojë gjendja në futbollin vendas, duke e bërë më të besueshëm për të gjithë ata që i ndjekin takimet nga televizori, që shkojnë pastaj të ndjekin ndeshjet edhe nga stadiumi. Vetëgjyqësi parimore është kjo e Flamurtarit dhe futbolli shqiptar ka nevojë për më shumë shembuj të tillë, e të paktën ky ishte një fillim.

 Kombëtarja U19, turne me ndeshje miqësore në Itali

Ekipi Kombëtar i Futbollit U19, i drejtuar nga Altin Lala, do të zhvillojë një turne në Itali nga data 8-13 mars. Në fakt është i treti vit radhazi që ekipi jonë merr pjesë në këtë turne, ku pjesëmarrës do të jenë edhe ekipet e Italisë, Maltës dhe Uellsit. Shqipëria ndeshjen e parë do ta luajë me datën 9 mars, pikërisht kundër Maltës, një kundërshtar që për hir të së vërtetës nuk ka nivelin e përfaqësueses tonë, ndërsa me 10 mars do të luajnë edhe ndeshjen me Uellsin, për të lënë për në fund takimin me Italinë, më datën 12 mars.

Tiranën e pret një javë ferri, pret Kukësin dhe Partizanin brenda 4 ditësh

Një kalendar i frikshëm për Tiranën në ditët në vijim, ku për shkak të kalendarit të ngjeshur dhe ndeshjeve të prapambetura, do të presë Kukësin me datë 08 mars, për t’i lënë vend vetëm pas katër ditësh takimit të shumë pritur dhe po aq të shtyrë me Partizanin. Humbja që Tirana pësoi me Skënderbeun bëri që të mos e fillonte mirë serinë e kalendarit të ferrit, duke humbur kësisoj një mundësi shumë të mirë për të bërë përpara, pas asaj humbjeje me Laçin. Në fakt si për Tiranën ashtu edhe për Kukësin ndeshja është vendimtare, ku në rast se fitojnë verilindorët, krijojnë një tjetër shkëputje ndaj kundërshtarëve, por humbja për Tiranën do të ishte fillimi i një krize dhe humbja e terrenit në mënyrë të vazhdueshme. Vështirësitë janë të mëdha aktualisht për klubin, por nëse ia del me sukses në këto dy sfida, do të fillojë një tjetër “fazë”, ajo e rikuperimit. Sa i takon ndeshjes me Partizanin, ka disa javë që për këtë flitet, por mjafton që këtë herë takimi të luhet dhe të mos shtyhet për mungesë stadiumi, e këtu nuk luhet për kampionat, luhet për prestigj.

Elseid Hysaj në radarët e Interit, Tohir pëlqen cilësitë e tij

Mbrojtësi i kombëtares shqiptare, Elseid Hysaj, mund të bëhet pjesë e ekipit të Interit, duke realizuar në këtë mënyrë një ëndërr të tijën, të bëhet pjesë e ekipit zikaltër. Sipas mediave italiane, Hysaj ka rënë në radarët e Interit, ku bëhet me dije se presidenti Tohir mund ta transferojë tek ekipi në verë. Në faqen “calciomercatoëeb.com” është publikuar një listë e futbollistëve që presidenti dëshiron që të transferojë dhe në këtë listë përfshihej edhe Hysaj që këtë sezon ka rënë në sy tek të gjithë, nisur nga ndeshjet e mira që ka zhvilluar, diçka që nuk ka munguar as me Kombëtaren, ku kujtojmë që De Biazi e quajti edhe si zbulimin e vitit.

 Përsëri Vllaznia, jep dorëheqjen Samuel Nikaj, trajneri i U19

Dje ka dhënë dorëheqjen trajneri i U19 të Vllaznisë, Samuel Nikaj, ku ky i fundit është shprehur se nuk ndihet i vlerësuar te Vllaznia, duke qenë se nuk e shqyrtuan aspak  mundësinë që ky të vinte në krye të Skuadrës së parë, duke e anashkaluar komplet, pavarësisht se çfarë ka arritur të bëjë me Vllazninë e të rinjve, me Burrelin apo me Adën, duke dhënë gjithmonë rezultate pozitive në çdo punë të kryer. Në deklaratën që ai bëri ka falënderuar të gjithë lojtarët që ka trajnuar, por gjithashtu “shpreh” edhe një shqetësim të vetin, ku shpreson që fakti që nuk u zgjodh si trajner i Vllaznisë të mos ketë si arsye bindjen politike apo përkatësinë fetare.