FSHF-ja mbush arkën me gjoba

548
Sigal

 Komisioni i Disiplinës dënon pesë klube. Tirana, klubi më i gjobitur në këtë sezon

 Komisioni i Disiplinës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit,  vendosi të dënojë Partizanin, Tiranën e Bylisin me nga 50 mijë lekë secili, teksa shuma totale që i detyrohen klubet FSHF-së ka arritur shumën e 13 milionë lekëve të vjetër. Tirana është klubi më i gjobitur nga  Komisioni i Disiplinës. Deri tani janë dënuar me gjobë 11 nga 12 klubet e Superligës, me përjashtim të Besës së Kavajës. Klubet e dënuara dje me gjobë janë Partizani, Tirana, Bylisi, Skënderbeu de Teuta. “KF “Bylis“ dhe KF “Tirana”, për dështime në përmbushjen e përgjegjësive për sjelljen e spektatorëve të tyre  dënohen secila me nga 50.000 mijë lekë gjobë. KF “Partizani“ për sjellje të gabuar të tifozërisë së saj dënohet me 50.000 mijë lekë gjobë. KF “Skënderbeu” dhe KF “Teuta” për sjellje të gabuar të tifozërisë së tyre dënohen me nga 50.000 mijë lekë gjobë secili”, – thuhej në vendimin e Disiplinorit. Nga ana tjetër, KF “Flamurtari”, për sjellje të gabuar të tifozëve të saj paralajmërohet se në rast përsëritjeje do të jetë subjekt i ndëshkimeve që parashikon Kodi i Disiplinës Sportive. I njëjti paralajmërim vlen edhe për Laçin, për sjellje të gabuar të tifozëve të tij në ndeshjen e Kupës me Skënderbeun paralajmërohet se në rast përsëritjeje do të jetë subjekt i ndëshkimeve që parashikon Kodi i Disiplinës Sportive. Dënime morën edhe zëvendëstrajneri i Flamurtarit, Johan Driza (2 ndeshje pezullim) si dhe zëvendëstrajneri i Himarës” Shpëtim Imeraj për protesta me gjeste dhe fjalë ofenduese ndaj vendimeve të gjyqtarëve dënohet me dy ndeshje pezullim nga aktiviteti. Në Kategorinë e Parë, i vetmi klub i dënuar me gjobë (25 mijë lekë) ishte Butrinti, për sjellje të gabuar të tifozëve të tij.

TIRANA

Tirana është klubi më i gjobitur nga  Komisioni i Disiplinës. Deri tani janë dënuar me gjobë 11 nga 12 klubet e Superligës, me përjashtim të Besës së Kavajë, cilat në total kapin shumën e 1,3 milionë lekëve:  Tirana (400 mijë lekë/pesë gjoba në total, përfshirë edhe 200 mijë leke dëme në stadiumin e Korçës), Vllaznia (100 mijë lekë, dy herë nga 50 mijë lekë), Laçi (50 mijë lekë), Skënderbeu (150 mijë lekë, tri herë nga 50 mijë lekë) dhe Teuta (100 mijë lejë, dy herë nga 50 mijë lekë), Partizani (100 mijë lekë, dy herë nga 50 mijë lekë); Flamurtari (50 mijë lekë), Kastrioti (50 mijë lekë), Lushnja (30 mijë lekë). Nga Kategoria e Parë janë gjobitur tri skuadra: Luftëtari (50 mijë lekë), Burreli (50 mijë lekë) dhe Iliria (20 mijë lekë) si dhe një nga Kategoria e Dytë: Përmeti (50 mijë lekë). Kryesisht gjobat janë me nga 50 mijë dhe 20 mijë lekë të rinj. Motivet janë për mospërmbushjen e detyrimeve dhe përgjegjësisë për organizimin e një ndeshje futbolli, kore fyese të tifozëve ndaj gjyqtarëve, por dhe për hedhje të hedhje të sendeve të forta, duke goditur zyrtarin e ndeshjes.

