FSHF, Vendimi i Komitetit Ekzekutiv u fal klubeve 350 mln lekë

Nëpërmjet një njoftimi të pasdites së djeshme, FSHF-ja ka bërë me dije se Komiteti Ekzekutiv ka marrë një vendim të rëndësishëm, sa i përket lehtësimit të financave të klubeve. Sipas njoftimit zyrtar, KE ka vendosur që klubet të mos paguajnë më për pjesëmarrjen në aktivitetet sportive, ku skuadrat duhej të paguanin disa miliona lekë si kuota për t’u regjistruar në çdo kampionat. Kështu, klubet e Kategorisë Superiore paguanin nga 1.130.500 lekë të reja, ato të Kategorisë së Parë nga 810.000 lekë të reja, dhe të Kategorisë së Dytë nga 370.500 lekë të reja. Njëherësh, në njoftimin e FSHF-së bëhet e ditur se, në këtë vendim, janë miratuar edhe listat e gjyqtarëve, vëzhguesve dhe delegatëve për çdo kategori, si dhe është miratuar edhe struktura Kategorisë së Dytë në dy grupe, jug dhe veri.