Sigal

Armir Grima nuk është më trajner i Kombëtares së femrave pas akuzave për trukim ndeshje. FSHF pati paralajmëruar se do të dalë me një vendim publik pasi kjo çështje të zbardhet dhe se kishte besim të plotë në pafajësinë e trajnerit shkodran.

Gjithsesi ka kaluar shumë kohë që nga 24 shtatori dhe Kombëtarja e femrave ishte në udhëkryq sa i përket të ardhmes së trajnerit. Tashmë është zyrtare, në heshtje dhe pa asnjë lajmërim nga FSHF Vioresin Sinani është emëruar në krye të stolit të femrave kuqezi. Ish-sulmuesi më parë ishte ndihmës i trajnerit Grima e tani e merr ai drejtimin e skuadrës, ndoshta deri në një moment të dytë kur të shpallet vendimi për trajnerin e arrestuar, shkruan SportPlus.

Tashmë në faqen zyrtare të FSHF-së në internet mund të lexohet qartë se ish-sulmuesi i Vllaznisë është trajneri që do përgatisë miqësoren që Shqipëria do të luajë me Slloveninë pas pak ditësh.