Gjobat ndaj klubeve

Tirana          400 000 lekë

Skënderbeu 150 000 lekë

Kukësi        150 mijë lekë

Vllaznia        100 000 lekë

Laçi                     100 000 lekë

Teuta                   100 000 lekë

Partizani              100 mijë lekë

Bylis            100 mijë lekë

Flamurtari    50 000 lekë

Kastrioti              50 mijë lekë

Lushnja        30 mije lekë

Portieri Samir Ujkani është largimi i parë zyrtar drejt Kombëtares së re kosovare

 Kosova fton Canën, FSHF-ja në alarm

 Samir Ujkani është largimi i parë nga Kombëtarja Shqiptare e futbollit drejt asaj të Kosovës. Portieri i Palermos ia ka komunikuar këtë vendim edhe zyrtarëve të Federatës Shqiptare të Futbollit. 25 vjeçari do të debutojë në miqësoren që kombëtarja e Kosovës do të luajë ndaj Haitit më 5 mars në Mitrovicë. Menaxheri i ekipit Kombëtar, Alban Bushi, tha se për momentin Ujkani është i vetmi nga lojtarët kosovarë që ka vendosur të largohet nga kombëtarja. Sipas menaxherit tij, zyrtarët e Federatës Shqiptare  të Futbollit do të mblidhen së shpejti me homologët kosovarë për të diskutuar lidhur me këtë çështje. Kosova në muajin janar ka marrë lejen nga FIFA për të zhvilluar miqësore me përfaqësuesen A, por pa simbolet kombëtare. Sipas mediave italiane, Lorik Cana ka marrë një ftesë nga Federata e Futbollit të Kosovës për të marrë pjesë në ndeshjen miqësore kundër Haitit që do të luhet në datën 5 mars. Kapiteni i kombëtares së Shqipërisë nuk ka kthyer ende një përgjigje edhe pse kjo ftesë apo pjesëmarrja e mundshme në miqësore, nuk e largojnë aspak mesfushorin nga skuadra e De Biazit. Lojtari i Lacios do të shërbente në këtë mënyrë si një reklamë për vitrinën e futbollit kosovar që vetëm disa javë më parë mori miratimin nga FIFA për të luajtur ndeshje miqësore.

Vetë Lorik Cana ka deklaruar disa herë se kontributi i tij zyrtar do të vazhdojë të jetë në mbështetje të kombëtares së Shqipërisë, çka do të thotë se angazhimi i tij me Kosovën do të jetë thjesht honorifik nëse ai e pranon ftesën e FFK-së. Por iniciativa e institucioneve zyrtare në Kosovë për angazhimin e lojtarëve të njohur nuk mbyllet me kaq pasi Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka emëruar katër futbollistë si “ambasadorë të nderit” të Kosovës në botë. Bëhet fjalë për Xherdan Shaqirin, Lorik Canën, Valon Behramin dhe Adnan Januzajn. Kjo është një simbolikë qartësisht politike më shumë se sa efektive dhe nuk ka aspak lidhje me çështjen e aktivizimit të lojtarëve në fjalë me kombëtaren e Kosovës. I fundit në radhën e tyre që është përfolur për një aktivizim të mundshëm është Adnan Januzaj, agjenti i të cilit e mohoi pak ditë më parë lajmin se ai i kishte thënë “Po” kombëtares së Kosovës.

  Edhe pesë talente kosovarë tek U-17

 Presidenti i Republikës Bujar Nishani i ka dekretuar me shtetësi shqiptare 5 futbollistë të Kombëtares U-17. Fjala është për Ardit Humollin (Rapidi i Vjenës), David Domgjonin (Shkëndija e Tiranës), Endrit Graincën (Ferizaj), Heroid Gjoshin(Grasshoper) dhe Agim Zekën (Prishtina). Kjo vjen pasi kohë me pare, presidenti i Republikës kishte refuzuar të jepte shtetësi për talentet me arsyetimin e moskompletimit të dokumentacionit. Trajneri i Kombëtares U-17, Xhemal Mustedanagic, tani është më i qetë pasi edhe vet e ka pranuar së nëse 5-shja do të pajiset me pasaportë atëherë ekipi i tij do të jetë për dy herë më i mirë sesa që është tani. Kombëtarja U-17 është kualifikuar në fazën “Elite Round”, dhe pritet të zhvilloj ndeshjet në datat, 26, 28 dhe 31 mars të këtij viti përkatësisht kundër Anglisë, Italisë dhe Çekisë.

 Shalke “blindon” Donis Avdiajn

  Futbollisti 17 vjeçar, Donis Avdijaj ka vazhduar kontratën e tij me skuadrën e Bundesligës, Shalke e cila skadonte më 2015, deri në qershor të vitit 2019. Një klauzolë e veçantë e marrëveshjes së re është se dëmshpërblimi i tij është caktuar të jetë 50 milion euro, që është rekord i ri në Bundesliga. Menaxheri i Shalkes, Horst Heldt u shpreh i kënaqur me marrëveshjes, si edhe trajneri, Jens Keler. “Donisi ka mjaft kualitetet, prandaj edhe për të kishin shprehur interesim skuadra të njohura si Liverpuli”, tha ai.