FSHF mbështet vendimin e UEFA-s, pret Lozanën

502
Duket paksa i vonuar. Madje një shprehje e urtë popullore thotë si “konifi pas të vjelit”, sepse Federata Shqiptare e Futbollit duhet të ishte zgjuar më shpejt për të dhënë këtë lloj reagimi pas vendimit të UEFA-s për Rusinë. E ka bërë shtypi, madje është konsumuar në të gjitha mediat duke shpresuar se TAS i Lozanës do të tregohet me të njëjtin vendim si i UEFA-s për dhënien e tre pikëve Shqipërisë, të premten e 17 prillit. Bëhet fjalë për ndeshjen e Serbisë, ndërsa në Komisionin e Disiplinës, Shqipëria e humbi ndeshjen në “tavolinë”, sepse nuk kishte pranuar të dilte në fushë. Kurse Serbia e fitoi atë, por në të njëjtën kohë iu hoqën minus tre pikë për shkak të turbullirave që ndodhën në stadiumin e Partizanit të Beogradit. Ndërkohë që Apeli nuk ndryshoi asgjë, ndërsa tashmë të gjithë shqiptarët shpresojnë tek drejtësia e vendimit të Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv në Lozaën. Por cili ishte vendimi i Komisionit të Etikës dhe Disiplinës në lidhjen me ndeshjen 27 marsit, Mali i Zi – Rusi? “I jep Rusisë fitoren në tavolinë 3-0 për shkak të trazirave që ndodhën në ndeshjen e Podgoricës, atje ku u godit dhe portieri i Rusisë, Akinfiev, e më pas lojtarët u përfshinë në një zënkë masive”. Dhe po ky Komision, për shkak të trazirave që kishin ndodhur në ndeshjen Kroaci – Norvegji, ka vendosur që më 12 qershor ndeshja Kroaci – Itali të luhet pa spektatorë. Për të gjitha këto, sidomos për vendimin për t’i dhënë tre pikët Rusisë, Federata Shqiptare e Futbollit ka qenë dakord, ndërsa shpreson dhe pret që më 17 prill në Lozanë të vendoset drejtësia dhe Shqipërisë t’i kthehen pikët e merituara pas dhunës në ndeshjen ndaj Serbisë. Ja dhe reagimi zyrtar i Federatës Shqiptare të Futbollit, të cilën e ka shpërndarë dje në mëngjes drejtoresha e marrëdhënieve me publikun, Jona Dervishi: “FSHF mendon se ky vendim është tejet i drejtë dhe në përputhje të plotë me standardet dhe rregullat e UEFA-s. Duke marrë shkas nga ky vendim, FSHF thekson se në rastin e ndeshjes Serbi-Shqipëri, Komisioni i Etikës dhe Disiplinës nuk aplikoi të njëjtin standard gjykimi, sepse dhuna në stadiumin “Partizani” të Beogradit ishte me ekstreme dhe e shoqëruar gjithashtu me thirrje raciste. Pamjet e goditjeve të lojtarëve tanë me karrige dhe sende të forta, fishekzjarret dhe hyrja në fushë e tifozëve në prani të 5000 policëve janë një argument i padiskutueshëm që vendi organizator dështoi për mbarëvajtjen e një ndeshjeje normale futbolli, mbështetur në rregullat e UEFA-s. Duke pritur vendimin e 17 prillit të KAS-it, ne kemi shumë shpresë për një gjykim të drejtë, jo thjesht se kombëtares së Shqipërisë i takojne 3 piket, por sepse vendimi në favor të Shqipërisë është vendim në favor të futbollit”. 
Te Kukësi rikthehet Hallaçi: Laçi neve nuk na frikëson
4 fitoret radhazi në 4 ndeshjet e fundit dhe sidomos ajo ndaj Skënderbeut në gjysmëfinalen e parë të Kupës së Shqipërisë kanë rikthyer qetësinë dhe optimizmin në kampin e verilindorëve. Ata kanë nisur përgatitjet për ndeshjen e së hënës në kampionat, teksa në “Zeqir Imeri”do të presin Laçin. Për fatin e mirë të skuadrës së Artim Shaqirit rikthehet kapiteni Rrahman Hallaçi, i cili tashmë e ka lënë pas dëmtimin, që e ka mbajtur jashtë fushe për disa javë. “Kam pasur një dëmtim në pulpë dhe së bashku me stafin teknik vendosëm që të mos zbrisja në fushë në ndeshjen e fundit ndaj Skënderbeut. Kuptohet kjo për të mos rrezikuar. Gjithsesi tashmë jam gati dhe do të luaj që nga minuta e parë ndaj Laçit”, ka thënë Hallaçi, i cili e ka parë të vështirë ndeshjen e së hënës ndaj Laçit të Armando Cungut. “Kemi një ndeshje të rëndësishme. E vlerësojmë kundërshtarin për paraqitjet që ka bërë në ndeshjet e fundit, por ne jemi një skuadër që jemi ndërtuar për të fituar trofe dhe nuk e kemi frikë Laçin”, ka deklaruar Hallaçi. Madje i bëri thirrje tifozëve që të jenë sa më të shumtë në stadium të hënën, sepse vetëm kështu Kukësi mund të fitojë dhe të ruajë kryesimin në Kategorinë Superiore. “Besoj se në këtë ndeshje incidente të tilla nuk do të përsëriten më. U bëj thirrje tifozëve të tregohen korrektë, pasi na duhet ndihma e tyre për ta mbyllur sezonin në mënyrën më të mirë. Unë kam besim se ata do ta dëgjojnë fjalën time. Mbështetja e tifozëve është shumë e rëndësishme, por ju e keni parë edhe vetë që në Kukës të lejohet të luash futboll. Unë besoj se faktori fushë është i rëndësishëm por jo thelbësor”. Sakaq Hallaçi ka vlerësuar dhe faktin që Kukësi ka arritur të fitojë dhe të shënojë një gol në portën korçare duke hedhur një hap të sigurt drejt kualifikimit për në finale për herë të dytë. “Rezultati i ndeshjes së parë është i mirë pasi e realizuam objektivin për të mos pësuar gol. Megjithatë në Korçë na pret një ndeshje e vështirë dhe për t’u kualifikuar në finale duhet të realizojmë minimalisht një gol”, ka përfunduar Hallaçi. 
