FSHF sqaron: Ju duam të gjithëve!

486
Të nderuar anëtarë të TKZ!
Në vijim të kërkesës tuaj për t’u pajisur me bileta në grup, për ndeshjet e kombëtares në “Francë 2016” (direkt nga FSHF) ju bëjmë me dije, se kjo është një procedurë e pamundur. UEFA, si organizuese ekskluzive e Turneut “France 2016”, ka vendosur rregullat dhe mënyrën e shpërndarjes së biletave nëpërmjet portalit on line, UEFA.com. Kjo procedurë është e pandryshueshme dhe e vendosur nga organizatorët e aktivitetit. FSHF, si të gjithë federatat e tjera pjesëmarrëse në “Francë 2016”, nuk disponon dhe administron në mënyrë të drejtpërdrejtë bileta për ndeshjet e kombëtares sonë në “France 2016”. Rregullorja e UEFA-s, për këtë aktivitet parashikon shitjen individuale “Vetëm”, nëpërmjet portalit, on-line të UEFA-s. Por ndërkohë rregullat e UEFA-s japin mundësi dhe prioritete, për t’u pajisur me bileta vetëm për ata individë që janë të regjistruar në klubet zyrtare të federatave përkatëse. Është kjo një nga arsyet që FSHF së fundi promovoi Klubin “Tifozët e Kombëtares”, i cili është i hapur për të gjithë, për t’u regjistruar dhe për t’u bërë pjesë e mbështetjes maksimale për ekipin tonë kombëtar. Besojmë dhe shpresojmë se është e qartë, që anëtarësimi në “Klubin e Tifozëve të Kombëtares” të iniciuar dhe krijuar nga FSHF, nuk cenon invidualitetin e asnjë grupimi tifozerie. Përkundrazi, FSHF synon që nëpërmjet këtij bashkimi, të sjellë sa më shumë risi dhe mbështetje për kombëtaren shqiptare të futbollit. FSHF, si Institucion përfiton nga rasti, për t’ju ftuar edhe njëherë të regjistroheni në këtë klub, miqsh. Sepse Klubi i Tifozëve të Kombëtares, është thjesht një klub me një listë të identifikuar anëtarësh në shërbim të të gjithë tifozëve. Ai do të funksionojë, për t’i krijuar anëtarëve, lehtësira dhe avantazhe, për të ndjekur dhe mbështetur kombëtaren tonë në “Francë 2016” dhe më tej. Duke e mirëkuptuar dëshirën tuaj të sinqerte dhe të zjarrtë, për të mbështetur djemtë e kombëtares sonë në këtë ngjarje historike për futbollin shqiptar, kërkojmë gjithashtu të mirëkuptoni që FSHF e ka të pamundur, të ndryshojë rregullat dhe kriteret e UEFA-s për shpërndarjen e biletave. FSHF ka vlerësuar maksimalisht dhe është mirënjohëse për mbështetjen dhe kontributin që i është dhënë ekipit kombëtar, nga ana e grupimit të tifozëve TKZ ndër vite. Institucioni i futbollit shqiptar ka qenë gjithmonë i gatshëm për t’ju përgjigjur kërkesave tuaja, jo vetëm si një obligim moral për kontributin tuaj të pazëvendësueshëm, por si një detyrim midis partnerësh, që punojnë për të njëjtin qëllim.
Me respekt, Federata Shqiptare e Futbollit!
Sigal