FSHF paraqitet me dosje voluminoze para UEFA-s

447
Sigal

Pavarësisht se sot u bë plot një javë, tema e ndeshjes Serbi-Shqipëri vazhdon të mbetet e nxehtë, e për më tepër që nesër është edhe marrja e vendimit nga UEFA për incidentet që u shfaqen para, gjatë dhe pas ndeshjes së ndërprerë. Ashtu siç u bë me dije disa ditë më përpara nga FSHF, pala shqiptare do të mbrohet nga dy studiot më të mira ligjore që kanë formim edhe në çështjet sportive dhe duket se mbi të gjitha do të ndalen tek veprimet e tifozerisë serbe që nuk do merren në shqyrtim të UEFA-s si koret raciste dhe diskriminuese në mënyrë të vazhdueshme, gjithashtu edhe vërshëllimat gjatë ekzekutimit të himnit kombëtar shqiptar. Komisioni Disiplinor, që do mblidhet nesër, do të vendosë mbi masat ndëshkimore që do marrë ndaj kampeve të ndryshme për trazirat e shkaktuara. Pikërisht, në lidhje me çështjet që UEFA dhe delegatët e sajë kanë anashkaluar, pala shqiptare do të merret më shumë. Bëhet me dije se do të dorëzohet një dosje voluminoze drejt UEFA-s mbi thirrjet dhe koret raciste gjithashtu edhe në shkeljet e tjera që delegatët nuk e kanë parë të arsyeshme që të raportojnë si p.sh vërshëllimat gjatë himnit apo djegiet e flamurit shqiptar, djegien e fanellave të futbollistëve shqiptar gjithashtu edhe djegien e flamurit të NATO-s. Në lidhje me këto veprime aspak korrekte dhe sportive, pritet të jetë e mbushur edhe dosja që do të paraqesë mbrojtja, pasi në fakt, ekzistojnë shumë filmime dhe fotografi që janë parë nga të gjithë por jo nga delegatët e UEFA-s. Materiali që do të dorëzojë FSHF do jetë në tre gjuhë, shqip, anglisht dhe gjermanisht, në mënyrë që të jetë më e lehtë për anëtarët e Komisionit që të kuptojnë përmbajtjen pasi janë të kombësive të ndryshme. Në dosje, përpos filmimeve në stadium, ka edhe filmime që janë bërë gjatë rrugës për atje, ku ka kore të ndryshme njerëzish që thërrasin me të madhe “Kosova është Serbi”, madje FSHF disponon prova që autobusi është goditur nga tifozët me sende të forta dhe edhe kjo situatë do të paraqitet si provë në UEFA për të vërtetuar agresionin që është shfaqur ndaj delegacionit shqiptar shumë përpara se ndeshja të fillonte. Ndërkohë që në këtë dosje përfshihen edhe materialet ku përfaqësuesja kuq e zi shoqërohet me thirrjet: “Vdekje, vdekje shqiptarëve”, si dhe pamjet e hedhjeve të sendeve të forta në fushë, si shishe në drejtim të futbollistit Bala apo edhe fishekzjarrë në fushë, në drejtim të futbollistëve tanë. Të përfshira janë padyshim edhe fotot dhe pamjet që tregojnë qartazi dhunën që shkaktohet ndaj futbollistëve tanë, si nga tifozët që futen në fushë ashtu edhe nga rojet e sigurisë që duhej të ishin aty për të ndarë dhe jo për të grushtuar e për të ndihmuar huliganët serbë. Për sa i përket mbrojtjes dhe dy pikave që ne duhet të provojmë pafajësinë (1- refuzimi për të luajtur dhe 2- hedhja në fushë e fluturakes që shkaktoi ndërprerjen e ndeshjes,) duket se FSHF disponon më së miri materialet që garantojnë mospërfshirje, si në rastin e flamurit që fare qartë vërtetohet se ndeshja u ndërpre para se të dilte në dritë ai avion i telekomanduar pasi kishte pasur shpërthime të mëdha urrejtjeje nga tifozët serbë çka kanë detyruar arbitrin Atkinson të ndërpriste ndeshjen dhe sa i përket moskthimit në fushë pasi u ndërpre ndeshja, mbrojtja sigurisht nuk e ka aspak të vështirë të paraqesë materialet, pasi janë me shumicë në duart e tyre, edhe pse kjo si akuzë është shumë e rëndë, por gjithsesi është e kuptueshme se një ndeshje në kushte të tilla vetëm futboll nuk mund të quhet as nuk pretendohet të luhet. Duke parë të gjitha materialet e përfshira dhe duke marrë shumë raste të tjera si shembull, duket se tre pikët janë më e pakta gjë që mund ti atribuohen Kombëtares Shqiptare, por nuk mund të anashkalohet as fakti se çdo gjë  mund të ndodhi, pasi ishin vetë delegatët e ndeshjes që nuk paraqiten pasjen e koreve raciste gjatë ndeshjes e shumë e shumë të dhëna të tjera që ju shtohet edhe reagimi aspak korrekt i presidentit të UEFA-s Platini, që u përpoq të anashkalonte çdo gjë që u pa e nuk u pa në stadium me deklaratën e bombës imagjinare që mund të ishte në atë fluturake të lëshuar nga nuk dihet se kush.

Mundo Deportivo: Shqipëria mund të humbë ndeshjen në tavolinë

Sipas të përditshmes spanjolle, Shqipëria mund ta humbë ndeshjen në tavolinë në qoftë se nuk paraqet argumente bindëse se pse lojtarët shqiptarë refuzuan të ktheheshin në lojë. Sipas këtij artikulli shumë të gjatë, vendimi do të merret nesër dhe nuk ka asnjë mundësi që të shtyhet pasi Serbia ka ndeshjen me Danimarkën me 14 nëntor dhe duhet të jenë të përgatitur për çdo vendim që UEFA mund të marrë. Më tej shkruhet se pala shqiptare ka akuzën shumë të fortë të braktisjes së ndeshjes, por gjithashtu, edhe Serbia ka akuza të rënda, ku mbi të gjitha është mungesa e organizimit të ndeshjes dhe shfaqjet raciste të tifozëve. Sipas artikullit me shumë gjasa ndeshja vendimi do të jetë që ndeshja të përsëritet në një fushë asnjanëse dhe pa tifozë.