Fuat Karalliu: Federata e Notit dhe Bashkia Sarandë, ofrojnë një Maratonë madhështore

673
Nga Agron KAJA
INTERVISTA/ Flet për “Telegraf”, sekretari i Klubit Shumësportësh “Butrinti”, ja përgatitjet për Maratonën Kombëtare të Notit
Sot në Sarandë ka një “Maratonë” në det, si është atmosfera në qytet para këtij eventi?
Për çdo event sportiv që luhet apo organizohet në qytetin tonë, atmosfera është gjithmonë dashamirëse. Edhe për Maratonën e Notit që do ta zhvillojmë këtu në qytetin tonë, ka lëvizje, ka interes nga qytetarë, por edhe nga njerëz të ndryshëm, të cilët ende vazhdojnë të qëndrojnë me pushime. Ne shpresojmë se do të ketë një ndjekje të madhe.

Cilat janë masat që ju si klub sporti e Bashkia, keni marrë për organizimin e kësaj Maratone?
Ky është një aktivitet kombëtar, i cili organizohet nga Federata Shqiptare e Notit, dhe e mbështetur nga Bashkia e Sarandës. Nga ana jonë, janë marrë të gjitha masat e nevojshme, që të zhvillojmë një Maratonë model, që jo vetëm të garojmë, por të gjithë të pranishmit dhe pjesëmarrësit, njëherësh edhe të argëtohen me këtë veprimtari.

Që sipas jush, gjithçka është gati për nesër (sot), në të gjitha aspektet e zhvillimit të saj?
Po, dhe do të shtoja se veç infrastrukturës nga Zadra e deri në mbyllje të Maratonës, ne kemi marrë masa me Policinë Kufitare për mjetet lundruese që do të shoqërojnë maratonistët. Njëherësh, kemi bërë njoftimet në mediet lokale dhe qendrore, ndaj presim që kjo Maratonë të bëjë mbylljen e suksesshme të sezonit të notit në natyrë.

Po me Federatën Shqiptare të Notit, si ka qenë bashkëpunimi juaj për organizimin e zhvillimin e kësaj Maratone?
Kjo Maratonë është një aktivitet Kombëtar, dhe interesimi i FSHN-së ka qenë i vazhdueshëm, jo vetëm në këto ditë të para të këtij muaji. Vetë Presidenti i Federatës, Agim Çiraku, ka kontaktuar shpesh me ne, ndaj mendoj se falë këtij bashkëpunimi, do të dalë një veprimtari shumë e mirë. 

Si do të garohet në këtë Maratonë noti, me grupmosha, me ekipe, apo edhe me individë?
Fëmijët nën moshën 10 vjeç dhe veteranët e notit, do të garojnë në distancën 1 kilometër. Fëmijët e grupmoshës 10 deri në 14 vjeç, do të garojnë në distancën 2 kilometër, ndërkohë që mbi moshën 14 vjeç, femra e meshkuj do të garojnë në distancën 4 kilometra.

Nëse i referohemi historisë së Maratonave të notit në Shqipëri, sa janë zhvilluar deri më sot?
Këtu në Sarandë, është viti i gjashtë që zhvillohet Maratona Kombëtare e Notit. Dy vite më parë e quajtëm “Maratona “Spiro Koça”, ndërsa kjo që zhvillohet të shtunën (sot) është thjesht Maratona Kombëtare e Notit, Sarandë 9 shtator 2017.

Maratona e Notit në Sarandë, i kushtohet më shumë garimit e spektaklit, apo edhe rezultatit?
Të dyja bashkë, por duhet të kujtoj se kjo është një veprimtari që më shumë ofron masivitetin dhe spektaklin, ndërkohë që rezultatet vijnë nga rrjedhshmëria e garës. Po ju përmend mjekun 75 vjeçar Skënder Bajrami, i cili merr pjesë në çdo maratonë që zhvillohet në Sarandë, dhe së bashku me të garojnë edhe fëmijë nën 10 vjeç,

Në këndvështrimin e njohjes suaj, prisni ndonjë rezultat rekord në këtë Maratonë të Notit?
Pse jo të mos presim edhe kohë të mira nga të gjitha grupmoshat që do të garojnë, do ta zbukurohej edhe më shumë kjo Maratonë. Për çdo fitues në grupmoshat respektive, do të ketë edhe kupa personale, për t’i dhënë çdo fituesi më shumë stimul.

Po Butrinti i Sarandës, si do të përfaqësohet në këtë Maratonë të notit?
Butrinti do të marrë pjesë në këtë maratonë të notit, me të gjitha grupmoshat. Do të përfaqësohemi me shumë garues në çdo grupmoshë, por te veteranët po ju përmend Skënder Bajramin, Alush Çukon, Skënder Muçën e Ilir Mejdinin, të cilët së bashku me të tjerët do të na sjellin emocione në këtë garë.
Kjo Maratonë është një aktivitet Kombëtar, dhe interesimi i FSHN-së ka qenë i vazhdueshëm, jo vetëm në këto ditë të para të këtij muaji. Vetë Presidenti i Federatës, Agim Çiraku, ka kontaktuar shpesh me ne, ndaj mendoj se falë këtij bashkëpunimi, do të dalë një veprimtari shumë e mirë
PJESËMARRËSIT
Mosha nën 10 vjeç 1 km
Mosha 10-14 vjeç 2 km
Mosha mbi 15 vjeç 4 km
Veteranët 1 km
Sigal