FUTBOLL, LEGJIONARËT/ Vajushi shënon në Bullgari, Januzi përgjigjet në Ukrainë

500
Sigal

Armando Vajushi zbukuroi fitoren e thellë 4-0 të Liteksit të Loveçit në transfertën ndaj Etarit, me sulmuesin shkodran që realizoi golin e katërt për skuadrën e tij. Takimi ishte i vlefshëm për javën e 6-të të kampionati bullgar. Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 2-0 (Tsvetkov dhe Isa), ndërkohë që në dytën realizoi Zakov (55′) dhe Vajushi (65′). Armando hyri në fushë në minutën e 60-të, në vend të Ismail Mustafës, apo Isës, pesë minuta më pas realizoi golin e tij me një gjuajtje të bukur nga rreth 20 metra. Për ish-lojtarin e Vllaznisë, që ndodhet në sezonin e tij të dytë me Liteksin, ky ishte goli i tij i parë për këtë edicion. Në këtë ndeshje luajti edhe shkodrani tjetër, Edon Hasani, i cili hyri në lojë në minutën e 70-të.

JANUZI-DALLKU

Sulmuesi kosovar i Vorskla Poltavës, Ahmed Januzi, shënoi golin e parë në fitoren 2-1 të skuadrës së tij ndaj Desnës së kategorisë së dytë, në takimin e vlefshmë për Kupën e Ukrainës, duke e çuar ekipin e tij në një të tetat. Lojtari i Kombëtares shqiptar realizoi në minutën e 9-të, duke befasuar portierin Federenko, përpara se Jevgen Budnik të dyfishonte shifrat në të 45’+2. Golin e nderit vendasit e shënuan në minutën e 96-të. Mbrojtësi Armend Dallku luajti minuta të plota.

TELI-AGOLLI

Karabaku i Admir Telit dhe Ansi Agollit arriti një fitore të rëndësishme në transfertë, duke mundur 1-0 Turanin, në javnë e 6-të të Premier Ligës në Azerbajxhan. Mbrojtësi shkodran dhe mesfushori tiranas luajtën si zakonisht, nga minuta e parë. Ndeshja ishte shumë luftarake dhe u vendos nga një gol në minutën e 85-të, me një penallti të ekzekutuar nga Reshad.

ERJON BOGDANI

Siena turpëroi 2-0 Interin në “San Siro”, në ndeshjen e vlefshme për javën e 4-t të Serisë A, por sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Erjon Bogdani, qëndroi gjatë gjithë kohës në bankinë. 35-vjeçari ëshrë aktivizuar në një ndeshje, duke luajtur në total vetëm 45 minuta, pikërisht në barazimin 0-0 të Sienës me Torinon. Bogdani tani nuk është më alternativa e parë në sulmin bardhezi.

SAMIR UJKANI

Palermo e portierit shqiptar, Samir Ujkani, vazhdoi paraqitjen e keqe në këto katër javë, duke pësuar humbjen e tretë, kësaj radhe 1-0 me Atalantën në Bergamo. Gardiani i Kombëtares shqiptare qëndroi midis shtyllave, por mundur dot të shmangë humbjen që erdhi me golin e realizuar nga Kristian Raimondi, pikërisht në minutën e 88-të. Ujkani ka pësuar tetë gola në katër ndeshje.

LILA-VILA

Humbje minimale 1-0 për PAS Janinën e Andi Lilës dhe Emiljan Vilës, në transfertën e Verias, në ndeshjen e vlefshme për javën e katërt të kampionatit grek. Të dy lojtarët e Kombëtares shqitpare u ndëshkuan me nga një karton të verdhë. Pas katër javësh, PAS Janina ka vetëm dy barazime dhe ndodhet në vendin e 12-të nga 16 skuadra që ka Super Liga greke. Të shtunë, PAOK-u i Ergys Kaçes fitoi 3-0 në transfertë me Ksanthi. Mesfushori shqiptar 19-vjeçar luajti 90 minuta të plota. Platania e Arbër Dhramit humbi 2-1 jashtë fushe me Asteras Triopolis.

HYKA-KUKELI

Lucerni i Jahmir Hykës vazhdon serinë negative, duke humbur 1-0 në transfertë me Lozanën, në javën e 7-të të kampionatit zviceran. Golin e vetëm të ndeshjes e shënoi kongolezi Ntsai. Mesfushori Hyka luajti si zëvendësues nga minuta e 73-të. Edhe kosovari i Kombëtares sonë, Burim Kukeli, ishte i pafat në humbjen 1-0 të Cyrihut me Grasshopersin e Amir Abrashit, Taulant Xhakës dhe Mërgim Brahimit, ky i fundit është pjesë e Shpresave tona.

MËRGIM MAVRAJ

Mesfushori kosovar i Kombëtares së Zvicrës, Granit Xhaka, luajti 90 minuta të plota në barazimin 1-1 të Borusia Mënshengladbahut në transfertën me Bajer Leverkuzenin. Xhaka u ndëshkua me karton të verdhë. Të shtunën, Grojther Fyrth i kapitenit shqiptar Mërgim Mavraj barazoi 1-1 në transfertë me Volfsburgun. Edhe Mavraj u ndëshkua me karton të verdhë. Për Grojther Fyrthin luajti edhe sulmuesi Ilir Azemi, i vlerësuar si kandidat potencial për Komëtaren shqiptare.