Plotësohet Tirana në prag të Vllaznisë…!
Lajme të mira për trajnerin e Tiranës, Gugash Magani. Kjo në prag të ndeshjes me Vllazninë, në kuadrin e javës së 30-të të Kategorisë Superiore, ndërsa ndeshja do të luhet të dielën në ora 17:00 në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”. Kështu bardhebluve u rikthehen nga dëmtimet, Erando Karabeci dhe Elis Bakaj. Rikthimi i Bakajt vjen pikërisht atëherë kur duhej për Tiranën, ndërsa barazimi pa gola në ndeshjen e parë gjysmëfinale me Laçin ka lënë një shihje jo të mirë. Karabeci ka munguar për shkak të kartonëve, kurse Bakaj është rikthyer në formacion, teksa mungonte për shkak dëmtimi që më 4 mars. Dhe prezenca e tyre pritet t’i japi një tjetër impuls sulmit bardheblu, ndërsa në dyshim është Mario Morina, i cili ende nuk e ka lënë pas dëmtimin që pësoi në ndeshjen me Apoloninë. 
Skënderbeu me probleme mungesash ndaj Partizanit
Trajneri Mirel Josa e ka cilësuar si ndeshje pa kthim atë ndaj Partizanit, pasi për kampionët vetëm fitorja bën punë në garën për titullin kampion. Megjithatë kjo deklaratë e trajnerit Josa vjen për të karikuar akoma më shumë ambientin, ndërsa në fakt në këtë përballje me Partizanin, Skënderbeu vjen me mungesa. Ndaj të kuqve mungojnë për arsye pezullimi me kartonë Vangjeli dhe Abazi, si dhe Nimaga që mori kartonin e kuq ndaj Laçit. Sikur të mos mjaftojnë kartonët, korçarët kanë në dyshim dy mesfushorët Berisha dhe Progni, që munguan në Kukës në sfidën e parë gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë. 5 mungesa që po të llogariten dhe ato të Peter e Ademir e çojnë në 7 numrin e futbollistëve që humbasin këtë duel, praktikisht një formacion i tërë. Megjithatë ka dhe një lajm të mirë për trajnerin Josa, i cili sheh t’i rikthehet qendërmbrojtësi Tefik Osmani, që ka lënë pas dëmtimin për të qenë i gatshëm në këtë 90 minutësh. Gjithashtu me grupin është bashkuar edhe Enkel Alikaj, që shihet si një alternativë më shumë në mesfushën e kampionëve. Në një situatë të tillë për trajnerin Josa ndërtimi i formacionit është i vështirë, duke qenë se sinjalet e dhëna nga Jashanica, në veçanti në ndeshjen e Kupës, ndaj Kukësit nuk ishin të mira. 
Çështje biletash, Skënderbeu vetëm 300 bileta për të kuqtë
Futbolli shqiptar prej kohësh është në kërkim të tifozëve, por në këtë kampionat, atje ku gara për titullin kampion është më e zjarrtë se kurrë, në sfida të vecanta ndodh që stadiumet të mos i plotësojnë kërkesat për bileta. Skënderbeu – Partizani, kryesfida e javës së 30-të të Superiores, ka ngjallur interes të jashtëzankonshëm tek tifozët korçarë. E për më tepër edhe tek ata të kuq, që kanë nisur prej ditësh të organizohen për të udhëtuar drejt Juglindjes. Mirëpo në rregulloren e futbollit shkruhet se ekipit udhëtues i takojnë vetëm 5% të kapacitetit të stadiumit, që do të thotë se Partizani nuk mund të ketë më shumë se 300 tifozë .Zyra për shtyp e klubit të kuq sqaron se tashmë 300 bileta u janë shpërndarë tifozëve, por kërkesat janë për shumë më tepër, ose më saktë janë edhe 600 tifozë të tjerë të Partizanit që ngulmojnë të udhëtojnë drejt Korcës. Përfaqësuesit e skuadrës kryeqytetase u kanë kërkuar zyrtarisht homologëve korçarë që të rezervojnë më shumë bileta për tifozët e kuq, por përgjigjja ka qenë negative, pasi interesimi nga mbështetësit e Skënderbeut është maksimal. Gjithsesi të gjithë ata tifozë që nuk do të kenë mundësi të gjejnë një biletë për këtë supersfidë të futbollit shqiptar, nuk do ta humbasin këtë 90 minutësh me aromë titulli, pasi Super Sport si gjithmonë do të jetë pranë të pasionuarve të futbollit me transmetimin drejtpërdrejtë të këtij takimi, që do të nisë të hënën në orën 18:00
Sigal