Futbolli i tha “jo”, Fino “mbrohet” me ankimim!

720
Nga Agron KAJA
ATMOSFERË/ Një ditë pas zhvillimit të Asamblesë Zgjedhore, ja si trajtohet zgjedhja e Presidentit të FSHF-së në media e rrjetet sociale 
Asambleja u zhvillua sikundër ishte parashikuar, e për këtë një “Bravo” për të gjithë FSHF-në. Ne shqiptarëve, politika na ka marrë në qafë në çdo aspekt të jetës, ndërsa kur i është dashur futbolli, ka bërë vetëm rrëmujë. Kështu bëri edhe Rama me Finon, por ai humbi përballë Dukës
Gjatë ditës së djeshme, jo vetëm në mediat sportive apo në rrjetet sociale, por edhe në ambientet publike në Tiranë, zhvillimi i punimeve të Asamblesë Zgjedhore të FSHF-së nuk kalonte pa diskutime. Më shumë se sa ecuria e normaliteti në këtë forum të lartë të futbollit shqiptar, të gjithë fokusohen më shumë në votimin për Presidentin e FSHF-së, referuar çiftit kandidues për këtë post: Duka-Fino. “Asambleja u zhvillua sikundër ishte parashikuar, e për këtë një “Bravo” për të gjithë FSHF-në!”, kështu thuhej në një nga portalet e UEFA-s, e cila i referohej edhe pranisë së zëvendëspresidentit të saj, Gregori Surkin, i cili në një farë mënyre, e certifikoi rezultatin e votimeve në këtë Asamble. Por, më të ashpër janë treguar njerëz të ndryshëm, të cilët i janë referuar mediave sportive, dhe më shumë portaleve elektronike, të cilat kësisoj janë bërë pjesë aktive e komunikimit. “Guida e Finos në Asamble ishte e qartë: “Erdha-shava-humba!” Ai për këtë do të mbahet mend në kandidimin e tij për President në FSHF”, kështu shkruhej në një bashkëbisedim qytetar në Facebook. Madje kishte edhe më “guximtarë”, të cilët këtë humbje të Finos e quajnë edhe një fitore të Armand Dukës ndaj Kryeministrit Edi Rama, duke e quajtur Finon, një eksponent të rëndësishëm të partisë që ai drejton. “Ne shqiptarëve, politika na ka marrë në qafë në çdo aspekt të jetës, ndërsa kur i është dashur futbolli, ka bërë vetëm rrëmujë. Kështu bëri edhe Rama me Finon, por ai humbi përballë Dukës”. Ndërkohë, pas përfundimit të votimit në Asamble për Presidentin e FSHF-së, humbësi Bashkim Fino bëri një deklarim të çuditshëm, kur tha se do të ankohet në UEFA e në CAS. Edhe kjo deklaratë e tij nuk ka mbetur pa komente dhe, duke i përmbledhur disa prej tyre, që me ironi e kanë quajtur, si shaka të Finos, për të mos u dorëzuar plotësisht përballë fitores live të rivalit Duka. “Kjo ‘shaka’ e tij ka treguar se politikanët dinë të mbrohen edhe kur humbasin, por e vërteta është, se futbolli i tha “JO”, ndaj ky ankimim mund të jetë për të një justifikim, që do të kthehet në një humbje të dyfishtë. Në fakt, asnjëherë në historinë e 20 viteve të fundit, nuk kishte ndodhur që për Presidentin e FSHF-së të kandidonte një deputet, një politikan karriere. Madje nuk kishte ndodhur që edhe në Komitetin Ekzekutiv të kandidonin deputetë, politikanë, ish-ministra e ish-zëvendësministra, ish-kryeprokurorë në qeveri të ndryshme në vendin tonë. Një rast “Guines” për Shqipërinë, por që në Asamble i tha “JO” politikës.
Vjen konfirmimi, FIFA dhe UEFA “çertefikojnë” Dukën me telefon
Ka qenë i shpejtë reagimi i FIFA-s dhe i UEFA-s për mbylljen e Asamblesë Zgjedhore, kryesisht pas rizgjedhjes së Presidentit Armand Duka në krye të FSHF-së. Presidenti i UEFA-s, Aleksandër Ceferin i përcolli urimet e menjëhershme Dukës për vazhdimësinë e tij në këtë detyrë, si dhe për bashkëpunimin e mëtejshëm mes UEFA-s dhe FSHF-së në projektet e përbashkëta. Edhe Presidenti i FIFA-s, Xhani Infantino, në bisedën telefonike me Presidentin e FSHF-së, e uroi Dukën për votëbesimin që i dha sërish Asambleja, si dhe i rikonfirmoi thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit mes dy institucioneve.
Votimi për President në FSHF
Raundi i parë
Votues 65
Armand Duka 39
Bashkim Fino 22
Shpëtim Hala 0
Pa vlefshme 4

Raundi i dytë
Votues 65
Armand Duka 38
Bashkim Fino 24
Shpëtim Hala 0
Pa vlefshme 3
Sigal