Furtunë te Laçi, shkarkohet Prenga, stoli i besohet Starovës!

461
Sigal

Besnik Prenga nuk do të jetë më trajner i Laçit! Mirditori që u rikthye në Kurbin me besimin se mund të përsëriste ecurinë e shkëlqyer që bëri në verë, është larguar menjëherë pas humbjes 3-0 me Tiranën në Kupën e Shqipërisë. Zyrtarizimi është çështje orësh, ndërsa presidenti Pashk Laska ka zgjedhur dhe zëvendësuesin e Prengës.

Bëhet fjalë për Sulejman Starovën. Tekniku i njohur kryeqytetas nuk ka drejtuar një ekip që prej shtatorit të vitit të shkuar, kur u shkarkua nga drejtimi i Ferronikelit në Kosovë, ndërsa ka pranuar të veshë sërish tutat duke lënë studiot televizive ku ishte i impenjuar si analist.

Starova do të jetë trajneri i pestë në këtë edicion për ekipin kurbinas, që e nisi aventurën me Besnik Prengën e më pas me Artan Mërgjyshin, pas shkarkimit të të cilit u emërua për pak ndeshje Migen Memelli. Prenga u rikthye sërish së fundmi, për t’u larguar prapë dhe për t’a lënë vendin Sulejman Starovës.